-0.3 C
Prizren
E shtunë, 18 Janar, 2025

Përpëlitja e fundit për pushtet e Erdoganit

Sulmi i Erdoganit ndaj Partisë Demokratike kurde të Popullit (HDP) tregon thjesht se sa telashe i janë shkaktuar qeverisë së tij nga kriza ekonomike, hisja e votave në rënie, largimet nga partia, tensionet e thelluara me Shtetet e Bashkuara dhe konfrontimet e shtuara me anëtaret e tjera të NATO-s në Mesdheun Lindor. Ekonomia e lëkundur e Turqisë ka dobësuar theksueshëm Erdoganin dhe partinë e tij, që, në një formë apo tjetrën, kanë qeverisur vendin që prej vitit 2002

Turqia ka ndërmarrë veprime për mbylljen e partisë së dytë më të madhe opozitare – Partia pro-kurde Demokratike e Popullit (HDP) – në atë që gjithmbarshëm po konsiderohet si përpëlitja e fundit e një qeverie që ka rraskapitur të gjitha opsionet e tjera.

Dhe krejt kjo në kohën kur e ka humbur edhe mbështetjen publike dhe kur Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) po ballafaqohet me një betejë të mundimshme për zgjedhjet e ardhshme kombëtare.

Duke e akuzuar HDP-në për lidhje me Partinë e paligjshme Punëtore të Kurdistanit (PKK), qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdogan ka arrestuar me mijëra zyrtarë partiakë viteve të fundit, përfshirë më shumë se 700 sosh vetëm muajin e fundit, ka shkruar revista politike amerikane “Foreign Policy”. Pos kësaj, ka shkarkuar nga postet pothuajse të gjithë kryebashkiakët e zgjedhur të HDP-së dhe një sërë anëtarë të parlamentit.

“Shtypja e fundit ndaj HDP-së ka marrë sebep nga një përplasje e muajit të shkuar në Irakun Verior, të menaxhuar nga kurdët, ku 13 ushtarë dhe policë të rrëmbyer turq janë vrarë në një operacion që synonte lirimin e tyre. (PKK-ja – e cila ka luftuar kundër qeverisë turke që prej viteve ‘80 dhe është kategorizuar si grup terrorist nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – ka këmbëngulur se pengjet ishin vrarë në sulmet ajrore turke)”, ka shkruar revista.

Goditja prej ekonomisë

Që prej incidentit, thirrjet për mbylljen e plotë të HDP-së, e cila ka funksionuar që nga viti 2012, kanë marrë hov të pashembullt. Javën e shkuar, Devlet Bahçeli, lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) që është pjesë e koalicionit qeverisës të AKP-së së Erdoganit, ka përsëritur thirrjen e tij për mbylljen “urgjente” të HDP-së dhe ka këshilluar që të zbatohen masa për ta parandaluar rikrijimin e saj në të ardhmen me një emër tjetër.

Sulmi i Erdoganit, sipas “Foreign Policy”, tregon thjesht se sa telashe i janë shkaktuar qeverisë së tij nga kriza ekonomike, hisja e votave në rënie, largimet nga partia, tensionet e thelluara me Shtetet e Bashkuara dhe konfrontimet e shtuara me anëtaret e tjera të NATO-s në Mesdheun Lindor. Ekonomia e lëkundur e Turqisë ka dobësuar theksueshëm Erdoganin dhe partinë e tij, që, në një formë apo tjetrën, kanë qeverisur vendin që prej vitit 2002.

“Nxitja e paragjykimit racor kundër kurdëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur duket të jetë kashta e fundit e një koalicioni qeverisës që i ka rrahur të gjitha opsionet e tjera”, ka thënë për “Foreign Policy” Aykan Erdemir, drejtor i programit për Turqi i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive dhe një ish-deputet turk nga radhët e Partisë Republikane të Popullit (CHP), që ndodhet në opozitë. “Presioni i shtuar ndaj HDP-së është reflektim i gjendjes së mjerë të ekonomisë turke, pasi që ngritja dramatike e papunësisë dhe varfërisë ka gërryer mbështetjen e votuesve të bllokut qeverisës”, ka shtuar ai.

Në një sondazh të qendrës kërkimore turke “Avrasya” tetorin e shkuar, vetëm 32.5 për qind e votuesve kanë thënë se do ta mbështesnin AKP-në po qe se zgjedhjet do të mbaheshin menjëherë. Kjo shifër është njëherësh më e ulëta e çdo kohe. Ndërkaq, mbështetja për CHP-në është rritur në 28 për qind.

“Nëse hileja aktuale e Erdoganit me HDP-në ka goxha të bëjë me gjendjen e ekonomisë, mosmarrëveshja e tij me partinë daton që nga viti 2015, kur HDP-ja ia shkaktoi një goditje të dhembshme AKP-së, duke e kapërcyer pragun prej 10 për qind për të fituar përfaqësim në parlament”, ka shkruar revista amerikane.

Në kundërpërgjigje ndaj kësaj, qeveria u tërhoq nga bisedimet paqësore me PKK-në, duke e ndezur dhunën në juglindjen me shumicë kurde. Vitin pasues, Turqia arrestoi Selahattin Demirtashin, asokohe lider i HDP-së. Me gjithë urdhrin detyrues të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për lirimi e tij, Demirtash përballet me më shumë se 142 vjet burgim po qe se dënohet përfundimisht për shkeljet e ndërlidhura me terrorizmin rreth përfshirjes së pretenduar në protestat e dhunshme të vitit 2014.

