Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë e Shtetit, lidhur me kallëzimin penal, që ai dhe bashkëpartiaku i tij, Glauk Konjufca, e kanë ushtruar ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Ky kallëzim penal, ishte ushtruar më 25 prill të vitit 2019, pas dëshimve që Thaçi dhe Veseli kishin dhënë në gjykimin e rastit “Syri i Popullit”, në të cilin 10 persona akuzohen për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dy figurat kryesore të “Vetëvendosjes”, Kurti e Konjuca, pretendojnë se Thaçi e Veseli, kanë kryer veprën penale të deklarimit të rremë nën betim.
Thaçi dhe Veseli, gjatë dëshmisë së tyre, në dhjetor të vitit 2018, ndër të tjerash kishin deklaruar se mbrapa organizatës “Syri i Popullit”, qëndrojnë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Pas daljes nga prokuroria, Albin Kurti, ka deklaruar se presidenti Thaçi dhe Veseli kanë bërë deklarim të rremë nën betim, kur kanë dëshmuar në këtë rast.
Ai ka thënë se pret që ky kallëzim penal të shndërrohet në aktakuzë dhe se pret se Thaçi e Veseli të dënohet për një vepër të tillë.
Ai ka thënë se e ndien veten të dëmuar dhe se ka paraqitur edhe kërkesë pasurore juridike.
“Ne kemi bërë këtë kallëzim penal se kanë dëshmuar rrejshëm nën betim, duke na lidhur neve me ‘Syrin e Popullit’. Edhe 10 ditë bëhen 1 vit që Thaçi dhe Veslei kanë deklaruar se Vetëvensosje është krahu i armatosur i ‘Syrit të Popullit’, dhe jemi ne të dy që jemi marr me shkrim të deklaratave të UÇK në 99, mandej se kemi inspiruar dhe udhëhequr atë organizatë. Është për tu çuditur si prokurori në atë koheënuk ka reaguar fare, madje Thaçi ka thënë se do t’i zgjerojë akuzat për Kurtin dhe Konjufcën. Më në fund ne fituam këtë ftesë nga Prokuroria dhe me vjen mirë që pata rastin t’i përgjigjem pyetjeve të prokurorisë për këtë kallëzim penal që pres të shndërrohet në aktakuzë për deklarimet e rreme që i kane dhënë. Ky proces unë besoj se duhet të përfundoj me dënim për këta dytë. Unë kam bërë edhe këreksën për zhdëmimtim, pra kërkesë pasurore juridike”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 28 dhjetor 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte qenë i ftuar si dëshmitar në gjykimin e rastit “Syri i Popullit”.
Fillimisht, një pjesë e dëshmisë së tij, kishte qenë e hapur për publikun, më pas ajo ishte mbyllur.
Gjatë dëshmisë së tij, kishte thënë se Murat Jashari nuk din të shkruajë, prandaj kishte thënë se kishte dëgjuar nga miqtë e tij se prapa Jasharit, qëndrojnë Albin Kurti, Sadri Ramabaja dhe Glauk Konjufca.
“Unë nuk kam kthyer përgjigje se kam besuar dhe dëgjuar prej miqve të afërm që e njohin Muratin se ai nuk din me shkru dhe më pas kam dëgjuar se pas këtyre veprimeve kriminale qëndrojnë Sadri Ramabaja, pastaj Glauk Konjfca dhe Albin Kurti”, kishte thënë presidenti Thaçi, në dëshminë e tij.
“Nëse më lejohet do të kisha theksuar se ku e bazoj dëshminë time për këtë organizatë kriminale, është kur i kam dëgju me vesh të mi Kurtin dhe Glaukun kur kanë thanë këta njerëz duhet me i vra se ndryshe nuk hiqen prej pushtetit”, kishte thënë tutje Thaçi.
Ai kishte thënë se më herët kishte pasur indikacione dhe informacione se prej nxitësve të autoriteteve apo të armiqve të ardhur nga Serbia, ka pasur kanosje.
Thaçi kishte thënë se për “Syrin e Popullit”, ishte informuar prej autoriteteve shtetërore pak ditë dhe javë para se të ndodhte rasti ndaj Azem Vllasit.
“Unë e kam përjetuar rëndë, edhe familja. Shteti ka marrë masa që i ka në diposzicion me ligj dhe kushtetutë. E njoh të akuzuarin Sadri Ramabaja, me të nga ana ime nuk kam pasur mosmarrëveshje me të, por nga shkrimet që kam parë ka pasur një pozicion armiqësor ndaj meje. Për Murat Jasharin kam dëgjuar, por fizikisht nuk e kom njoftë”, kishte thënë Thaçi.
