2 C
Prizren
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Chatin Saraçi: 1944, Zogu keq nga trutë,nuk arrin të flejë gjumë

12Kush ishte Zogu? Çatin Sa raçi, ish-diplomat i Admin istratës së Mbretit Zog I, është i njohur për lexuesin shqiptar pas botimit shqip të dorëshkrimit të tij anglisht “Zogu mbret i shqiptarëve. Një histori e jetuar”. Libri, botim i Shtëpisë Botuese “55”, me përkthyes Virgjil Muçin, shoqërohet me një “parathënie” të prof.A.Plasarit, titulluar “Dy fjalë për këtë libër dhe autorin e tij”. Mund të thuhet se botimi i këtij libri “tronditi” opinionin e lexuesve në Shqipëri, sepse autori, Saraçi kishte qenë një mik i ngushtë i Mbretit Zog, i dyshuar madje në shtypin e kohës si Konsull i Shqipërisë në Bari dhe në vrasjen e ish-patriotit të shquar Luigj Gurakuqi më 1925. Dorëshkrimi i botuar, përkundrazi tregonte një histori tepër të rëndë të Mbretit të shqiptarëve, bazuar në njohjen e drejtpërdrejtë të tij. Autori madje e mbyllte shkrimin me urrejtje të paimagjinueshme për Zogun: “Unë, Çatin Saraçi, të akuzoj ty Ahmet Zogu, si tradhtar të Atdheut tënd, si vrasës dhe hajdut”. Siç ndodh me botime të tilla, që vijnë tek lexuesi si kujtime personale të autorëve, libri pati kundërshtarë të shumtë; midis tyre vlen të përmendim historianin T.Frashëri, i cili, pas kërkimeve të ndërmarra në arkivat italiane dhe austriake të kohës, botoi edhe një libër kundër Saraçit, duke e akuzuar atë si gënjeshtar dhe shpifës të rëndomtë, që kërkonte të “përbaltte” pa të drejtë figurën e Zogut.

“Kujtimet”, sigurisht, ndryshe nga burimet arkivore (dokumentet), kanë karakter të theksuar subjektiv, por pavarësisht nga mangësi të tilla, ato mbeten për historianët, burime të rëndësishme për njohjen e figurave dhe ngjarjeve të caktuara historike. Kjo është edhe arsyeja, që po botojmë më poshtë edhe një letër të Saraçit drejtuar mikut të tij Ferid Dervishi, lidhur me Zogun, shkruar më 20 qershor 1944. Letra është me rëndësi, jo aq për të kuptuar opinionin që kishin anglezët për Zogun (për të cilën lexuesi ynë është njohur që më parë nga botimi i prof.A.Putos “From the Annals of British Diplomacy”. Tiranë, 1981); letra vlen për të kuptuar sidomos përhapjen e frymës bolshevike në Shqipëri dhe në Ballkan në përgjithësi në periudhën e luftës dhe rrezikun e ardhjes së pushtetit komunist në këto vende, pas saj.

Dokumenti:
KOPJE KONFIDENCIALE ZYRA E CENSURES SHTETET E BASHKUARA TE AMERIKES 20.7.44 LOR/SE/2189/44 Chatin Pascal Sarachi Senjor Ferid Dervishi 21, Stradford Road, Ish-deputet i Shqipërisë London W.8 Albergo, Londre Cargill Romë Itali SHQIPERIA E LIRE.
OPOZITA NDAJ MBRETIT ZOG/PERHAPJA E KOMUNIZMIT NE SHQIPERI Shkruesi, një shqiptar i ngarkuar me punë në Londër, duke komunikuar me personin e adresuar, i cili me sa duket ka ofruar të bashkëpunojë me mbretin Zog, demaskon mbretin, të cilin e përshkruan si një kriminel që jeton me grabitje. Mbreti ka mbështetjen e disa njerëzve, disa të moshuarve britanikë, që janë të interesuar për Shqipërinë, të cilët e konsiderojnë atë, si një alternativë ndaj komunizmit, i cili po përhapet me shpejtësi në Shqipëri dhe në Ballkan në përgjithësi, duke i bërë këto vende, të jenë nën atë që shkruesi e përshkruan si influencë bolshevike imperialiste, ndaj të cilëve ai është ashpërsisht kundër. Ai thotë se mbreti Zog, që është i diskredituar në Shqipëri dhe nuk ka mbështetje zyrtare nga Britania e Madhe, nuk ka qëllim real për t’u kthyer në Shqipëri dhe vetëm kërkon njohje, me qëllim që të parashtrojë kërkesën për paratë që mori me vete nga Shqipëria. Shkruesi synon t’i kërkojë këto para në emër të qeverisë së ardhshme të Shqipërisë dhe ka filluar procedurat ligjore për këtë qëllim. Ai gjithashtu raporton se Abaz Kupi, një nga udhëheqësit e guerilasve shqiptarë, ka bashkëpunuar me gjermanët kundër komunistëve dhe po mbyll në zarf kopje të një letre të hapur për sir Eduard Boil dhe për të nderuarin z. Obri Herbert, i Shoqatës Anglo-Shqiptare, dhe një pamflet të titulluar “E ardhmja e Shqipërisë”, të shkruara të dyja nga ai vetë, me qëllim për të demaskuar dhe diskredituar mbretin Zog, shkrime të cilat ishin subjekti i Paraqitjes LON/SE/201431/43 LETRA E SARAÇIT PER DERVISHIN KONFINDENCIALE LON/SE/ 2189/44 Përkthim C.SARACHI për Ferid Dervishin, 20.7.44 I dashur Ferid, “Gëzohem që jeni mirë. Mësova se ju aktualisht po shprehni gatishmërinë për të bashkëpunuar me kriminelin e shquar Zog. Ne shqiptarëve, sigurisht na vjen keq që një pirat dhe kriminel si është Zogu duhet ndonjëherë të bëhet kreu i shtetit. Kombe të tjera, më tepër të përparuara sesa i yni kanë pasur të njëjtën eksperiencë. Kam luftuar kundër Zogut me të gjithë fuqinë që kam pasur qysh prej vitit 1928, – ju e dini më mirë se të tjerët në atdhe.

