Hilmi Zena, ish-bashkëshorti i tani të ndjerës, A. M, është deklaruar i pafajshëm në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, pasi që ky rast është kthyer në rigjykim.
Zena akuzohet për veprën penale shkelje e detyrimeve familjare, nën dyshimet se në korrik të vitit 2011, tani të ndjerën nuk e kishte dërguar te mjeku dhe si pasojë e gjakderdhjeve të mëdha ka humbur jetën.
Pas kthimit të rastit në rigjykim dhe pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari Zena, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën që ngarkohet.
Në seancën e së martës, është dëgjuar edhe eksperti mjekoligjor Flamur Blakaj, i cili ka thënë se vdekja e A.M, ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes.
“Vdekja e tani të ndjerës ka ardhur si pasoj e gjakderdhjes nga pjesa e shqyer e vaginës duke shkaktuar disbalanc ose prishje të balanceve në organizëm të shoqëruar me pamjaftueshmëri të organeve dhe sistemeve të organeve në organizëm me pasojë vdekje”, ka thënë Blakaj.
Gjithashtu, gjatë kësaj seance ka dëshmuar edhe babai i viktimës, Beslim Morina.
Ai ka thënë se fillimisht atij i kishin thënë se vajza e tij ka vdekur nga sulmi në zemër.
“Në ditën kritike në oborrin e spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, vëllai i të akuzuarit kishte deklaruar se vajza ime ka vdekur si pasoj e infarktit në zemër, ndërsa për të vërtetën kam kuptuar vetëm pas tri dite kur të njëjtin e kishte ftuar Stacioni i Policisë në Prizren për të dhënë deklaratë rreth dyshimeve për vdekjen e vajzës”, ka thënë ai.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrec Dodaj, ka propozuar që në seancën e radhës të dëgjohen dëshmitarët, Shemhi dhe Bahrie Zena, prindër të akuzuarit si dhe Gazmend Zena.
Ndërsa, përfaqësuesja e autorizuar e palës së dëmtuar, avokatja Femije Gashi-Bytyqi, ka propozuar që si dëshmitar në seancën tjetër të ftohet edhe një mjek specialist i gjinekologjisë për të dhënë mendimin e tij si dhe të dëshmojë motra e të dëmtuarës, Selvie Morina.
Gjykatësja Ilirjana Hoti, ka aprovuar kërkesat e palëve për tu dëgjuar dëshmitarët e propozuar, derisa seancën e radhës e ka caktuar më 2 tetor 2018, në ora 10:00.
Ndryshe, ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren, më 13 dhjetor 2012 kishte ngritur aktakuzë ndaj Hilmi Zena nga Malësia e Vogël e Komunës së Rahovecit, duke e akuzuar se i ka shkelur në mënyrë të vrazhdë detyrimet e veta familjare ligjore, duke lënë në gjendje të rendë shëndetësore bashkëshorten e tij, tani të ndjerën A. M.
Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që pas gjakderdhjeve që i ka pasur nga organi gjenital mbrëmjen e parë të martesës në shtëpinë e burrit të saj, mes datave 25,26,27 korrik 2011 dhe më 28 korrik 2011, në ora 15:00, A. M kishte vdekur.
Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, më 16 shkurt 2017, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Zena.
Ndaj këtij aktgjykimi kishte bërë ankesë Prokuroria Themelore Gjakovë, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Më 11 prill 2018, Gjykata e Apelit, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë, me ç’rast aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, e ka anuluar dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.