14.8 C
Prizren
E enjte, 10 Tetor, 2024

Sabedin Mustafa, krenaria e diasporës shqiptare në Austri

Sabedin Mustafa ka lindur në vitin 1972 në fshatin Potoçan të Ulët të Rahovecit. Katër klasë të fillores i ka kryer në fshat, ndërsa katër të tjera në fshatin Fortesë. Në atë kohë nuk kishte autobus dhe Sabedini me shokë e shoqe udhëtonin në këmbë nga 8 km në ditë. Meqë ishte i rregullt dhe nuk dëshironte të bënte mungesa, ai tregon se një herë ishte dimër i ashpër dhe ende nuk ishin hapur shtigjet e kalimit nëpër borën e trashë, Sabedini ishte nisur fill i vetëm dhe kur kishte arritur në shkollë mësuesi i kishte thënë se asnjë nxënës nuk ka ardhur, madje edhe nga vetë fshati Fortesë, prandaj duhet të kthehej në shtëpi. Mësuesi e kishte ngrohur e tharë dhe e kishte dërguar në shtëpi.

Sabedini thotë se, barrën e rritjes dhe edukimit të fëmijëve e kishte marrë mbi supe nëna Qamilja, pasi që babai Asllani jetonte e punonte në Gjermani dhe rrallë vinte në shtëpi. Dhe sapo zë e flet për të ëmën, Sabedinit i mbetet fjala në fyt dhe fshin lotët që i rrjedhin faqeve.

-Ajo përjetoi shumë vuajtje në jetë, – thotë Sabedini. Asnjëherë nuk do të jemi në gjendje ta falënderojmë mjaftueshëm për gjithçka që ka bërë për ne. Ajo më mësoi si të përballem me dallgët e jetës. U kujdes për ne në kushte shumë të vështira në një fshat të vogël malor, shton Sabedini.

Pas përfundimit të shkollës fillore mësimet i vazhdova në shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren. Kisha shumë dëshirë që të vazhdoj të studioj në Prishtinë, por ngjarjet e bujshme të asaj kohe bënë që të mos e arrij këtë synim. Në vitin 1991 më dërguan në shërbimin ushtarak, mirëpo ankohesha se kisha dhimbje koke vazhdimisht. Një mjek psikiatër, boshnjak, më diagnostikoi me probleme shëndetësore dhe më liroi nga shërbimi ushtarak për katër vjet. Pa humbur kohë u largova nga Kosova dhe shkova në Austri. Mora rrugën e mërgimit që në moshë shumë të re fill i vetëm. Fillimisht u vendosa në Eferding ku kishte më shumë shqiptarë. Nisa të punoj tek një bujk, ndërsa arrita që të bind disa shqiptarë që të regjistrohen në kursin e gjuhës gjermane tek Renate Bugner. Kjo mësuese më këshilloi që të konkurroja në spitalin e Lincit dhe për fat më pranuan. Meqë diploma e Kosovës nuk njihej, më është dashur t’ju nënshtrohem nëntë provimeve. Punoja dhe mësoja me zell. Ndërkohë erdhi edhe bashkëshortja Lumturija dhe ajo u angazhua shumë që unë të vazhdoja shkollimin. Dhënia e provimeve më hapi dimensione të reja. Kjo më mbushi me ambicie për të vazhduar me fakultetin e mjekësisë. Punoja shumë dhe arrita që në afat rekord të përfundoj edhe studimet. Menjëherë më pranuan si mjek në Linc.

E kam kryer të përgjithshmen, e pastaj mjekësinë familjare, kam specializuar për traumatologji. Tani po i bëj studimet master i shkencave të mjekësisë dhe nuk e kam vendosur ende nëse do të ligjëroj në ndonjë fakultet të mjekësisë. Aktualisht kam arritur të hap ordinancën time të mjekësisë familjare, në Satlet që më ka kushtuar mbi një milion euro. Pacientët shprehen të kënaqur me shërbimet e mia. Kam mbi 2000 pacientë, duke tejkaluar numrin e nevojshëm për të pasur ordinancë. Këtu mjafton të kesh 1500 banorë nën përkujdesje. Bashkëshortja ime Lumturija Salltakaj-Mustafa është infermiere dhe punojmë bashkë në ordinancë. Hannani, djali ynë ka nisur të merret me kompozime muzikore, mirëpo dëshira ime është që të studiojë dhe të merret me ndonjë profesion tjetër. Zgjedhja është e tij.

