Nga dita në ditë, po rritet numri i qytetarëve tanë që po largohen jashtë Kosovës për të kërkuar një jetë më të mirë, sa më larg vendit. Sipas qytetarëve tanë, kjo po ndodh për shkak të klasës politike të inkriminuar të pasluftës, si dhe për fajin e krerëve të shtetit, duke filluar që nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe liderët e tjerë, Behgjet Pacolli, Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.
Sipas qytetarëve, të gjithë këta pushtetarë u bënë milionerë e dikush edhe miliarder, ndërkaq populli po vuan për mbijetesë. Ata pyesin me të drejtë se ku mbetën edhe punësimet e premtuara gjatë fushatave, se ata do të punësojnë 300 mijë qytetarë, nga një anëtar në çdo familje të papunë, apo të tjera premtime, që nuk janë realizuar nga këta pushtetarë e nga kjo qeveri. Veç saj, qytetarët pyesin se ku mbetën premtimet për liberalizim vizash, premtimet për një ekonomi të zhvilluar.
Sipas tyre, Kosova është bërë vendi ku politikanët tanë po e mashtrojnë popullin sa herë që të duan e nuk japin kurrfarë përgjegjësie, sepse Kosova që nga paslufta është shndërruar në një vend ku de-facto nuk sundon ligji. Taksitë të shumtë në afërsi të stacionit të autobusëve që nuk kanë dashur të flasin e me emër e mbiemër, por as që të fotografoheshin, për gazetën “Kosova Sot” kanë thënë se dy deri në tri herë në javë ka udhëtime nga Kosova për në Kroaci, Slloveni dhe anasjelltas. Të gjithë udhëtarët nga Kosova janë të pajisur me viza pune, kurse lejet e qëndrimit në këto dy vende po i sigurojnë përmes agjencive turistike.
Po ikin nga halli, që t’i shpëtojnë skamjes
Dispeçeri në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, Orhan Gashi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se të gjithë udhëtarët që udhëtojnë nga Kosova për në Kroaci e Slloveni shumica sish janë të pajisur me viza pune dhe leje qëndrimi.“Autobusët në të dyja drejtimet udhëtojnë dy-tri herë në javë relacionin Prishtinë- Kroaci-Slloveni dhe anasjelltas. Zakonisht ata nisen nga peroni numër 7. Unë nuk e di se si këta udhëtarë i sigurojnë vizat edhe lejet e qëndrimit, por një gjë e di, se shumica apo më mirë thënë të gjithë këta udhëtarë janë të pajisur me viza pune dhe me leje qëndrimi në këto dy shtete.
Ndërsa, autobusi i Kompanisë ”Kujtimi” niset rëndom në orën 19.30, kurse në orën 20.30 në mbrëmje niset autobusi i Kompanisë “Vector “. Ndërsa autobusët e këtyre dy kompanive arrijnë në orët e hershme të mëngjesit në Kosovë”, u shpreh ai. I pyetur se a është në dijeni se perse po ikin të rinjtë nga Kosova ,dispeçeri Gashi thotë se nga kontaktet që ka pasur me shumë udhëtarë, ka mësuar se nga dëshira askush nuk e lëshon Kosovën, por kjo po ndodh ngase dikush po ik nga skamja e mjerimi që i ka kapluar, kurse një pjesë tjetër po ikin për një jetë më të mirë.
“Pra, ata janë të detyruar që të gjejnë vende pune ndaj po ikin, sepse po t’i kishin kushtet e mira askush nuk do të ikte nga Kosova, pasi është shumë e vështirë që ta lëshosh atdheun nga qejfi”, potencoi Gashi.
Destinacioni, Sllovenia e Kroacia
Ndërsa, shitësja e biletave në peronin numër 7 në këtë stacion, Fatime Rafuna, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se janë dy kompani nga Kosova që po merren me transportimin e udhëtarëve për në Slloveni dhe në Kroaci. “Ato janë Kompania”Kujtimi” dhe NTSH ”Vector”, që udhëtojnë nga dy herë përkatësisht tri herë në javë të hënave të mërkurave dhe të shtunave.
