-3.9 C
Prizren
E mërkurë, 15 Janar, 2025

“Mbështetja e PDK-së ndaj qeverisë Hoti pritet të kurorëzohet me bashkëqeverisje”

Votimi i rishikimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës e vuri në pah mbështetjen e PDK-së karshi qeverisë Hoti. Përkitazi me këtë, përfshirja e PDK-së në qeverinë e kryesuar nga LDK-ja, po shihet të jetë e pashmangshme në periudhën aktuale politike.

Mungesa e numrave në Kuvend të shefit të ekzekutivit, Avdullah Hotit dhe propozim-aktakuza ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit po konsiderohet nga njohësit politikë si ndër arsyet e përfshirjes së partisë së këtij të fundit në qeveri. Derisa modalitetet e përfshirjes së PDK-së në ekzekutiv po ndërlidhet dhe me marrjen e postit të presidentit.

Një mundësi të tillë po e sheh si jo të befasishme, analisti politik, Albinot Maloku, i cili për KosovaPress, thotë se ky bashkëpunim do të konkretizohet.

“Ky bashkëpunim me siguri që mund të jetë i konkretizuar si pasojë e vullnetit të palëve, por edhe si pasojë e mosfuqisë politike brenda Kuvendit të Kosovës të qeverisë aktuale. Ju e dini shumë mirë që qeveria aktuale ka 61 deputetë, shto situatën që ndodhi më përpara ngeli në 58 deputetë në kuptimin e mundësisë dhe forcës politike për të shtyrë ligje ose të ngjashme. Këtë rrafsh mundësia për të pas një koalicion shtesë pas koalicionit aktual mes LDK-së dhe PDK-së nuk do të kishte me qenë në asnjë formë befasi”, thotë ai.

E përfshirjen e PDK-së në koalicionin qeverisës e sheh edhe njohësi tjetër politik, Krenar Shala. Ai thotë për KosovaPress, se qëllimi i partisë opozitare është shmangja e zgjedhje në këtë periudhë kohore.

“Kemi të bëjmë me një situatë pas aktakuzave ndaj presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së. Situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike dhe tashmë është evidente që PDK-ja do të tentojë t’i bashkohet qeverisë me çdo kusht në mënyrë që të shmangen zgjedhjet sepse ato shkaktojnë frikë të madhe për partitë e vjetra, gjasat janë shumë të mëdha që PDK-ja të pajtohet në qeveri pa kushte, pra pa asnjë kushte”, thotë ai.

Ndërkaq, drejtoresha e CiviKos, Donika Emini konsideron se nëse PDK-ja do të përfshihet në qeveri, automatikisht do të diskutohet pozita e të parit të shtetit.

“Duke i marrë parasysh rrethanat dhe manovrat politike në Kosovë besoj që kjo do të ishte lehtë e besueshme. Sa do të ishte legjitime ajo qeveri është një problem tjetër sepse po bëhet rokada e dytë brenda një viti duke rrëzuar një qeveri, formuar një qeveri të re pasuar mandatin tek partia e dytë, pastaj po zgjerohet për t’iu përshtatur një agjende politike në nivel ndërkombëtar. Konsideroj se nëse ka përfshirje eventuale të PDK-së normalisht që do të diskutohet pozita e presidentit”, thotë ajo.

KosovaPress ka tentuar të marrë qëndrimet e dy partive për një bashkëqeverisje të mundshme, mirëpo përkundër insistimit në PDK dhe LDK nuk kanë pranuar të deklarohen.

Ndërkohë, një bashkëpunim të tillë, tërthorazi e kërkoi edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa disa ditë më parë, i cili tha se Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe forcim të shtetit.

Më Shumë

Pas një viti me sfida dhe suksese, Teatri “Bekim Fehmiu” nis vitin 2025 me ambicie të reja

Dëgjo këtë artikull tani...Pas një viti me sfida dhe suksese, Teatri “Bekim Fehmiu” nis vitin 2025 me ambicie të reja Drejtuesit e Teatrit “Bekim Fehmiu”...

Raportohet për para të falsifikuara në Prizren

Policia e Kosovës raporton se nga persona të ndryshëm janë pranuar para të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Në raportin 24 orësh bëhet e...

Lajmet e Fundit