“Vdekja e ngadaltë e regjimit Erdogan”

Më herët, Erdogani mund të llogariste në një lloj mbulimi prej ish-presidentit amerikan, Donald Trump, që shpesh doli prej shtegut të tij për ta ndihmuar liderin turk dhe madje i tërhoqi trupat amerikane nga Siria për ta lehtësuar pushtimin turk, të destinuar kundër forcave të armatosura kurde – aleatet kryesore amerikane në terren – përtej kufirit turk. Tani që Trumpi është larguar, Erdogani i është ekspozuar ballë për ballë zemërimit të Kongresit amerikan, sanksioneve ekonomike dhe marrëdhënies në zbehje me Washingtonin.

“Me Trumpin në krye të Shtëpisë së Bardhë, Erdogani mund ende të sigurojë marrëveshje nga administrata dhe ta baraspeshojë presionin vënë mbi Turqinë nga Kongresi. Por, me zgjedhjen e presidentit Joe Biden, Erdogani do ta ketë të pamundur baraspeshimin e gjithë kësaj”, ka thënë Berk Esen, asistent-profesor i shkencave politike në Universitetin “Sabanci”.

“Jemi duke u bërë dëshmitarë të vdekjes së ngadaltë të regjimit të Erdoganit. Nuk do të bjerë si rezultat i një goditjeje të madhe – do të vdesë si rezultat i mijëra plagëve”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Turqi janë caktuar për viitn 2023, por disa besojnë se mund të thirren edhe më herët, qysh vitin e ardhshëm. Në përgatitje për votimet, ka thënë Esen, qeveria turke është duke u munduar ta ndajë votën për opozitën, duke e ngarkuar HDP-në me njollën e terrorizmit. Në të njëjtën kohë, shtypja ndaj partisë e fuqizon pozitën e Erdoganit mes nacionalistëve turq dhe veçmas MHP-së, për të cilën ai ka nevojë në mënyrë që të mund të qeverisë, pasi që shumicën absolute duket ta ketë jashtë çdo opsioni.

Revista “Foreign Policy” ka vlerësuar se ani pse Erdogani mund t’i rishikojë edhe opsionet e tjera përpara se ta mbyllë tërësisht HDP-në, ai dhe partia e tij po i “afrohen opsionit nuklear”.

Për Hisyar Ozsoy, një deputet i HDP-së dhe zëdhënës për çështje të jashtme i partisë, qasja e sertë e qeverisë është një thirrje e minutës së fundit për t’i prekur ndjenjat nacionaliste.

“Shkaku se qeveria nuk mund t’i përgjigjet politikisht lëvizjes kurde, e bën këtë me anë të gjyqësorit”, ka thënë ai. “Nëse ata në pushtet i përdorin mjetet e tilla të shtypjes, kjo vetëm sa e demonstron dobësinë e tyre për qeverisje”.

Ozsoy, i cili pretendon se i ka të paraqitura rreth 10 raste kundër tij për propagandë të pretenduar terroriste, ka thënë se vendimet për heshtjen e zërave kurdë vetëm sa i mbjellin farat e dhunës më të madhe politike. Pjesëtarët e partisë së tij janë duke i shqyrtuar mënyrat për kandidim po qe se HDP-ja mbyllet, por me hyrjen në fuqi të ligjit të ri zgjedhor ata as që e kanë ndonjë ide se cilat do të jenë rregullat e lojës.

Erdogani ka shpallur kohë më parë planet për ta ndryshuar përsëri kushtetutën e vendit, pasi që me referendumin e vitit 2017 e siguroi kalimin e vendit në sistem presidencial. Tani ai po bën thirrje për një kushtetutë krejtësisht të re, e cila mund të përfshijë ndryshimet në kornizën politike dhe në sistemin elektoral, ka shkruar “FP”.

“Mirëpo, edhe akrobacionet e tilla mund të mos jenë të mjaftueshme për t’i shpëtuar Erdoganin dhe AKP-në”, ka thënë Esen nga Universiteti “Sabanci”. “Është sikurse puna e kancerit në fazën përfundimtare – mund të siguroheni vetëm se do të jetoni edhe për gjashtë muaj të tjerë”, ka thënë ai. “Qeveria mund të dalë me strategji për t’ia zgjatur vetes kohën në pushtet për pak muaj, apo edhe për pak vjet, por në fund të fundit krejt kjo nuk mund të zmbrapset”.

Më Shumë

Abdixhiku në Mushtisht: LDK ka rilindur si forca kryesore e vendit, më 9 shkurt bëjmë ndryshimin

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku sonte vizitoi banorët e fshatit Mushtisht.   Nga atje, tha se LDK ka rilindur si forca kryesore e vendit,...

Tyson Fury njofton pensionimin nga boksi

Tyson Fury ka njoftuar pensionimin e tij nga boksi përmes një video të publikuar në rrjetet sociale. Fury i cili dështoi që ta fitonte titullin...

Lajmet e Fundit