E, kam luftuar hapur dhe në mënyrë të fshehtë. Kam vazhduar luftën prej këtu, për sa kohë që ai kishte ndonjë pikë mbështetje sido që të ishte. Tani që kontaktet e tij bënë mirë që u shkatërruan, unë e kam ndërprerë luftën dhe po pres kohën kur t’i shërbej vendit në disa mënyra të tjera. Nuk jam i interesuar as të kërkoj zyrë apo pagë; përveç një vizite të mundshme të shkurtër, unë nuk do të dukem në atdhe herë tjetër. Mis Durham, që është mbi 80 dhe që ka deklaruar në një letër që më ka dërguar, se ajo e njeh Zogun si kriminel dhe grabitës, thotë, se Zogu mund të jetë i vlefshëm në një ditë në të ardhmen. Ka disa të tjerë që e mbështesin Zogun gjithashtu, si për shembull Sir Ed. Boil, Sir Robert Hoxhson, Sir Xhoslin Persi, por, më i riu ndër ta është 70 vjeç dhe rëndësia e tyre është e kufizuar. Madje edhe këta, më kanë pohuar mua me gojë, se Zogu është një kriminel i rrezikshëm, por japin argumentin, meqenëse komunizmi po rritet në përgjithësi në Ballkan dhe në mënyrë të veçantë në vendin tonë, do të ishte një gjë e mirë të kishte dikë si Zogu në rezervë. Ky është një opinion personal dhe nuk ka asnjë lidhje me F.O., e cila, në kohën kur Zogu arriti, i dha urdhër policisë ta nxjerrë brenda 10 ditëve jashtë Britanisë. Duke përdorur miqtë e tij dhe me mjete të tjera, ai arriti të sigurojë një zgjatje leje në Britani, por kjo zgjatje nuk është e përhershme. Jam i bindur, se Zogun do ta përzënë prej këtej sapo lufta europiane të mbarojë. E vërteta është se komunizmi ka marrë kaq shumë terren në Shqipëri, sa askush nuk e imagjinon se ku do të shkojë kjo punë. Të tilla janë simptomat kudo në Ballkan. Qysh nga momenti kur gjeneral SMUTS mbajti fjalimin e tij të famshëm në nëntorin që shkoi, deklarata e tij se Europa do të ndahej në Perëndim e Lindje, ka qënë në qarkullim të pandërprerë nga shtypi britanik dhe mendoj se është me të drejtë. Kështu që, ballkanasit do të bien në influencën e Rusisë. Rusia, imperializmi bolshevik, ka metodën e saj të shquar të ngritjes së qeverive të favorshme ndaj Moskës. As nacionalistët, as monarkistët e të tjerët nuk kanë vend në shtetet ballkanike. Ne do ta luftojmë të gjithë këtë deri në fund, qoftë kjo Rusia, Gjermania apo djalli vetë. Kushdo që kërkon të kontrollojë Ballkanin, do të shikojë fundin. Perandoria otomane dështoi në Ballkan, perandoria austriake dështoi në Ballkan, perandoria italiane ra në Ballkan – kushdo, që tenton të vërë dorë në Ballkan, kalon në rrezik për vdekje. Agjentët që ju i quani serbë nuk janë të tillë, ata janë rusë, ose përndryshe janë shqiptarë të trajnuar nga G.O.U. ruse. Informacioni juaj është i vjetër dhe i parëndësishëm. Duhet të shkosh në Bari; ky është vendi ku refugjatët herë pas here vijnë nga Shqipëria e dërgohen raporte e gjëra të tjera. Unë marr raporte të shpeshta. Por t’i rikthehemi Zogut, me të cilin ju, po shprehni gatishmërinë të bashkëpunoni dhe me të cilin, ju këshilloni të formohet qeveria. Por si ju duket juve, kur mësoni që Zogu ka jetuar këtu gjatë gjithë kësaj kohe, me 5-6 milionë paunds (grabitja e tmerrshme e marrë me forcë nga shpura e tij) dhe nuk po kërkon të njihet etj….

