Kërkesa e vazhdueshme e EC Ma Ndryshe për unifikimin e veprimeve të institucioneve lokale dhe atyre qendrore për zbatim të ligjit dhe rend urbanistik në Prizren vazhdon që të shpërfillet nga autoritetet përkatëse. Praktika e mos koordinimit ndërinstitucional, sikurse edhe mos unifikimi i procedurave mes tyre, po krijon rrethana të pafavorshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë qytet.
Komuna e Prizrenit me 13 shkurt 2020 ka publikuar informatën për publikun lidhur me projektin e kompleksit afarist-banesor në ish fabrikën e Farmakosit ku në afërsi ditë më parë është djegur “Ndërtesa Austriake”. Komuna ka njoftuar se pas vendimmarrjes së MKRS-së, DUPH-ja më 22.11.2019 kishte refuzuar kërkesën e investitorit për ndërtimin e objektit disa katësh, derisa MMPH-ja më 10.01.2020 merr vendim që ta shpallë të paligjshëm aktvendimin e Drejtorisë. “Djegia e ndërtesës në lokacionin ku parashihet ky projekt nuk e ndryshon qëndrimin e Komunës dhe në vijim do të shikohen mundësitë ligjore që të kundërshtohet vendimi i MMPH-së”, thuhet në njoftimin e Komunës. (njoftimi i plotë i Komunës mund të lexohet në linkun: https://kk.rks-gov.net/prizren/news/informate-per-publikun/).
Këta janë super-filmat që mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx
Një praktikë e ngjashme ka ndodhur edhe me kërkesën e një investitori tjetër për ndërtimin e objektit për banim kolektiv në rrugën “Rifat Krasniqi” në Prizren.
QRTK-ja në Prizren me 01.10.2019 ka lëshuar vendim për refuzimin e kërkesës për ndërtimin e këtij objekti, për arsye se:
-Parcelat për të cilat është parashtruar kërkesa gjenden në Zonën e Dytë të Mbrojtjes, sipas Planit të përgjithshëm të Prizrenit, ku lartësia e lejuar për këtë zonë është P+2;
-Parcelat për të cilat është parashtruar kërkesa gjenden në kufirin verior të Qendrës Historike të Prizrenit, respektivisht brenda rrezes 100 metra;
-Në këtë zonë gjenden disa shtëpi të vjetra tradicionale me etazhitet P+0 dhe P+1;
-Ndërtimi i një objekti kolektiv me etazhitet 2B+S+P+3+NK do të ndikonte negativisht në strukturën urbane të lagjes dhe do të degradonte vlerat ambientale të kësaj zone.
Bazuar në këtë vendim, DUPH me datë 09.10.2019 ka nxjerrë aktvendimin për refuzimin e kërkesës së investitorit. Mirëpo MMPH-ja më 24.10.2019 ka nxjerrë vendim që të aprovohet si e bazuar ankesa e investitorit dhe ka anuluar aktvendimin e DUPH-së dhe vendimin e QRTK-së, duke detyruar DUPH-në që të veproj sipas kërkesës së investitorit konform dispozitave të Ligjit për Ndërtim. Pas kësaj, DUPH-ja me 24.01.2020 merr vendim për lëshimin e lejes ndërtimore për objektin e banimit kolektiv.
EC Ma Ndryshe përkujton se disa herë ka bërë thirrje publike që Institucionet e nivelit lokal dhe qendror t’i unifikojnë veprimet për zbatim të ligjit dhe rend urbanistik në Prizren. (Reagimi i fundit për këtë çështje mund të lexohet në linkun: https://ecmandryshe.org/?page=1,17,579#.XkZYavR7mM8)
Prandaj EC-i, përsëri i bën thirrje Komunës së Prizrenit, si dhe ministrive përkatëse në Qeverinë e re të Kosovës, që të ndërmarrin nisma për bashkërendimin e veprimeve me qëllim të vënies së rregullit urbanistik dhe zbatimit të tërë legjislacionit në fuqi, pa e veçuar vetëm një ligj të caktuar. Të dyja nivelet e qeverisjes duhet të bëjnë përpjekje për respektimin e legjislacionit në tërësi, unifikimin e procedurave dhe koordinim më të mirë, me qëllim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore dhe interesit publik në Prizren/