Zakonisht të gjithë kosovarët që udhëtojnë janë të pajisur me viza kroate dhe sllovene të cilat i sigurojnë vetë udhëtarët. Furnizimi me bileta bëhet në peronin 12”, tha ajo. Shitësi i biletave në peronin 12, Fitim Pacolli, për gazetën “Kosova Sot” thotë se këto dy kompania të autobusëve “Kujtimi” dhe “Vectori”, janë nga komuna e Suharekës. “Numri i udhëtarëve ndryshon nga dita në ditë dhe autobusët zakonisht në Kosovë mbërrijnë në orën e hershme të mëngjesit, kurse për në Kroaci e Slloveni udhëtojnë në mbrëmje”, theksoi ai.
Qytetari nga Barileva e Prishtinës, Sami Leci, ish i burgosur politik në demonstrata e vitit 1981, i dënuar me disa vite burg, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se kjo nuk është aspak Kosova e idealeve tona, andaj qytetarët po ikin dhe e tëra kjo po ndodh sepse në Kosovën e pasluftës për qytetarët tanë nuk ka mbetur asnjë lloj perspektive, prandaj rinia dhe qytetarët tanë po ikin nga Kosova.
“Po e them lirshëm dhe pa asnjë hezitim se e tëra kjo po ndodh për shkak të klasës politike të inkriminuar të pasluftës, si dhe për fajin e krerëve të shtetit, duke filluar që nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe liderët tjerë partiakë, Behgjet Pacolli, Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti”, u shpreh ai.“Të gjithë këta pushtetarë u bënë milionerë e dikush edhe miliarder, ndërkaq populli po vuan për mbijetesë.
Prandaj, unë si qytetar i këtij vendi pyes se ku mbetën punësimet e premtuara gjatë fushatave, se ata do të punësojnë 300 mijë qytetarë, nga një anëtar në çdo familje të papunë apo të tjera premtime që nuk janë realizuar nga këta pushtetarë e nga kjo qeveri”, vijoi më tej Leci.“Qytetarët tanë po ikin jashtë vendit, sepse ata më nuk u besojnë politikanëve tanë se do të kemi liberalizim vizash, se do të kemi një ekonomi të zhvilluar. Prandaj, unë nuk ngurroj të them se Kosova është bërë vendi ku politikanët tanë po e mashtrojnë popullin sa herë që të duan e nuk japin kurrfarë përgjegjësie, sepse Kosova që nga paslufta është shndërruar në një vend ku de-facto nuk sundon ligji”, ka vlerësuar Leci.
Ndërsa, qytetari nga Prishtina, Adnan Aliu (23), për gazetën “Kosova Sot” thotë se nuk duhet të çuditet askush se përse po na ikin qytetarët tanë.“Kjo po ndodh ngase në Kosovë nuk ka asnjë perspektivë për jetë ndaj po na ikin rinia jonë. Kosovën e ka kapluar krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe qytetarët tanë kanë mbetur pa asnjë shpresë në saje të pushtetarëve tanë të korruptuar, sepse askush nuk largohet nga vendi i vet me dëshirë”, ka thënë Aliu.
Havolli: Emigrimi i të rinjve nga Kosova ndodh me fajin e pushtetarëve tanë
Qytetari nga Klina, Avdullah Havolli, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se i tërë ky emigrim i të rinjve nga Kosova po ndodh me fajin e pushtetarëve tanë. Unë i kam 5 djem dhe dy prej tyre janë në Gjermani dhe të gjithë e kanë mbaruar fakultetin dhe asnjëri nga ta nuk kanë gjetur punë në profesionin e vet, por po punojnë diçka tjetër”. Prandaj, sipas Havollit, i tëri ky migrim i të rinjve po ndodh me fajin e pushtetarëve tanë, që nuk po mendojnë fare për popullin, por vetëm për veten e tyre. Tashmë po duket qartë, andaj e them atë fjalën popullore ‘katundi që duket nuk do kallauz’.
(Kosova Sot)