7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mustafa në Therandë: LDK-ja sot, si ajo e Ibrahim Rugovës

IsaMustafa-suharekeKryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha të shtunën në tubimin e parazgjedhor në Therandë (Suharekë) se nga fushata e deritanishme po e sheh qartë rikthimin e fuqisë që e ka pasur LDK-ja në kohën e Ibrahim Rugovës. Ai theksoi se fitorja e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme është e sigurt edhe në Therandë, në Prizren, në Rahovec dhe në Malishevë.

“Kjo LDK, të cilën po e shoh sot këtu është LDK-ja e Ibrahim Rugovës, janë qytetarët e përkushtuar ndaj veprës së Ibrahim Rugovës, të cilët e nderojnë punën e Ukë Bytyçit, prandaj, në këtë atmosferë, me këtë vullnet tuajin për LDK-në, ju ftoj që më 3 nëntor të vendosim në interes të Kosovës, që edhe në këtë komunë të qeverisë LDK-ja”, tha Mustafa.

Sipas tij, është e rëndësishme që LDK të shënojë fitore të ndjeshme në Therandë, në Prizren, në Rahovec e në Malishevë, që të zhvillohet bashkëpunimi ekonomik me Shqipërinë dhe të përshpejtohet integrimi shqiptar.

Mustafa, i cilësoi si punëtorë të mëdhenj qytetarët e Therandës, duke theksuar se e tërë Kosova krenohet me punën dhe sukseset e tyre, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

“Këtu ne e ndjejmë zhvillimin, sepse ju keni qenë të zotët që ta zhvilloni vendin. Ne mburremi me punën tuaj dhe të atyre që jetojnë jashtë Kosovës. Njerëzit që jetojnë nga puna e tyre, që e ndërtojnë Therandën, janë njerëzit me të cilët krenohemi. Janë të pakorruptueshëm, sepse jetojnë nga puna e tyre dhe ky qytetërim është filozofia politike e LDK dhe ju e keni vendin në LDK”, u tha kryetari Mustafa qytetarëve të Therandës. Sipas tij, vota për LDK-në në Therandë dhe në tërë Kosovën është besim në perspektivën zhvillimore të vendit, qeverisjen e përgjegjshme dhe transparente.

“Fitorja jonë në këto zgjedhje na e siguron edhe fitoren në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe mundësinë për ta qeverisur Kosovën, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës”, theksoi Mustafa.

Kandidati i për kryetar të LDK-së në Therandë (Suharekë), Sali Asllanaj, ndërkaq, u shpreh i bindur se LDK-ja do të jetë sërish bastion i kësaj partie dhe ndjekëse e filozofisë politike të Presidentit Ibrahim Rugova për qeverisje në funksion të interesave të qytetarëve.

“Përparësitë e programit tonë qeverisës qëndrojnë në zhvillimin e një administrate efikase dhe profesionale, në avancimin e politikave biznesore, qasjen kreative ndaj të rinjve, shërbimet efikase shëndetësore, arsimin cilësor dhe përmbajtjesor, stimulimin dhe subvencionimin e bujëqsisë, si dhe në prosperimin e kulturës e të sportit, duke mos lënë anash as infrastrukturën dhe mbrojtjen e ambientit”, tha Asllanaj. Ai tha se do ta respektojë në tërësi filozofinë politike të LDK-së që biznesin ta stimulojë përmes politikave fiskale, duke i shkelur, sikur tha ai, “manitë qeverisëse të haraqit e të tenderëve politikë që e ngulfasin zhvillimin tonë ekonomik”.

“Çdo i ri nën moshën 30-vjeçare që hap një biznes do të lirohet për dy vjet nga çfarëdo takse komunale, si lehtësim për mëkëmbjen e biznesit të tij”, tha Asllanaj. Ai u premtoi qytetarëve të komunës së Therandës se kriteri i punësimit përmes politikës do të zëvendësohet me kriterin e aftësive profesionale e pedagogjike në sistemin tonë arsimor.

Asllanaj tha se në mandatin e tij qeverisës, fermerëve do t’u ofrojë lehtësira në zhvillimin e veprimtarive të tyre përmes stimulimit dhe subvencionimit me 2 milionë euro.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë me bashkëpunëtorët e mi, do t’ju oforjmë gjatë mandatit të ardhshëm, një qeverisje që nuk bazohet në krim e në haraq, në tenderë politikë e korruptivë, por në zhvillim cilësor në funksion të përmirësimit të jetës së qytarëve”, tha Asllanaj.

Në tubimin parazgjedhor të LDK-së në Therandë u prezantuan edhe kandidatët për këshilltarë komunalë, të cilët janë të profileve të ndryshme, të përgjegjshëm dhe të përkushtuar për t’u shërber qytetarëve. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Glauk Konjufca bëhet baba për herën e tretë

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se sot është bërë baba për herë të tretë. Ai ka bërë të ditur se është...

Suharekë, institucionet lokale apelojnë për festime dinjitoze dhe pa krisma

Në takimin e fundit të Koordinimit Lokal për Siguri për këtë vit, të kryesuar nga nënkryetarja e Komunës së Suharekës, Mihrije Suka, u diskutua...

Lajmet e Fundit