11.6 C
Prizren
E hënë, 23 Mars, 2026

Ajo dhe pasqyra e Evës

Kishte menduar se çdo gjë i kishte perënduar në jetë, ndryshe nga të tjerët, të cilëve u perëndonte vetëm dielli për t’i lënë nën çaste agonie e dhembjesh (ç)njerëzore dalë boje. Kishin kaluar shumë shekuj që kur ajo e priste njohjen e vetvetes dhe hyrjen e saj në një kohë të re. Njohjen e asaj që tentonte ta braktiste, por që sërish, në brendi shpirti ia lente copëzat e kujtimit me albatrosin e ëndrrave që vononte t’i bëhej realitet e trupit t’ia hiqte edhe gjethet e pakta mbetur kohe.

Për aq kohë sa i kishte dashur ndryshimet, sipër gjoksit kishte marrë vetëm frymë të çmendura dhe ëndrra me shenja marrëzish. E bindur se pikërisht për këto ishte e mallkuar, pranonte të vuante si Sizifi, herë-herë edhe më shumë se ai. Të njëjtat, përpos që ia kishin zënë frymën dhe para pasqyrës së Evës e kishin shfaqur të dobët edhe me gjinj të bollshëm, nuk i kishin dhuruar gjë tjetër. As fjalë të ngrohta… As buzëqeshje… E as dashuri me pikëza të pakta besimi.

E ndodhur detyrimisht nën këto gjokse të rënda, kishte fshehur shumë ëndrra, motivet e të cilave për aq kohë sa jetën e shihte të përçudnuar, nuk ia kishte treguar as vetes, e jo më një hëne, një mashkulli e një bote që hapte sytë t’ia vidhte edhe frymën e mbetur në gjysmë, ashtu si ëndrrën e ditës së djeshme.

Për një kohë të gjatë kishte qenë e larguar nga bota, duke pritur që fillimisht të njihte veten, të vendoste paqen me të e më pas të nxitej që ta vidhte zemrën e dikujt. Rrallë i kishte ndodhur të buzëqeshte realisht, e në atë buzëqeshje ta rrëfente shpirtin e saj, në pamundësi për t’iu rrëfyer shekujve të mëparshëm. Sepse njëjtë si Evën, vetëm tradhtare dhe vjedhëse brinjësh kishin ditur ta quanin djallëzorët. E kur këto i vinin njëra pas tjetrës, kishte qenë e pamundur që të qëndronte në shtrat e t’i rrëfente si para një murgu ndjenjat që në mesnatë ia arratisnin gjumin, pa folur kurrë me qenien që vazhdimisht kishte dashur ta kishte pranë e të njëjtit kurrë s’ia kishte pohuar diçka të tillë në sy. E mundonte fakti që sërish mund të bëhej molla penguese në fytin e Adamit e bota të mos e njihte të vërtetën e lajkave dalë boje.

E kishte ndaluar veten në shumë gjëra. Kishte heshtur duke menduar se do të mbrohej nga djajtë e botës e në rrugën e saj do t’i mjaftonin vetëm fija e kuqe në dorën e majtë dhe flokët e gjata braktisur dëshpërueshëm pas shpine. Këto të fundit kishin qenë të ndaluara për prekje për aq kohë sa ajo nuk besonte marrëzisht asnjë nga gjokset e çmendura e të rënda.

Kështu kishte jetuar me shekuj të tërë. Duke parë në pasqyrë se sa të brishtë e kishte falur perëndia e sa të tillë e quanin edhe të tjerët, pa ia njohur skutat e thella në të cilat fshihte dashurinë, ajo ëndërronte të mos e dhunonin e të mos ia vidhnin gjërat e pakta që ia kishte falur jeta. Këtë të fundit nuk e ndjente as kur në dritën e hënës ia dhunonin gjinjtë, ngase ishte e bindur se jeta në tokë do e mbronte më mirë, e ajo sërish edhe në dhembje ta priste çastin ideal që dikë ta quante Ymer Agë, edhe kur të njëjtit udhëtimi për tek ajo do i zgjaste më shumë se nëntë vjet.

Ajo e dinte se që në krijimin e saj, fati vazhdimisht e kishte goditur, sa herë që tentonte ta shihte të vërtetën në pasqyrë e para kësaj të fundit ta pohonte zëshëm se diku larg fshihej dikush që e donte për gjithë jetën, por që jeta ende nuk e lejonte që në rrjedhën e shekujve t’i hiqte gjethet, të shkopsitej me dashuri dhe ta njihte veten jashtë gjokseve trashëgues të Adamit. Jashtë gjithçkaje që atë e mohonte, sepse për të vetëm pasqyra jepte shenja që jeta e femrës nuk perëndon aq lehtë.
Adelina XHAFERI

Më Shumë

Arrestohet një person në Prizren, i gjenden marihuanë, kokainë dhe një thikë

Një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve. Sipas burimeve, rasti ka ndodhur më 17 mars 2026,...

Totaj priti Igballe Rogovën/Do të forcojmë mekanizmat kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot në takim Drejtoreshën Ekzekutive të Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, së bashku...

Lajmet e Fundit