Komuniteti shqiptar në Austrinë e Epërme është dobët i organizuar

Komuniteti shqiptar ka nevojë për më shumë organizim dhe bashkëpunim. Mendoj se shqiptarët janë komunitet i madh, mbi 30 mijë në Austrinë e Epërme, mirëpo organizimi i tyre lë shumë për të dëshiruar. Do të doja të kisha më shumë kohë t’ju përkushtohem angazhimeve shoqërore, mirëpo e kam shumë të vështirë. Jam në kryesinë e organizatës së mjekëve të përgjithshëm për Austrinë e Epërme, si dhe aktivist në disa organizata të tjera të shoqërisë civile. Jam i angazhuar në shoqatën e teknikëve shëndetësor që kujdesen për njerëzit në kushte shtëpie, jam anëtar i shoqatës së ortopedisë e traumatologjisë dhe kjo kërkon shumë angazhime. Shteti ynë, Kosova, duhet të gjejë forma për organizim më të mirë të komunitetit shqiptar, sepse këtu ka mjaft talente dhe njerëz të vyeshëm, të cilët me punën e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve. Fatkeqësisht, deri më tani shteti i Kosovës nuk ka bërë shumë për diasporën shqiptare në Austri. Mora pjesë në olimpiadën e nxënësve shqiptarë në diasporë, mbajtur në Melk në vitin 2017, organizuar nga konsullata e Republikës së Kosovës. Ndonëse organizimi ishte relativisht i mirë, organizatorët nuk kishin planifikuar që të kenë me vete edhe një mjek, gjë që është jashtë çdo standardi. U ofrova vullnetarisht për t’ju shërbyer këtyre fëmijëve dhe u ndjeva jashtëzakonisht mirë.

Aktualisht i kam përmbushur disa prej ambicieve të mia jetësore dhe jam i kënaqur me ato që kam arritur. Mirëpo, për këtë është dashur shumë punë e përkushtim, sepse më është dashur që krahas punës të studioj dhe të përkushtohem për familjen. Kjo është diçka që kërkon vullnet të jashtëzakonshëm. Ëndrrën time nuk kam mundur ta realizoj në Kosovë, por këtë ma ofroi Austria. Kjo ka qenë shumë e mundimshme, thotë mjeku Sabedin Mustafa, i cili me punë dhe përkushtim ka arritur të gëzojë respekt të madh në shoqërinë austriake.

Mendoj se shteti i Kosovës duhet të ketë kujdes në organizimin e diasporës, sepse komuniteti shqiptar është shumë i madh dhe ka nevojë për vëmendje shtetërore. Nëse autoritetet e Kosovës nuk gjejnë mënyra për të stimuluar dhe motivuar mjekët dhe infermierët e vendit, atëherë ekziston rreziku që Kosova të mbetet pa personel mjekësor. Përkrahja e duhur mund të ndikojë që mjekët dhe infermierët të mbeten këtu, sepse në dhjetë vitet e ardhshme mund të ndodhë që shërbimi shëndetësor austriak të ketë nevojë për më shumë mjekë. Kjo do të ndikojë që mjekët tanë të mos qëndrojnë këtu, por të kërkojnë angazhim në vendet e Evropës Perëndimore. Do të doja që sistemi shëndetësor të funksionojë më mirë në Kosovë, e në rend të parë emergjenca, sepse mund të shpëtohen shumë jetë njerëzish. E di që ky shërbim lë shumë për të dëshiruar këtu.

Për angazhimin dhe përkushtimin e tij për diasporën shqiptare, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi i ka ndarë mirënjohje Dr. Sabedin Mustafës në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Po ashtu, kryetari Latifi e ka pritur personalisht në zyrën e tij dhe e ka falënderuar e përgëzuar për arritjet e tij jetësore, si dhe për dhurimin e një enciklopedie në gjuhën gjermane me njëzet e katër vëllime.

Bisedoi: Qemajl Krasniqi

Më Shumë

Zvicra “zbut” tensionet, asnjë masë sigurie shtesë ndaj Serbisë, Xhaka udhëton rregullisht me ekipin

Të shtunën në mbrëmje në Leskovac të Serbisë, kombëtarja serbe do të presë Zvicrën, në ndeshjen e vlefshme për raundin e 3 të Ligës...

Shoqata e Gazetarëve në Prizren organizon mbledhje përkujtimore për gazetarin Myrfet Shasivari

Shoqata e Gazetarëve në Prizren do të organizojë një mbledhje përkujtimore në nder të gazetarit Myrfet Shasivari. Mbledhja do të mbahet të mërkurën, në orën...

Lajmet e Fundit