Halit Krasniqi
Edhe ata që flasin edhe ata që heshtin; edhe ata që po veprojnë sot, edhe ata që po sodisin; edhe ata që kanë një patetikë atdhetare edhe ata që kanë një zhargon nihilist; edhe ata me gatishmëri për ta qethur e arnuar vendin, në emër të një perspektive, edhe ata që duan ta ruajnë atë sipas obligimeve kushtetuese pa krijuar unitetin tonë; edhe ata që janë duke krijuar opinion, edhe ata që po e rrënojnë atë; edhe ata që marrin vendime për të ardhmen tonë, edhe ata që rrinë duke kritikuar ato vendime.
Pa dallim të gjithë jemi në këtë shërbim të turpit. Me dhe pa dashje. Me e pa këtë qëllim. Pa vlerësuar pasojat për veprimet tona konkrete, apo edhe me vetëdije në mision të tillë; qytetarë të devotshëm që nuk dinë të ndihmojnë e të veprojnë si duhet dhe operativistë shqipfolës në role e pozita të ndryshme me instruksione nga qendrat e tyre. Me udhëzues veprimesh për të pushtuar hapësira me ndikime në vendim marrje.
Pavarësisht se ndërgjegjja jonë kombëtare prej krijimit të kombit tonë e deri tani, nuk ka qenë më e zgjuar e me kaq shkëlqim. As arritje më shumë nuk ka zotëruar kombi ynë, asnjëherë në gjithë historinë e ekzistencës së tij. Gjithashtu edhe në krahasim me kombet tjera për rreth, aktualisht.
Kjo gjendje është paradoksale!
Marrëdhëniet ndërkombëtare asnjëherë më shumë se sa aktualisht nuk janë të çakërdisura dhe pa një radius me konsistencë. Harmonia e krijuar për më tepër se një gjysmë shekulli, është duke pësuar trandje. Qendrat që e kanë krijuar dhe që e kanë ruajtur formulën e harmonisë dhe bashkëpunimit për perspektivë në shekullin e kaluar dhe në këtë fillim shekulli, kanë një defekt në funksionimin e tyre. Me qene se është kështu, ky fakt duhet të na bëj edhe më të përgjegjshëm në veprimet tona.
Për fat të mirë të shqiptarëve, në zenitin e atij trendi shkëlqyes, ishin për krah saj dhe ato qendra pa dallim qenë në përkujdesje të plotë të etnisë shqiptare, gati si me një ndjesi amnore. Duke qenë se gara për dominim në glob në fundshekullin e kaluar, kishte nxjerrë triumfues dhe të humbur. Në të dy kampet kishte krijim të strategjive të reja edhe qëndrime e taktika të reja, të cilat nuk ishin gjithë një adekuat me situatat konkrete për ruajtjen e raporteve të tyre. Te triumfuesit ndodhi një ngazëllim dhe gjithashtu edhe një garë jo racionale brenda llojit për përfitime politike.
Humbësit në anën tjetër, nuk u pajtuan me këtë realitet të hidhur për ta. Për këtë gjendje epiqendra humbëse që ishte Moska, ka investuar shumë në një strategji të re në sfera inteligjente me dizajn te pa njohur deri tani. Jo alla talebançe për rrëzimin e ndërtesave, si simbol i arkitekturës së qytetërimit perëndimor dhe për vrasjen e qytetarëve nga mjedisi i Evropës e deri përtej atlantikut, në zemër të SHBA-së.
Por, në aspekte të tjera, për përfitime strategjike. Pa rrënime ndërtesash e pa goditje në jeta njerëzish. Me objektiva shumë përfituese. Objektiv goditës ishin kështjellat triumfale dhe qendrat strategjike. Këto arritje, rruga e tyre dhe protagonistët e mundshëm janë në observim e hulumtime të institucioneve kompetente. Gjithashtu të specializuara me kredenciale inteligjente dhe nga fusha e ligjeve në shtetet përkatëse.
Megjithatë, do të shërbehem me ato të dhëna që janë të njohura botërisht. Asnjëherë në historinë e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, nuk kishte ndodhur që një kandidat me më shumë se 2 milionë votues të pësojë humbje, në sistemin zgjedhor që kërkohet të vulosej nga elektoralët, tek të cilët ishte ndërtuar mekanizmi i një sistemi për të bërë përmbysjen e vullnetit popullor, duke qenë në përputhje me formulimet kushtetuese.
