Shkolla e Muzikës dhe Artit “Misbah&Friends”, ka organizuar të dielën në mbrëmje, një koncert dedikuar fëmijëve me kancer me moton “Music for you”(Muzika për ju). Në këtë koncert humanitar, janë paraqitur artistë nga vendi, duke performuar me instrumente të ndryshme muzikore. “Ansambli i fëmijëve” nën koreografinë e Dilaver Kryeziut, kanë performuar të parët në koncertin e “Misbah&Friends”, që është mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Më pas, Denis Rexhepi me kitarë, Bardh Shala me Erdita Jaha në piano si dhe Lekë Hapçiu dhe Misbah Kaçamaku, kanë vazhduar këtë koncert me qëllimin që t’i ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre të prekur nga sëmundja e kancerit, e që konsiderohet të jenë në numër të madh në vend.
Në prapavijë të skenës ku kanë interpretuar artistët, në ekran janë shfaqur disa informata në lidhje me sëmundjet vdekjeprurëse që janë prezentë te fëmijët e Kosovës. Në mesin e të cilave edhe shifrat vjetore me fëmijët e sëmurë nga kjo sëmundje që sillen prej 20 deri në 30 raste. Në këtë eveniment humanitar ftesën për të performuar e kanë pranuar edhe dy artistë nga Shqipëria, si kitaristi Franc Koruni dhe tenori Armando Likaj. Në përfundim të koncertit të organizuar nga Shkolla e Muzikës dhe Artit “Misbah&Friends”, janë shfaqur për të interpretuar, sopranoja Marigona Qerkezi dhe tenori Likaj, të cilët kënduan veprën muzikore “Pa-pa-pa – Flauti Magjik” të kompozitorit Mozart, ku njëkohësisht kanë bërë mbylljen e kësaj ngjarje dedikuar fëmijëve me kancer. Në kuadër të kësaj ngjarje në muret e hollit të Teatrit Kombëtar të vendit, janë vendosur më shumë se dhjetë piktura të punuara nga artistë të rinj, e ku me shitjen e tyre të gjitha të hollat do të mblidhen për t’i ndihmuar fëmijët e Kosovës të diagnostifikuar kryesisht më sëmundje të rënda.
Organizatorja e këtij koncerti, Jeta Dumnica, dhe pronare e “Misbah&Friends”, ka deklaruar për KultPlus, se ky koncert tashmë do të jetë tradicional.
“Një koncert me motiv të tillë jemi duke e mbajtur për të herë të parë. Si organizatore, në fillim pata menduar se fëmijët të cilët janë të diagnostifikuar me kancer janë në numër të vogël, mirëpo ka qenë e kundërta e që është mbi dyqind sosh. Koncerti i “Misbah&Friends” kësaj radhe mbahet për t’i ndihmuar sadopak fëmijët me kancer. Jam shumë e kënaqur me ecurinë e këtij koncerti dhe në të ardhmen ai do të bëhet tradicional që do të mbahet për çdo vit me qëllim që të ndihmohen, jo vetëm fëmijët me kancer, por edhe të tjerët të cilët janë me sëmundje të tjera”, ka thënë Dumnica.
Ndërkohë, koncertin dedikuar fëmijëve të cilët mbajnë shpresa për t’u shëruar nga kanceri, e kanë drejtuar dyshja Diellza Kolgeci dhe Shkumbin Tafilaj, ku pas prezantimit të interpretuesve në skenë kanë ftuar ish-misin e Kosovës gjatë viteve ’90, Afërdita Paçarada, për të treguar rreth sëmundjes ku iu është dashur që të largohet për më shumë se dy muaj nga fëmijët e saj, që të shërohet më pas.
“Sot jam këtu që t’i inkurajoj të gjithë ata të cilët kanë të prekur në familje dikë me sëmundjen e kancerit. Kjo sëmundje nëse zbulohet me kohë, atëherë nuk duhet të jetë temë tabu, por duhet sa më parë ajo të mjekohet. Unë kur u pata diagnostifikuar me këtë sëmundje, këtë ua kam treguar fëmijëve të mijë, Artit ku në atë kohë ishte shtatë vjeçar dhe Arbës dy vjet e gjysmë. Ishte një moment tejet i vështirë, kur atyre iu kam thënë se për dy muaj nuk do të jem në mesin e tyre vetëm për ta sfiduar dhe ta kaluar këtë sëmundje. Prandaj, me rrëfimin tim, i kam inkurajuar dhe marrë shumë falënderime të cilët janë në të njëjtën pozitë ashtu siç kam qenë unë dikur”, është shprehur Paqarada.
Pjesëmarrësit e Shkollës së Muzikës dhe Artit “Misbah&Friends”, kanë thënë se kjo nuk do të jetë nisma e tyre e vetme.
“Së bashku, dhe me metodën më të mirë, me tinguj muzikor, ne mund të kthejmë buzëqeshjen tek fëmijët tanë dhe mund të lehtësojmë por edhe të sigurojmë një jetë më të mirë për ta. Muzika shëron, ajo është jeta dhe pasqyra më e mirë e vetë jetës së njeriut”, kanë qenë këto fjalët e fëmijëve pjesëmarrës të kësaj shkolle të muzikës.