Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prizren akuzon Vetëvendosjen se ka filluar fushatë hakëmarrëse ndaj të punësuarve në sektorin publik.
Sipas këtij subjekti politik, VV po shkon nëpër shtëpi dhe po i kushtëzon edhe qytetarët besimtarë që në emër të Kuranit të betohen se do ta votojnë VV në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Në kuadër të këtij misioni është edhe vizita e xhamive e në veçanti planifikimi i Xhumasë më 4 tetor, në ditën e fundit të fushatës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK ka akuzuar edhe kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka për shkelje të ndryshme, të cilat sipas këtij subjekti politik, po hetohen nga prokuroria.
Reagimi i plotë i PDK-së
Partia në pushtet Vetëvendosja në qytetin e Prizrenit, sa ka qenë në opozitë, veprimtari të vetme ka pas dezinformimin e qytetarëve, duke shpifur lloj-lloj të paqena për qeverisjen e PDK-së. Në emër të këtyre shpifjeve qytetarët i besuan Vetëvendosjes, që ta qeverisë Prizrenin, gjoja në emër të ndryshimeve dhe në emër të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe depolitizimin e arsimit, administratës e të sektorëve tjerë.
Sot, pas gati dy viteve ndryshimet jo vetëm se nuk ndodhën, por mirëqenia e qytetarëve u keqësua, jeta u vështirësua, politizimi u bë i padurueshëm dhe i prekshëm në çdo sektor. Degradimi i qeverisjes së Prizrenit nga Vetëvendosja është më i dukshëm në ditët zyrtare të zgjedhjeve, kur pushteti i bandave të Vetëvendosjes, po mundohen që gjoja me aktivitete në shërbim të popullatës, ta nxjerr në lajthitje qytetarin e Prizrenit.
Por, nuk besojmë se këto mashtrime do të pranohen nga qytetarët e ndershëm, sepse janë duke u bindur për secilën ditë se kreu i Vetëvendosjes është kryetar formal i Prizrenit, që veprim sipas kreut të Vetëvendosjes, për të zhvatur sa më shumë nga djersa e popullit, duke bërë me dhjetëra shkelje, me dhjetëra nënshkrime të tenderëve sipas sugjerimeve. Këto ditë prokuroria ka filluar hetimet për skandalet me tenderë, por janë edhe dhjetëra skandale, që po presin të bëhen publike.
Në frymën e skandaleve, po vazhdon edhe arsimi në Komunën e Prizrenit, edhe pas një muaji prej se ka filluar mësimi, nuk është zgjidhur problemi i famshëm i anulimit të konkursit, ku mbi 70 mësimdhënës, janë duke u ankuar nëpër organet e drejtësisë, janë me dhjetëra shkolla ku ende nuk kanë mësimdhënës të mjaftueshëm për ta zhvilluar procesin mësimor dhe janë me qindra orë mësimore të humbura.
Por, këto ditë prej se ka filluar fushata zyrtarisht për zgjedhjet nacionale, pushteti i Vetëvendosjes, ka nisë ta shtoi presionin ndaj mësimdhënësve, drejtuesve të shkollave, me të vetmin arsyetim pse ata mendojnë ndryshe nga partia në pushtet. Format e presioneve janë nga më të ndryshmet. Në këto ditë fushate, Mytaher Haskuka ka zgjedhur që t’i përurojë punimet e papërfunduara, që t’u hedhë hi syve qytetarëve se gjoja po punon pushteti i Vetëvendosjes.
Gjithashtu aktivistët militantë të Vetëvendosjes, kanë nisë fushatë hakmarrëse ndaj të gjithë të punësuarve në sektorët publikë, që janë pjesë e subjekteve tjera që t’i vëzhgojnë dhe t’i përcjellin. Kjo mënyrë e veprimit diktatorial është tipike komuniste ashtu siç është edhe programin komunist i Lëvizjes Vetëvendosjes.
Të theksojmë vetëm kamuflimin e kësaj partie mashtruese, e cila po shkon nëpër shtëpi dhe po i kushtëzon qytetarët besimtarë që në emër të Kuranit të betohen se do ta votojnë VV dhe me këtë mision është edhe vizita e xhamive e në veçanti planifikimi i Xhumasë më 4 tetor, në ditën e fundit të fushatës. Por, populli i Prizrenit e ka kuptuar hilen e Vetëvendosjes, se besimin Islam, VV po e përdor vetëm për vota, sepse një subjekt politik me pikëpamje komuniste, si mund të jetë e interesuar për fenë, por në esencë është kundërshtare e saj.