Vjosa Osmani në Prizren: Unë nuk e shkel besën, kurrë koalicion me PDK-në

“Vjosa, kur keni qenë më parë në Prizren, ne jua kemi dhuruar në mënyrë simbolike ‘Hyjneshën në fron’ dhe ‘Vrapuesen e Prizrenit’. Sonte ne nuk kemi dhurata simbolike! Sonte ne po jua japim besën dhe dashurinë e Prizrenit!”, theksoi kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni, derisa po e prezantonte kandidaten e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre të vendit, Vjosa Osmani, njofton me një kumtesë LDK-ja.

Po ashtu, Quni tha se Prizreni e ka shkaktuar tërmetin e dytë politik, pas tërmetit që u shkaktua ditën e hapjes së fushatës në Prishtinë.

“Deri tani ish-qeveritarët kanë vepruar në Prizren me shantazhe, rrena e haraçe. Por, ju garantoj se më 6 tetor ata do të jenë minoriteti i vetëm në Prizren”, tha Quni, i cili, në emër të prizrenasve i premtoi përkrahjen e plotë kandidates Vjosa Osmani, gjatë një tubimi të mbajtur sonte në Prizren.

Sipas LDK-së, kandidatja për kryeministre e kësaj partie, Vjosa Osmani, është besatuar me banorët e Prizrenit dhe të gjithë Kosovës se nuk do të ketë kurrë koalicion me PDK-në, pas fitores më 6 tetor.

“Mos ua falni asnjë sekondë atyre që janë sinonim i krimit dhe korrupsionit, as atyre që bënin pazare me tokat e Kosovës. Le ta dinë të gjithë këtu në Prizren dhe në të gjithë Kosovën. Kurrë më koalicion me PDK-në! Kurrë me krimin e korrupsionin! Prizrenasit e dinë se kur besatohem se nuk ka koalicion me PDK-në, ashtu edhe ndodh. Unë nuk e shkel besën, kurrë koalicion me PDK-në!”, u tha Osmani qytetarëve të Prizrenit.

Ajo pohoi me bindje se nuk ka asnjë dyshim që ora e ndryshimit po vjen dhe më 7 tetor do të zgjohemi në një Kosovë ndryshe.

“Lidhja jonë ka mbijetuar dhe është më e fortë se kurrë”, tha zonja Osmani.

Duke i komentuar akuzat nga kundërkandidatët, ajo tha se ata kanë mbetur të vetmuar, pa përkrahje qytetare.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, theksoi se liria e Kosovës është kërcënuar seriozisht nga krimi, korrupsioni dhe nepotizmi.

“Demokracia është e lënduar, sepse autokratët po donë me e sjellë kulturën e lindjes në vendin tonë, por LDK-ja nuk do të lejojë një gjë të tillë”, tha Haziri për të shtuar se tubimi në Prizren është dëshmi se LDK do të fitojë më 6 tetor “rrast e fort”.

Më Shumë

17-vjeçari nga Malisheva humb jetën duke punuar në Ulqin

Një rast i rëndë është shënuar të shtunën në Ulqin, ku 17-vjeçari me inicialet E.K., nga Malisheva, raportohet se humbi jetën teksa ishte duke...

Policia bastis një kafiteri në Prizren mbi dyshimin për narkotikë, gjen vetëm një pistoletë

Policia ka bastisur një kafiteri në Prizren ku dyshohej se nga aty shpërndaheshin narkotikë. Lokali është i dy vëllezërve. Sipas Policisë, përveç narkotikëve në lokal...

Lajmet e Fundit