Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu, sot së bashku me drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Xhevat Elezkurtaj, kryeshefin e Mjekësisë Familjare, Arsim Berisha, si dhe kryeshefin e Njësisë së Shërbimit Urgjent, Gylxhan Hasani, organizuan konferencë të përbashkët për shtyp, për të njoftuar opinionin publik lidhur me tri tema të ndryshme nga fusha e shëndetësisë, që i përket nivelit komunal.
Në këtë konferencë u diskutua furnizimi i Drejtorisë së Shëndetësisë me medikamente nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, pastaj furnizimi me vaksina kundër gripit dhe në fund u dhanë sqarime për sfidat në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bankës Botërore për fondin e performancës.
Sa i përket furnizimit me medikamente, drejtori Shehu tha se furnizimi i tyre bëhet nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa Drejtorisë komunale të Shëndetësisë i takon ta bëjë planifikimin vjetor. Sipas këtij planifikimi, Komuna e Prizrenit për vitin 2019 është dashur të furnizohet me medikamente në vlerë totale prej 450,061.13 euro, mirëpo një gjë e tillë nuk është realizuar në tërësi, pasi që vlera e deritashme e furnizimit është 38,398.95 euro më pak se ajo e planifikimit.
Në këtë sasi, numri më i madh i medikamenteve përbëhet nga insulinat, për të cilat furnizimi është i rregullt, mirëpo problemi qëndron tek medikamentet e tjera për të cilat mungon furnizimi.
Për ta tejkaluar këtë problem, Drejtoria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë me një operator ekonomik, që e furnizon ate me vlerë prej 60 mijë euro në vit me medikamente dhe 60 mijë euro të tjera për materiale shpenzuese mjekësore. Megjithëse nëpërmjet kësaj kontrate është gjetur një zgjidhje alternative për furnizim me medikamente, drejtori Shehu bëri apel që furnizimi sipas planifikimit nga ana e Ministrisë të realizohet në tërësi dhe sa më shpejt, në mënyrë që mos të shpenzohet buxheti komunal.
Sa i përket temës së dytë për furnizim me vaksina të gripit, u bë e ditur se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është dashur ta furnizojë drejtorinë komunale në fillim të muajit tetor, por një gjë e tillë ende nuk është realizuar dhe për shkak të kësaj vonese, ka pasur edhe kërkesa dhe ankesa të shumta nga qytetarët.
Për këtë çështje Drejtoria e Shëndetësisë është në pritje të furnizimit prej një sasie prej 5500 vaksinave (2000 më shumë se vitin e kaluar) dhe në momentin kur do të realizohet furnizimi, do të jepet njoftimi i menjëhershëm për ta informuar opinionin publik.
Krej në fund, lidhur me temën e tretë për fondin e performancës, drejtori Shehu tha se sipas kësaj marrëveshjeje të nënshkruar në muajin maj të vitit 2019, Komunës së Prizrenit i ka takuar 2.4 euro për çdo pacientë të kontrolluar gjatë vitit 2018, që në total i bie që Komuna të ketë përfituar 537,184 euro.
Kjo shumë megjithëse është paraparë të alokohet në tërësi deri më 28 korrik të vitit 2019, Drejtoria e Shëndetësisë së fundi është njoftuar se alokimi i kësaj shume nuk do të mund të bëhet sivjet dhe për këtë arsye drejtoria në fjalë nuk do të mund t’i realizojë planifikimet e saja të bëra në bazë të këtij fondi.