I akuzuari për lëndim të lehtë trupor, Mahmut Hoxhaj, është deklaruar i pafajshëm, të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.
Në seancën fillestare, i akuzuari Hoxhaj është deklaruar se nuk ndihet fajtor për veprën penale që i është vënë në barrë.
Ndërsa, për të akuzuarin, Albert Hoxhaj, gjyqtari i vetëm gjykues, Lulzim Paqarizi ka marrë aktvendim që të veçohet procedura penale, pas propozimit të prokurorit të shtetit Ismet Tofaj, me arsye se në bazë të verifikimit të vendndodhjes së tij, nga Stacioni Policor në Malishevë, i njëjti gjendet jashtë vendit, përkatësisht në Itali.
Kurse, i akuzuari Mahmut Hoxhaj, mbrojtësi i tij, avokati Faik Morina e mbështesin propozimin e prokurorit të shtetit Ismet Tofaj, që procedura penale të zhvillohet ndaras nga i akuzuari Albert Hoxhaj.
Gjykatësi Paqarizi, ka udhëzuar të akuzuarin Hoxhaj për të drejtën e tij për të paraqitur kundërshtimet e provave dhe kërkesat për hedhje të aktakuzës, për të cilat gjykata do të marrë aktvendim brenda afatit të caktuar ligjor.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 8 nëntor 2018, në ora 14:30.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur 25 prill 2016, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Albert dhe Mahmut Hoxhaj akuzohen se më 08 dhjetor 2015 në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Ardit Kryeziu, doktor në Shtëpinë e Shëndetit në Kijevë.
Bazuar në aktakuzë, të akuzuarit Hoxhaj duke u koordinuar në mes vete, e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin Kryeziu në vendin e tij të punës, duke e goditur me mjet të fortë metali në krahun e djathtë dhe në shpinë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme.
Në vazhdim të aktakuzës thuhet, se lëndimet ë përshkruara në dispozitiv të aktakuzës i ka konstatuar, Dr. Naim Uka, ekspert mjekoligjor, përmes Akt Ekspertimit Mjekoligjor të datës 07.03.2016.
Me këtë, të akuzuarit Albert Hoxhaj dhe Mahmut Hoxhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” të paraparë me nenin 188, paragraf 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./betimiperdrejtesi/