3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Një ëndërr e lënë përgjysmë

Edhe gjashtë muaj e ndanin nga dita që në vogëli e kishte ëndërruar kaq shumë. “Çdo gjë ishte gati”, kujton Genta Lala, “fustani, ftesat, lokali ku do të mblidheshim e do të festonim ditën tonë”.

Por ëndrra mbeti përgjysmë. Jo vetëm për Lala-n, por miliona çifte u detyruan të ndryshonin mënyrën e jetesës. Zymtësi dhe shpresa të thyera. Plane të dështuara…!

“Ishte diçka që ndodhi kaq papritur. Kur ra murtaja e madhe e njerëzimit, pandemia e 2020-ës, nuk e di”, rrëfen 26-vjeçarja për Albaninan Post (AP) “m’u duk sikur e gjithë bota m’u shemb para syve. Të kushtëzuar nga masat e ndërmarra nga shteti, së bashku me partnerin tim, anuluam çdo plan që kishim planifikuar. Një ëndërr e lënë përgjysmë, do të thosha”.

Kurorëzimi me partnerin e zemrës shënjon një ndër ngjarjet më të rëndësishme për të gjithë. Kufizimi i masave nga pandemia, nuk lejonte grumbullimin e njerëzve në një ambient të mbyllur.

Lala tregon se “kishim thuajse një vit që thurnim ëndrra për dasmën tonë. Kishim organizuar çdo gjë në detaje, ftuam gjithë njerëzit tanë të dashur. Kisha zgjedhur edhe fustanin e nusërisë. Por pandemia na detyroi të anulonin gjithçka. Ishte thjesht e tmerrshme për ne”.

Nga ana tjetër, edhe kompanitë, të cilat merren me organizimet e dasmave dhe shitjen e fustaneve të nusërisë u ndeshën me kriza ekonomike.

Majlinda Kokaj, e cila ka ekskluzivitetin e markës prestigjioze Tina Valerdi, shprehet për AP-në se pandemia ka ndikuar shumë në biznesin e saj.

“Pandemia ndikoi shumë në sektorin e dasmave. Megjithatë, shumë nuse u detyruan t’i përshtaten situatës, duke organizuar ceremoni të vogla familjare dhe sete fotografike. Nuset shqiptare preferojnë të marrin fustanet me qira, ndaj kompania jonë u ndesh me një ulje të ndjeshme të kërkesës për fustane nusërie”.

Edhe për kompaninë “Zahar Event”, pandemia solli një ulje të ndjeshme të kërkesës për fustane nusërie dhe organizim dasmash.

Anjeza Brataj, menaxhere e kësaj kompanie, na flet pak edhe për tendencat e fundit të fustaneve të nusërisë për këtë vit.

“Blerja e fustanit të nusërisë konsiston në një kujtim që do të zgjasë përgjithmonë, duke marrë me vete të gjitha momentet më të bukura të ditës suaj më të rëndësishme e duke i ruajtur ato në një objekt që nuk do të zhvlerësohet asnjëherë, në fustanin e bardhë. Fustane me linja të pastra pa zbukurime. Mëngë voluminoze, shpatulla jashtë, ekspozimi i këmbëve, janë disa nga trendet e këtij viti”.

Ndërsa të gjitha nuset e saj kanë shtyrë dasmat e tyre, stilistja e kompanisë “Zahar Event” nuk shqetësohet vetëm për vitin 2020, por edhe për vitin që do të vijë.

“Nëse nuk kanë më të njëjtat burime ekonomike që kishin kur vendosën të martohen, ata do të sjellin një arsye tjetër. Dasmat mund të shtyhen sërish”, thotë ajo.

E gjithë kjo ka sjellë që 50% e rezervimeve për dasmat të shtyhen për verën e vitit 2022-in.

Albanianpost.com

Më Shumë

Dy personave në Prizren u gjendet pistoletë dhe thikë në çanta

Policia e Kosovës njofton se të hënën është raportuar që te dy persona të dyshuar në çanta u është gjetur një pistoletë me gaz...

Sot vranët dhe intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. IHK njofton se në mëngjes...

Lajmet e Fundit