8.8 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Mungon përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, sërish dështon gjykimi ndaj ish-inspektorit

Sërish ka dështuar të mbahet seanca në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, të paraparë për të enjten, ka qenë mungesa përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e tij, gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se më 20 janar 2020, zyra ligjore e Komunës së Prizrenit, me parashtresë ka kërkuar shtyrjen e seancës për një datë tjetër, me arsyetimin se momentalisht nuk kanë përfaqësues ligjor.

Ndryshe, udhëheqësi i sektorit ligjor në Komunën e Prizrenit, Arben Krasniqi, dhe përfaqësuesi ligjor i Komunës së Prizrenit, Shqipëron Krasniqi, më 16 janari 2020, janë arrestuar dhe ata kanë qenë në paraburgim për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa tani të njëjtit gjenden në arrest shtëpiak.

Gjykatësja Skenderi, ka thënë se seanca e së enjtes shtyhet për 20 mars 2020, në ora 10:00.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej datës 23 maj 2017, e në vazhdim në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Isuf Alibajra ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu në prill të vitit 2017, e në vazhdimësi në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3 urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu më 22 dhjetor 2017, sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanaj, ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4, dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Ai akuzohet edhe në disa raste të tjera që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Fahrije Hoti për ministrin Peci: Më ka njollosur, nuk e fali pa kërkuar falje

Fahrije Hoti, sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka sqaruar pretendimet e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.   Gjatë deklarimit...

Haradinaj pas vdekjes tragjike të 25-vjeçarit në Prizren: Të rritet siguria për punëtorët

Një 25-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në vendin e punës në Prizren. Lidhur me këtë ngjarje, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka apeluar për rritjen...

Lajmet e Fundit