Asnjëherë, mbi pesëdhjetë milionë votues, dominues në votim, nuk i fton askush kundër udhëheqjes së mandatuar me më pak votues, deri në afatet kushtetuese për zgjedhje. Këtë fakt, vendi ynë i copëtuar dhe kombi ynë i ndarë, duhet ta marr si edukim në jetën e vet politike në të dy anët.
Këto zhvillime në përplasje të hidhura të forcave globale që nuk janë në interesin tonë, duhet ta akceptojnë e përvetësojnë, në harmoni të plotë bashkërisht udhëheqja shqiptare në Prishtinë e Tiranë. Pozitë dhe opozitë me respekt reciprok, pa dallim fare.
Opozita nuk mund të falet për këtë indiferencë të zhgënjimeve tona, nëse fërkon duart për të përfituar në këto momente. As nëse bëhet shkëndijë flakëndezëse. Sepse në këto zhvillime nuk do të ketë përfitues. Të gjithë do të jemi të humbur. Për këtë, pozita as opozita, nuk do të amnistohen nga përgjegjësia. Në të dy anët e kufirit londinez.
Prandaj, duhet të ulen bashkërisht me një urgjencë në një nga vendet e mundshme në bregdet. Jo për imazhet impozante që ofron ambienti i tij nga uji e ajri dhe natyra bregdetare për të nxitur reflektimin e tyre për rolin që kanë dhe për të evituar kërcënimet që na vijnë.
Por nëse edhe ky ambient nuk ndikon në reflektimin e tyre, atëherë të bëjnë një veprim të domosdoshëm: O, të mirëkuptohen dhe të marrin vendime në të mirë të vendit tonë të copëtuar dhe në perspektivë të kombit të ndarë, ose le të mbytën në det dhe të lëshojnë radhët për kreativitet që kanë në origjinat e tyre politike!
Pa dallim, në të dy kampet: pozitë e opozitë. Dhe pa dallim nga të dy formacionet e vendit tonë të copëtuar. Ngase, Moska pas LDB, i humbi të gjitha garat me Uashingtonin; ngase e humbi luftën ideologjike dhe garën për dominimin global me objektiva tokësor, ujor dhe në ajër; nga që u lemeris duke soditur bombardimet 78 ditë të një mijë aeroplanëve të NATO-s mbi shtetin më pro rus. Duke përjetuar me ndjesi të hidhur këtë spektakël tekniko teknologjik dhe duke manifestuar këtë mëdyshje pa asnjë aksion me ndikim parandalues, ajo do të ndërtojë një strategji të re, rezultatet e së cilës janë duke e sfiduar aktualisht perëndimin dhe pasojat jemi duke i vuajtur edhe ne. Ngase nuk arriti me lider të ndryshëm për ta mëkëmbur ekonomikisht vendin dhe për të arrirë kthimin e rolit të vet për dominim në glob dhe nga që nuk ia arriti deri sa e nxori nga naftalina e labirinteve këtë lider të lubrifikuar nga mësimet dhe zhgënjimet e teorive dhe praktikave të KGB-së.
Që atëherë, buzëqeshjen ia kanë vrarë duke parë e përjetuar përmbysjen e perandorisë së tij në ngritje e shkëlqim që nga 1917-ta, që kishte dominimin ekonomik, politik, ushtarak e diplomatik në afërsisht gjysmën e Globit në tokë, ujë dhe në hapësirën ajrore për më tepër se gjysmë shekullin e fundit.
Në këto raporte aktualisht dhe në këto zhvillime konkretisht, kur jemi duke e përmbyllur një proces në interes të vendit dhe kombit tonë, asnjëherë nuk kemi pasur një situatë të tillë kaq sensitive në përmasa globale. Ata që flasin dhe që vendosin në emër të vendit tonë aktualisht, me këto veprime pa koordinim e në konfrontim me strategjitë globale të qendrave miqësore, nuk janë në shërbim as të vendit e as të kombit tonë.
Duke mos gjetur formulë uniteti dhe duke krijuar konfrontime në mes veti dhe me të gjithë ata që na ndihmuan për arritjet tona deri tani, jemi në shërbim të Serbisë tmerrësisht dhe jemi kundër vetvetes pa dallim të gjithë, pa vlerësuar vullnetet e akëcilit. Vendimi i NATO-s për ndërtimin e aeroportit më të madh në regjion, është jetik për interesin e kombit tonë. Së bashku me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, përbëjnë një momentum që duhet të na nxis për reflektime globale dhe për përfitime momentale në qëllimet tona për përmbylljen e projektit të Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, si pushimore në stazën për arritje në synimet tona historike. Gjithnjë duke tundur vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë që është i pa dyshimtë e fuqiplotë, në marrëdhëniet ndërkombëtare.