Bekri Murselaj
Libri poetik “Gur i pathyer” i poetit Murat Gashi, vjen në letërsinë shqipe si një kërkesë e subjektit lirik duke plotësuar një dashuri ndaj shoqërisë dhe atdheut, dhe një brengë poetike të subjektit lirik. Libri në fjalë hap një horizont të gjerë të mendimeve personale, që njëherësh e preokupojnë subjektin brenda në shpirt, por bota e mendimit të subjektit udhëton nëpër oazën e jetës, duke shijuar çdo moment të jetës, si vetminë, trishtimin, mallin, etj.
Ky libër poetik ka një strukturë të ndërtimit në cikle, duke u ndarë në cikle poetike e që është karakteristik e këtij libri ku ndarja e çdo ciklit bart në vete dhe një mesazh të caktuar, pra, secili cikël është botë në vete, për të mos thënë që çdo poezi e frymon në mënyrë estetike idenë e subjektit dhe e mbush përplot me ngjyrime stilistike poezinë e tij.
Libri poetik “Gur i pathyer” ndahet në katër cikle poetike, të cilat cikle e ndërtojnë mendimin poetik të poetit Murat Gashi, ku shfaqet bota e tij e brendshme në momente të caktuara. Ciklet poetike “Mos ma ndotni hajrin”, “Pafajësia e arratisë”, “Krismave të lirisë”, “Frymë lirie”, përbëjnë gjithë poetikën e librit “Gur i pathyer” ku në secilin cikël mendimi poetik vetëm sa forcohet edhe më shumë duke u shprehur me ndjenjat më të mëdha shpitërore, ku në ciklin e parë simbolizohet vetmia, duke u ndjerë aq prezente në botën poetike që njëherësh bëhet edhe elementi kryesor në këtë cikël, aty vetmia shfaqet aq hapur dhe aq fuqishëm sa që dëshiron të pëballojë gjithçka në çdo rast.
Në ciklin e dytë kemi të bëjmë poezi okazionale (të rastit), kur këtu në këtë cikël përjetohet çdo situatë e cila ndodh në realitet në shoqëri; cikli i tretë hap një botë tjetër që gjithësesi lidhet ngushtë gjendjen dhe të kaluarën e shoqërisë tonë nëpër vite, duke sjellur llojin e poezive përkushtuese (për dëshmorët e kombit) që këta burra të dheut aq shumë i dhanë atdheut; ndërsa cikli i katërt është cikli që e bart një mision shekullor duke ia hap rrugët lirisë, pas një përfundimi të një kohe të brishtë. Në këtë cikël rriten shpresat ujiten ndjenjat për misionin e shenjtë (jetën).Pra, libri poetik “Gur i pathyer” i poetit Murat Gashi, ngërthen në vete shumë ndjenja që në këtë rast subjekti lirik i përjeton fuqishëm, por dhe i tejkalon me mënyrën dhe njohuritë më të mira shumë situatave të padëshiruara.
Cikli i parë “Mos ma ndotni hajrin” në radhë të parë shfaq një urdhër ku dhe fjalia është në mënyrën urdhërore, por në mendimin poetik në këtë rast përbën një metaforë që brenda ciklit shtrihet kjo figurë në secilën poezi të këtij cikli. Këtu gjithçka përjetohet në botën emocionale të subjektit që kjo botë emocionale shumë herë është një mospajtim i vazhdueshëm me rrethanat të cilat ndodhin, por dhe me vetë shoqërinë në përgjithësi. Në këtë cikël poetik të gjitha poezitë hapin rrugë për dalje nga një situatë, e cila po ia zenë frymën të gjithëve këtu diskursi poetik, mban ngjyrime emocionale të një mospajtimi të thellë me realitetin.
Figurat letrare metafora dhe ironia e përshkojnë fillim dhe mbarim ciklin në fjalë, duke e fokusuar gjithë përjetimin me një mospajtim të vazhdueshëm.
Kush je ti që ma ndalë frymën
Kush ka të drejtë të më ndalojë
Që ta jetoj jetën si gjithë të tjerët
Në këtë botë?!
Vargjet e lartëpërmendura argumentojnë më mirë qëndrimin poetik të subjektit, ndaj rrethanave në të cilat gjendet ai. Toni dhe ngjyrimi në këto vargje është aq i ngritur dhe mospajtues ndaj problemeve dhe njerëzve të cilët dëshirojnë të sillen ashtu si duan vet. Në këtë strofë demonstrohet më së miri e drejta e gjithëkujt, duke mos u bërë pengesë e askujt dikush.
Mendimi poetik këtu reflekton forcën e brendshme emocionale, që njëherësh rrit qëndrimin poetik të subjektit për të kundërshtuar atë që ia ofrojnë të tjerët. Këtu edhe mëtej thellohet mospajtimi duke ironizuar të gjithë ata që pretendojnë se mund të vendosin edhe për të tjerët.
Cikli “Pafajësia e arratisë” ndërtohet mes poezisë okazionale që në të njejtën kohë bart një dashuri të madhe për fëmijtë dhe trishtimi, po e kaplon shpirtin duke u gjendur në rrethojë, e cila po e torturon shpirtin e butë të fëmijëve dhe të tjerëve.
Me këtë cikël rikujtohet tmerri dhe trishtimi i së kaluarës, që padyshim lenë gjurmë të pashlyera në kujtesën kombëtare. Vetëm kur i lexojmë disa vargje të këtij cikli, do të rikthehemi prapa në kohë, duke rikujtuar të kaluarën e popullit tonë.
Kulmi i shtëpisë thithi të vjellat e hënës
Muret e shtëpisë u puthën me lotin e fëmijëve
Në natën e 29 prillit kur morën arratinë…
Këto vargje, janë shembulli më i mirë për ta përshkruar pamjen në të cilën ka kaluar populli ynë. Këtu përshkruhet hapur momenti kur subjekti lirik në këtë rast gjendet para trishtimit dhe mallit për shtëpinë.
Cikli “Krismave të lirisë” mban në vete poezi përkushtuese për heronjtë dhe të gjithë, ata që u flijuan për të mbrojtë atdheun. Me këtë cikël synohet të bëhet një nder dhe përkushtim ndaj të gjithëve që u flijuan për të mirën dhe lirinë e atdheut.
Cikli “Frymë lirie” hap një epokë të re në këtë libër poetik, të poetit Murat Gashi, duke rifreskuar poetikën me poezi të cilat sjellin frymën e vendit dhe njeriut të lirë. Në këtë cikël portetizohet vendi dhe njeriu i lirë, ku vetë titulli i ciklit, orienton lexuesin nga një ndryshim, poetik që do të shijon në këtë cikël. Këtu gjithçka përjetohet ndryshe por dhe pa ndonjë presion të dikujt (armikut). Vargjet poetike në vijim sjellin vizionin e lirisë.
Udhëtimi yt Iliri
Vazhdon me dashuri
Ringjallet shpresa
Sytw t’i ndritë
Vargjet e paraqituar këtu, udhëheqin lexuesin drejt një gjendjeje tjetër të subjektit, duke e njoftuar me ndryshimet dhe udhëtimi drejt një shprese të re në jetën shoqërore.
Kjo strofë në radhë të parë, të kujton udhëtimin e pandalur deri në këto momente, por dhe pritjen e ditëve më të mira.Libri poetik Gur i pathyer i poetit Murat Gashi, në secilin cikël njofton lexuesin për gjendjen emocionale nëpër të cilën kalon subjekti lirik, por dhe duke mbajtur lexuesin çdo çast afër me ndjenjën nëpër të cilën kalon vet ai (subjekti lirik).