Sulejman Pitarka – aktori i roleve të gjalla

Do të mbetet aktori që mishëroi më së miri, mjeshtërisht, të gjitha rolet tipike që interpretoi gjatë karrierës së gjatë artistike. I lindur më 2 shkurt të vitit 1924 në Dibrën e Madhe, Sulejman Pitarka i braktisi shumë shpejt studimet, për t’i ardhur në ndihmë të atit, pasi varfëria e skajshme e familjes nuk mund të përballohej vetëm nga ai. Prej vendlindjes, vendoset në qytetin portual të Durrësit, ku fillimisht detyrohet të punojë si hamall, jo vetëm në port, por edhe në kriporet e Kavajës.

Shumë shpejt, Pitarka fillon punën si ndihmësllogaritar në një firmë të njohur italiane dhe më pas në Bankën e Durrësit, por pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai i braktis financat për t’iu përkushtuar teatrit. Pas vitit 1945, ai interpretoi në teatrin amator të Durrësit, role në dramat “Ishulli i paqes”, “Invadimi”, etj. Me ndihmën e aktorit të madh shqiptar, Mihal Popi, në 1951 bëhet pjesë e Trupës së Teatrit Popullor. Kanë mbetur të paharruara për spektatorët kryeqytetas, rolet e realizuara prej tij në skenën e këtij teatri, në dramat “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Syleshi”, Orët e Kremlinit”, “Familja e peshkatarit”, “7 shalianët”, “Vajza nga fshati”, “Doktor Aleksi”, “Epoka para gjyqit”, etj.

Nga viti 1955, me dramën “Familja e peshkatarit”, që bën pjesë në historinë e letërsisë shqipe, Sulejman Pitarka krijoi edhe pjesë të tjera teatrale, si: “Burri me përparëse”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, (1957) kushtuar Skënderbeut, apo “Heronjtë e Linasit” (1967) dhe “Kulla e Hutajve” etj.

Role të tilla, si mësuesi në filmin “Debatik”, Sokrati në “Horizonte të hapura”, Zheleznovi në “Ballë për ballë”, krahas realizimit të fundit prodhim franko-shqiptar “Larg barbarëve” (1993), janë skalitur në kujtesë.

Sulejman Pitarka, një ndër aktorët më të suksesshëm të teatrit dhe kinematografisë, protagonist i mbi 70 roleve në teatër dhe rreth 20 roleve në kinematografi, kujtohet nga publiku për secilin nga këto role, të vlerësuara nga kritikët si mjaft realiste. Të gjitha rolet e tij janë vlerësuar nga kritika shqiptare si portrete origjinale, që aktori i krijoi me zërin dramatik, herë-herë imponues në skenë.

Sulejman Pitarka mban titullin “Artist i Popullit”, “Mjeshtër i Punës”, si dhe një çmim karriere.

Më Shumë

Dyshohet se fshehu 6 fletëvotime në Prizren, kërkohet paraburgim ndaj anëtarit të komisionit zgjedhor

Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve...

Sot nis Botërori 2026

Sot zyrtarisht nis Kupa e Botës 2026, turneu më i madh në historinë e futbollit, që për herë të parë do të organizohet nga...

Lajmet e Fundit