0.8 C
Prizren
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Prokurori pretendon se ish-inspektori në Prizren keqpërdori pozitën, mbrojtja thotë se ai është i pafajshëm

Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se ka prova të mjaftueshme që do të vërtetojnë se ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, e ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Një pretendim të tillë, e ka dhënë prokurori i rastit, Mehdi Sefa, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, ku palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ndaj këtu të akuzuarit Bashkim Krasniqi, aktakuza e përshkruar për veprën penale si në dispozitiv, është ngritur në bazë të provave që janë të pranueshme për gjykatën dhe pas administrimit të provave me të cilat prokuroria ka mbështetur aktakuzën do të vërtetohet edhe përgjegjësia e këtu të akuzuarit”, ka thënë prokurori Sefa.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Valon Kabashi, ka deklaruar se pas zhvillimit të seancave gjyqësore do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Sipas avokatit Kabashi, bazuar në dispozitivin e aktakuzës dhe arsyetimit të saj, vepra penale që i vihet në barrë të mbrojturit të tij, nuk është e bazuar për faktin se nuk mbështetet në asnjë provë fajësuese, e cila do të mbështeste mirë dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij, ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

“I mbrojturi im i ka ndjek të gjitha rrugët ligjore në përputhje me kompetencat dhe detyrat e tij, në cilësi të inspektorit të ndërtimit, ka përcjellë punën e ndërtimit duke bërë për firmën “Agron Kuka” urdhër ndëshkimor, si dhe shënime dhe procesverbale të ndryshme, po ashtu ka nxjerrë vendimin për rrënimin e objektit”, ka thënë avokati Kabashi.

Mirëpo, sipas tij, firma “Agron Kuka” ka atakuar vendimet komunale të nxjerra nga i mbrojturi i tij, dhe me këtë e ka pamundësuar ekzekutimin e vendimit për rrënim.

Ai i ka propozuar gjykatës që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohet drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, ku sipas tij, ky dëshmitar do të dëshmojë për procedurën administrative të zhvilluar në këtë rast dhe për faktin se në konsultim me të akuzuarin kanë ardhur deri te këto rrethana që janë aktualisht.

Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e avokatit Kabashi për dëgjimin e dëshmitarëve, kurse seancën e radhës e ka caktuar më 13 shkurt 2020, në ora 10:00.

Për këtë rast, ishte i akuzuar edhe investitori Adil Kukiqi, për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë, mirëpo dënimi për të do të caktohet pasi që të përfundojë procedura penale edhe për të akuzuarin Krasniqi.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Bashkim Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i pandehuri Adil Kukiqi akuzohet se ka kryer veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Krasniqi, gjatë periudhës kohore prej majit 2016 e deri në dhjetor 2018, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor pa leje të investitorit firmës “Agro Kuka” me pronar Adil Kukiqi, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr masa të duhura në kuadër të kompetencave të tij, për mos lejimin e ndërtimit të objektit dy katësh të firmës “Agro Kuka”, i cili nuk kishte leje ndërtimi fare.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Kukiqi, me 28 gusht 2017, pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunal, i njëjti nuk e përfill vërejtjen për ndalimin e punimeve dhe heq shiritin e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare dhe vazhdon ndërtimin e objektit pa leje.

I akuzuari Krasniqi, më 18 nëntor të vitit 2019, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren, për një tjetër rast, ku gjithashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Pyetja e 3-vjeçares “e detyroi” ta shpikte kamerën e parë

Teksa teknologjia na ka bërë të gjithëve ‘fotografë’, si çdo pajisje tjetër edhe kamera e parë, e njohur si “Polaroid”, daton para mbi 75...

22 nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Sot më 22 nëntor është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili u njësua në Kongresin e Manastirit. Kongresi i Manastirit u zhvillua mes...

Lajmet e Fundit