Kandidati i PDK-së për deputet, Shaqir Totaj beson se qytetarët kanë shumë arsye që ta votojnë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Ai, tregon se karriera e tij është ndërtuar mbi bazën e profesionalizmit.
“Unë jam profesionist i dëshmuar. 36 vite përvojë në menaxhment, në poste të ndryshëm”, tha Totaj për “PrizrenPress”.
“Përveç kësaj kam kualifikime formale nga Universiteti prestigjioz i Washingtonit. Kam përvojë, dije, guxim dhe aftësi për t’u marrë me sfidat qoftë në nivel të Prizrenit, qoftë të Kosovës”.
Totaj në zgjedhjet e fundit lokal ka qenë kandidat i PDK-së për kryetar të Prizrenit.
Sivjet është zgjedhur kryetar i Degës së PDK-së në këtë qytet.
“Pas kandidaturës sime për kryetar të Komunës në vitin 2017, që është pritur mirë dhe sidomos pas zgjedhjes sime për kryetar të degës së PDK-së në Prizren, e kam vlerësuar se hapi i ardhshëm pothuajse i natyrshëm është të kandidoj për deputet”.
“Për qytetarët do të kujdesem që të ketë sundim të ligjit, transparencë, veprime anti-korrupsion, si dhe të kemi orientim Euro- Atlentik në nivel shtetëror”.
“Politikanët më shumë duhet të mendojnë për gjeneratat e ardhshme se sa për zgjedhjet e ardhshme. Këtë e them në parim, kurse në veçanti duhet pasur sensibilitet më të madh karshi problemeve të qytetarëve të cilët duhet trajtuar në kuadër të mundësive dhe me prioritet”.
Totaj fton qytetarët që të votojnë Kadri Veselin për kryeministër të Kosovës.
“Kadri Veseli duhet votuar sepse ai është personi i duhur për të zhvilluar më tutje axhenden anti- korrupsion dhe anti- nepotizëm, si dhe për t’ ju prirë proceseve dhe sfidave, jo të lehta që na presin në të ardhmen”.
“ Ka kurajë, guxim, vendosmëri dhe fuqi vendimmarrëse së pari brenda partisë së tij e kjo tregon se do të ketë edhe në qeveri si kryeministër i ardhshëm”./PrizrenPress.com/