3.5 C
Prizren
E premte, 29 Nëntor, 2024

Çka po pret LDK’ja

LDK nuk kontribuon asgjë duke u vetëkënaqur me rezultatet e sondazheve që e nxjerrin parti të parë. Nëse nuk dëshiron të bëhet “bisht i askujt” në protesta, atëherë i takon të marrë përgjegjësinë që i takon për të përçuar pakënaqësinë qytetare. T’i ftosh njerëzit për të protestuar në rrugë nuk është marre. Marre është të mbetesh në bisht të zhvillimeve. Duke vegjetuar

Imer Mushkolaj

“Nuk i bëhemi bisht askujt”. Kjo ishte përgjigjja e njërit ndër nënkryetarët e LDK’së, Agim Veliut për Express, kur u pyet nëse partia e tij do t’i bashkohen protestës së thirrur nga Vetëvendosje, me kërkesë rrëzimin e qeverisë.

“Ne e kërkojmë rrëzimin e qeverisë, por jo me këto metoda. Këto metoda nuk janë të pranueshme”, tha Veliu, pa sqaruar se cilat janë tjerat metoda “të pranueshme”.

Në këtë mënyrë, Veliu konfirmoi se LDK nuk e ka ndërmend të ndërmarrë asnjë hap që do të mund të çonte në rrëzimin e qeverisë, veprimet e së cilës zakonisht i kritikon në konferencat e të premtes.

LDK këtë kohë po përjeton momente vetëkënaqësie dhe po e shijon “fitoren” e sondazheve, që po e nxjerrin në vend të parë, si partinë më të madhe. Zyrtarëve të saj sikur po iu mjafton kjo situatë, për të arsyetuar delirin që e ka kapluar partinë, ndërkohë që keqqeverisja vazhdon pa u ndalë nga askush.

Zyrtarë të LDK’së vazhdimisht thonë se kjo parti është institucionaliste, por kjo nuk nënkupton se duhet të vegjetojë pa provuar të gjitha mjetet demokratike për rrëzimin e qeverisë. Protesta është një ndër to.

Ndryshe nga Veliu, deputetja Vjosa Osmani është shprehur se LDK është pro protestave, por nuk i përkrah ato të dhunshmet. “LDK është partia e parë që ka protestuar që nga koha kur kundërshtonte regjimin e Milosheviqit. Ne jemi pro organizimeve në masë. Por assesi nuk jemi për protesta të dhunshme me gaz lotsjellës e mjete të tjera”, ka thënë Osmani.

* * *

Në një situatë të tillë, natyrisht, më shumë zë vend fjala e Agim Veliut. Ai di të reagojë kur ndonjëri nga “të rinjtë” e partisë deklaron diçka që nuk i vjen përshtatit udhëheqësisë së vjetër.

Është e vërtetë se LDK ka organizuar protesta paqësore në vitet ’90. Pikërisht për këtë është absurde që tash LDK nuk shpreh gatishmërinë për protestë, tash kur përballë nuk e ka regjimin e Milosheviqit. Siç ështe absurde që LDK të presë që qeveria të rrezohet me mocion mosbesimi, ndërkohë që vetë e pranon se opozita nuk i ka votat e mjaftueshme.

Askush nuk po thotë se LDK e Vetëvendosje duhet të organizojnë protesta të dhunshme dhe të bëjnë grusht shteti. Por, si partia më e madhe që është, LDK’së i takon të vihet në ballë të protestave masive paqësore, për të përçuar mesazhin e qartë kundër qeverisjes së keqe. Po e përsëris: nuk mjaftojnë konferencat për shtyp, as reagimet në studio televizive e në rrjete sociale.

Pakënaqësia e qytetarëve duhet të kanalizohet dikah, duhet të kanalizohet nga dikush. Nëse nuk e bën opozita, kush duhet ta bëjë?

Më e lehta është të qëndrosh anash dhe të lexosh rezultate sondazhesh që të japin më shumë pikë karshi partive të tjera. Por, kaq nuk mjafton. Aktivizmi politik është më i nevojshëm se asnjëherë. Nëse nuk ka fuqi të organizojë opozitën për mocion mosbesimi dhe t’i sigurojë votat që mungojnë, atëherë le të zgjedh metodë tjetër për të shprehur pakënaqësinë. E ka obligim ta bëjë një gjë të tillë, në radhë të parë për votuesit e vet.

* * *

E dimë. Secila parti politike protestat përpiqet t’i shfrytëzojë edhe për kapital politik, për poenë partiakë, për interesa elektorale. Por, kjo nuk don të thotë se protesta nuk duhet organizuar. Protestat janë të nevojshme, janë të domosdoshme. Të protestojë kundër korrupsionit, hajnisë, nepotizmit, të protestojë kundër keqqeverisjes është detyrë e secilit qytetar që ka zgjedhur të jetojë në këtë vend. Dhe jo vetëm.

LDK mund të vazhdojë vegjetimin, duke mos marrë përgjegjësi për asnjë proces në vend, por kjo nuk është zgjidhja e duhur.

LDK e di se në çfarë situate u gjend në fillim të qeverisjes së kaluar, kur dhjetëra mijëra vetë braktisën vendin. Njësoj po ndodh edhe tash, madje në përmasa edhe më të frikshme.

Në situatën në të cilën gjendet vendi, LDK e asnjë parti tjetër opozitare, e as shoqëria civile nuk e kanë luksin të sillen si skandinavë.

Vetëvendosje tashmë ka nisur organizimet nëpër komuna për t’iu kundërvënë me protesta qeverisë. Pavarësisht se qëllim mund t’i ketë edhe përfitimet elektorale, pyetja themelore që duhet shtruar është: a ka nevojë për protesta? Nëse përgjigjja është pozitive, atëherë nuk ka asnjë arsye që të mos reagohet, të mos protestohet. Nëse LDK çdo ditë na tregon se sa keq po qeveriset vendi nga ky koalicion, se sa ka korrupsion e nepotizëm, nuk ka kurrfarë arsye të hezitohet për të protestuar. Në këtë rast, pyetja legjitime është: çka po pret LDK’ja?/Gazeta Express/

Më Shumë

Malisheva merr një fitore të vlefshme ndaj Dukagjinit

Malisheva ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 në shtëpi ndaj Dukagjinit në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të në Albi Mall Superligën...

Zemra e Forcës

Shkruan: MSc. Shaban Osmanollaj (Kushtuar Ditës së Forcës) Nga dheu i djegur, ku gjaku mbin, Nga malet e lirisë, ku dëshmorët rrin, Lindi një forcë, si flakë mbi...

Lajmet e Fundit