Opozita në Prizren konteston konkursin për punësimin e mësimdhënësve

Shpallja e konkursit nga Komuna e Prizrenit për punësimin e mësimdhënësve në fillim të kësaj jave ka ngjallur reagimin e opozitarëve, sikurse edhe të kandidatëve të pranuar në konkursin e shkuar që ishte anuluar nga organet komunale. Lidhur me këtë çështje, të mërkurën, ka reaguar edhe ish-drejtori i Arsimit, Gani Gërmizaj, duke theksuar në rrjetet sociale se deklaratat e kryetarit Mytaher Haskuka përmbajnë të pavërteta.

Ai ka shprehur qëndrimin se derisa ka qenë në pozitën e drejtorit ka pranuar kërkesat e shkollave fillore dhe të mesme për personel dhe se bazuar në to është shpallur konkursi në fillim të muajit korrik, në përputhje me dispozitat e Ligjit për arsimin parauniversitar, udhëzimet administrative, Ligjin e punës dhe normativit. Sipas tij, Haskuka është njoftuar vazhdimisht për konkursin dhe kërkesat nga shkollat për pozitat e lira në arsim. Në të njëjtën kohë ka shtuar se rishpallja e konkursit për mësimdhënës është shoqëruar me shkelje ligjore, shkruan sot Koha Ditore.

“Anulimi i konkursit nga Haskuka është bërë duke u thirrur në Ligjin parauniversitar, ndërsa në konkursin e rishpallur nga ana e Zyrës Personelit – DKA-së përveçqë është i paligjshëm, nuk përmendet Ligji parauniversitar. Shihet se ka edhe shkelje të tjera ligjore, manipulime etj.”, ka shkruar ai. Gërmizaj ka bërë të ditur se kryetari Haskuka ka qenë i informuar për të gjitha problemet ekzistuese në DKA dhe se nuk i ka zgjidhur ato, por vetëm ka fajësuar nivelin qendror, dhe se “asnjëherë s’ka pasur një takim të vetëm qoftë me ministrin e Arsimit apo me atë të Financave për të gjetur një zgjidhje”.

Ish-zyrtari i lartë komunal ka akuzuar Haskukën se me vënien e theksit te DKA-ja po mundohet me i mbulua keqpërdorimet dhe punësimet e padrejta në drejtoritë e tjera. Në fund të reagimit, Gërmizaj ka shprehur bindjen se kryetari është përgjegjës për mijëra orë mësimore të humbura.

Më Shumë

Dyshohet se lejuan kundërvajtësit të largohen pa masa ligjore, IPK rekomandon suspendimin e tre policëve në Prizren

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës ditë më parë kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore lidhur me veprimet/reagimet policore ku dyshohet se janë...

Kurti në Prizren falënderon aktivistët e LVV-së për fushatën zgjedhore

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë në Prizren, ku ka falënderuar aktivistët dhe aktivistet e Lëvizjes Vetëvendosje për angazhimin...

Lajmet e Fundit