Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka e ka çmuar lartë figurën e gazetarit, dramaturgut dhe arsimtarit që ndërroi jetë, Nexhip Menekshe.
Sipas tij, Prizreni ka humbur shumë me vdekjen e Nexhipit.
Postimi i plotë
Nexhip Menekshe shkoi herët. Ai në këtë periudhë që ka kaluar me neve ka dhënë shumë për rrethin, qytetin dhe gjithë Kosovën. Ai ka qenë ndër dramaturgët e rrallë, gazetar, arsimtar i gjuhës rome, drejtor i radios “Romano Avazo”, drejtor i shoqërisë kulturo-artistike rome “Durmish Asllano” dhe gjëja më e rëndësishme ndoshta në jetën e tij, ai ka qenë një aktivist i palodhur për të drejtat e romëve dhe për zhvillimin e Kosovës në përgjithësi.
Në takimet që i kemi pasur me komunitetin rom, kemi gjetur gjithmonë gjuhë të përbashkët me zotin Nexhip Menekshe për projektet të cilat janë për të mirën e jo vetëm të komunitetit rom, por edhe të Prizrenit në përgjithësi. Prandaj, humbja e tij e hershme, është humbje jo vetëm për komunitetin rom, por edhe për gjithë qytetarët e komunës së Prizrenit dhe gjithë Kosovës.
Janë shumë pak njerëz që punojnë në heshtje, punojnë mirë, në mënyrë profesionale, me etikë dhe mundohen të japin më të mirën prej vetes, për të mirën publike. E një njeri i tillë ishte edhe Nexhip Menekshe. I heshtur, por punëtor. Nuk ka qenë ndoshta gjithmonë në ballë, por ai ka qenë aty prapa shumicës së proceseve që kanë të bëjnë për të drejtat e romëve.
Ashtu siç thotë edhe mbiemri i tij “Menekshe”, Prizrenit i është humbur një lule e cila e ka pasuruar qytetin e Prizrenit dhe komunën e Prizrenit.
Zakonisht njerëzit kur punojnë për të mirën publike, kur punojnë për shoqërinë, kanë shumë pak kohë për familjen, prandaj duhet ta falenderojmë familjen e tij dhe të themi që të jenë krenarë për babain, burrin e për familjarin i cili do të mbahet gjatë në mend si një njeri që ka kontribuar në shumë sfera.
Ngushëllime familjes, ngushëllime komunitetit rom dhe ngushëllime të gjithëve, për humbjen e një njeriu i cili ka kontribuar shumë për shoqërinë tonë dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të Kosovës.
I lehtë qoftë dheu i Kosovës e dheu i Prizrenit, për të cilin aq shumë punove dhe aq shumë e deshte.
Tumen saste!