Para se Presidenti të niste dëshminë e tij, trupi gjykues kishte marrë vendim që mediat të mos lejohen të incizojnë me audio ose video dëshminë në gjykatë të të parit të vendit, edhe pse prania e mediave në sallë ishte lejuar.
“Unë në angazhimet e mia i respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe askush nuk ka të drejtë të merr në dorë rendin dhe ligjin dhe të bëj vlerësime se dikush është tradhtar apo jo. Për mua nuk ka qenë shqetësuese vlerësimi, por ka qenë kërcënimi dhe paralajmërimi për vrasje. Jo vetëm ndaj meje por edhe nga lista që kemi këtu janë shpallur tradhtar edhe Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi, Isa Mustafa të cilën edhe e kanë sulmu dhe i kanë nxan prita, por edhe në familje në makinën e tij kur ka dal nga shtëpia”, kishte thënë tutje Thaçi në dëshminë e tij.
Ai kishte thënë se lista për likuidim të personaliteteve të ndryshme, është formuar dhe udhëhequr nga Ramabaja, Kurti dhe Konjufca.
Ai kishte deklaruar se e mbështet ndjekjen penale ndaj të akuzuarve, duke kërkuar dënim maksimal për ta.
“Unë e ndjej vetën të dëmtuar dhe kërcënuar së bashku me familjen time. Unë e bazoj dëshminë edhe në situatat e kaluara sepse mendoj që këto kanë qenë të planifikuara më parë. Theksoj se shkrimet e Murat Jasharit kanë qenë vepër e Ramabajës, e Kurtit dhe të tjerëve”, kishte thënë Thaçi.
Ai kishte thënë se po të ishte seanca e mbyllur, do të fliste edhe për emra tjerë.
“Unë si president duhet të informohem për të gjitha gjërat, aq më shumë ato që kanë të bëjnë me rendin shtetëror. Për atë arsye unë kërkova që seanca të jetë e mbyllur pasi që nuk dua që të dalin sekrete shtetërore, sikur të ishte seanca e mbyllur do të përmendja disa raste të tjera. Unë jam intervistuar dhe gjithçka që është dasht për të thënë e kam thënë. Nëse do të ishte e mbyllur do të rëndohej situata për të akuzuarit, mua më vjen keq për gjërat që kanë ndodh. Unë e theksoj që është rrethanë lehtësues që seanca është publike se po të ishte e mbyllur do të ishte situatë rënduese, veçanërisht për të akuzuarin Sadri Ramabaja”, kishte thënë Thaçi.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në të njëjtën seancë kishte deklaruar se të akuzuarit janë krahu i armatosur i Vetëvendosjes.
Ai kishte deklaruar se për organizatën “Syri i Popullit”, kishte dëgjuar pas tentativës në rastin e Azem Vllasit.
Vesli kishte thënë se e njeh vetëm si emër Sadri Ramabajën, ndërsa jo edhe personalisht, derisa kishte thënë se nuk e njeh fare Rexhep Topllanën.
“Unë jam qytetar i lirë, nuk ka të bëjë e kaluara ime si pjesëtar i UÇK-së, askush nuk ka të drejtë në Kosovë ta cilësojë askënd për të kaluarën, do kanë luftu me pushkë, e do kanë sjellë ujë. Unë ja u di për nder, por ky cilësim nga ‘Syri i Popullit’, është plehu i kombit e të gjithë ata që i takojnë Syrit të Popullit janë plehu i kombit dhe i takojnë Serbisë. Ata nuk kanë pas guxim edhe i sfidoj se këta s’kanë burrni e as fytyrë e as moral, dhunues janë, për një gjë jam krenar qysh kanë menu këta që mujn me na kap të gjallë, s’ka pas mujt as Serbia me na kap të gjallë”, kishte thënë ndër të tjerash Veseli.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.
Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.
Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.
Me këtë, Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.
Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.
Llumnica akuzohet për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.
Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.
Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.
Ndërsa, i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar I cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.
Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.
I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “ pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.
Ndërsa, Murat Jashari nga PSRK-ja, është duke u ngarkuar për veprat penale “hakmarrja” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria pretendon se Jashari, duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privoi nga jeta si ish0udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari, fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.
Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën Jasharit dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, Jashari kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës por Jasharit iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në Motel “Fontana”, në Veternik.
Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te Jashari ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje. /BetimipërDrejtësi