15.7 C
Prizren
E martë, 13 Maj, 2025

Prokuroria kërkon dënimin e ish-inspektorit të tregut në Prizren, mbrojtja kërkon lirimin e tij nga akuza për keqpërdorim pozite

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar dënimin e ish-inspektorit të tregut, Fatmir Gashi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kurse, mbrojtja e të akuzuarit ka kërkuar që i njëjti të lirohet nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gashi akuzohet se në gusht të vitit 2014, si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Prokurorja Ervehe Gashi, gjatë elaboratit të fjalës përfundimtare, ka deklaruar se kërkon dënim sipas ligjit për të akuzuarin.

Sipas prokurores Gashi, nga provat e administruara në këtë çështje penale, deklaratat e dëshmitarëve dhe provat materiale, është vërtetuar në tërësi gjendja faktike e përshkruar si në dispozitivin e aktakuzës dhe se nga gjendja faktike rezulton se janë përmbushur të gjitha elementet që e përbëjnë veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Gashi, avokati Skender Morina deklaroi se i mbrojturi i tij nuk ka dhënë leje për hapjen e lokalit “Game Plus”, por vetëm ka dhënë pëlqimin për hapjen e tij dhe se një kompetencë të tillë për dhënien e lejeve e ka vetëm Administrata Tatimore e Kosovës.

Ai më tej shtoi se nuk ka pasur ankesa as nga përfaqësuesit e objekteve fetare, e as nga përfaqësuesit e objekteve shkollore dhe se matja zyrtare është bërë përmes një aplikacioni të telefonit.

Në fund mbrojtësi deklaroi se veprimet e te mbrojturit të tij janë bërë pa dashje, duke kërkuar lirimin e Gashit nga akuza.

Pas dhënies së fjalëve përfundimtare, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 6 mars 2020, në ora 13:15.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, i pandehuri Fatmir Gashi akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fatmir Gashi akuzohet se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare.  /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Krimi familjar, mjeku i Emergjencës në Prizren jep detaje për rastin (VIDEO)

Mjeku i Emergjencës në Prizren, Afrim Jahaj, ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurave të krimit familjar sot në këtë qytet. Ai tha...

Ndërron jetë mësimdhënësi nga Prizreni,Fatih Lubiçeva

Ka ndërruar jetë mësimdhënësi i njohur nga Prizreni, Fatih Lubiçeva. Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në...

Lajmet e Fundit