Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka qëndruar sot në Rahovec, ku është takuar me kryetarin Smajl Latifi dhe kanë nënshkruar katër memorandume bashkëpunimi për projekte në fushën e sportit, në vlerë prej 2 milionë eurosh.
Ministri Gashi dhe kryetari Latifi u dakorduan për katër projekte, të cilat ky i fundit i quajti jetike për sportin. Latifi tha se shpreson që përkrahja e tillë nga ana e MKRS-së të vazhdojë.
Latifi: Tri projekte të rëndësisë së veçantë për Rahovecin
“U dakorduam me të që sivjet, në fund të vitit të japim mbështetjen e plotë, edhe ministri jep mbështetje të plotë që të përmbyllet me sukses faza e tretë dhe përfundimtare e palestrës së sporteve në Rahovec. Pra, biseduam dhe u dakorduam edhe për tri projekte të tjera të rëndësisë së veçantë për komunën e Rahovecit është ndërtimi i stadiumit në qytetin e Rahovecit, ndërtimi i palestrës së sporteve në fshatin Krushë e Madhe dhe ndërtimi i stadiumit të futbollit në Ratkoc”, ka thënë Latifi.
Kurse, ministri Gashi, njoftoi se në kuadër të këtij bashkëpunimi, këtë vit do të finalizohen punimet në palestrën sportive të Rahovecit, të cilat kanë nisur qe shtatë vite. Gashi potencoi që vlera financiare e këtyre projekteve kap shumën 2 milionë euro.
Gashi: Palestra do të përfundoj brenda këtij viti
“Ajo që është shumë me rëndësi, është çështja e palestrës sportive. Ne kemi pas një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me kryetarin që këtë objekt që e ka pas një fat të keq, i cili ka fillu vite më parë dhe natyrisht që nuk ka përfundu deri këtë vit, ne jemi shumë të interesuar që në vitin 2018 ta përmbyllim si projekt, në mënyrë që qytetarëve të Rahovecit, sportistëve dhe sportdashësve t’ia japim në shërbim. Besoj se do të jetë një projekt shumë i mirë, shumë i rëndësishëm, pavarësisht se ka zgjatë, na jemi dakordu të ndajmë mjetet, dhe po ashtu, siç e dini, tashmë aty janë duke punuar në fazën finale”, ka thënë Gashi.
Njëherësh, Gashi ka bërë të ditur se do të investojnë edhe në shtëpinë muze të Ukshin Hotit, duke siguruar një staf aty, si dhe shtëpinë ku janë masakruar qytetarët e Krushës, ku ka thënë se do ta marrin nën mbikëqyrje dhe do ta shndërrojnë në një objekt të kujtesës kolektive.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Gashi ka vazhduar vizitat në Rahovec, ku është ndalur te Palestra Sportive, e më pas edhe te Bodrumi i Vjetër.