E vërteta është se të vdekurit nuk ngjallen. Zogu nuk njihet. Ai ka humbur kaq shumë mbështetje këtu sa edhe qytetarët e thjeshtë britanikë nuk duan të shoqërohen me të, pa le pastaj nëpunësit e qeverisë. Ata pak miq të vjetër, për të cilët ju kam folur, se janë të interesuar me problemet e Shqipërisë, e kanë njërën këmbë në varr dhe askush nuk i do ata këtu, veçse për t’u tallur. Kështu që është e nevojshme të njihet ky vend mirë: këtu gjithkush gjen dikë, për të mbështetur dikë tjetër. Fatkeqësisht, këta të moshuar thonë të njëjtën gjë me veten e tyre: Zogu nuk ishte asgjë veçse një figurë e njohur në Shqipëri. E vërtetë, por me disa përjashtime, askush nuk do ta shikojë këtë kryefigurë përsëri në Shqipëri; më mirë të shikojnë djallin më parë. Sa për Abaz Kupin, ju e dini çfarë lloj burri është ai. Nëse do lajme më të fundit nga ato që ke, do t’ju tregoj se si Abazi ka qenë aktiv dhe në emër të kujt. Pak muaj më parë, ai dha një intervistë për korrespondentin e VOELK, BEOBACHTER, i cili thoshte se Abazi po ndihmon gjermanët kundër komunistëve.

Kështu që, ky djalosh po shkatërron bashkatdhetarët tanë me mjete dhe pajisje të furnizuara nga gjermanët, pasi “Zogu është njeriu im”, thotë ai. Personalisht, statusi i tij nuk ka rëndësi, pasi ai ka vetëm 100 bashkëpunëtorë, por kjo histori na tregon aq shumë neve, sa do të ishte harxhim kohe kot për ta shkruar. Qeveria britanike është aq e mirëinformuar në çështjet tona dhe në ato të Zogut, sa ne nuk e imagjinojmë. Ata e dinë se Zogu është i diskredituar në të gjitha anët. Shtypi botëror do të protestonte kundër qeverisë përkatëse të atyre, të cilët do të vendosnin të mbështetnin një person si Zogu. Shqiptarët do të revoltoheshin me sëpata e thika, ashtu si bënë në ditët e Durgut Pashës. Ata pak nga ne, të cilët janë në një pozicion për ta mbështetur atë, janë të pafuqishëm të neutralizojnë një urrejtje të përgjithshme. Këto fakte nuk të lejojnë të spekulohet me Zogun, personin e diskredituar. Jo vetëm që Zogu nuk ka qenë i ftuar nga qarqet e Familjes Mbretërore në vend, por ai nuk ka pasur ftesë nga asnjë tjetër në mërgim. Ky është pozicioni i tij këtu; pas shumë kërkesave, jo vetëm ministrat, por edhe sekretarët e tyre gjithashtu, kanë refuzuar t’i afrohen atij.

Këto fakte tregojnë se Zogu, do të largohet nga ky vend pas lufte, ashtu si të kam thënë. Mehust Konica dhe Dr. Xhemal, për të cilin ju thoni se nuk do të bashkëpunojë me Zogun, apo nuk do t’i dëgjojë emrin t’i përmendet, duket se janë informuar në kohën e duhur. Zogu është keq nga trutë dhe me aq informacion sa mund të marr, ai e kalon pjesën më të madhe të kohës së tij i shqetësuar dhe pa gjumë. Mundohet të kapet pas çdo fijeje kashte, si një njeri që po mbytet. Ai nuk pranon aspak të konsultohet me njerëz të caktuar, që janë pranë tij. Ai jep afër 10 paund, kërkon të marrë informacion dhe të jep udhëzime se si të bësh propagandë për të. Nuk ka qëllim të kthehet në Shqipëri, pasi e di se mund t’ia dalë mbanë nëse hipën në një ata tanket gjigande britanike; nuk ka mënyrë tjetër të hyjë.

Zogu e di më mirë se unë se shpresat e tij kanë vdekur, ai do të njihet, edhe në formë gjysmë zyrtare, thjesht dhe vetëm të sigurojë sekuestrimin e milionave që ka me vete – në kartëmonedha, bizhu apo flori. Por kjo shumë parash, e njollosur me gjakun e atdhetarëve të tij, do të kthehet nga rruga që erdhi. Qeveria e ardhshme shqiptare do të ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Kam përgatitur të gjitha dokumentet dhe raportet dhe avokatët më të mirë të Londrës kanë marrë përsipër ekzekutimin e projektit. Do ta vë të gjithë këtë, në dispozicion të qeverisë së ardhshme shqiptare. Përshëndetje Chatini.

Më Shumë

Edhe Kosova ndalon mandarinat nga Shqipëria

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se po e monitoron situatën pasi Sistemi Evropian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm për ngarkesat me...

Mamusha kërkon nga ASK-ja përmirësimin e disa të dhënave në regjistrimin e popullsisë

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq në cilësinë e kryesuesit të Komisionit komunal për regjistrimin e popullsisë ka kontestuar disa të dhëna të...

Lajmet e Fundit