Afër derës së banesës
Më 3 janar, afër derës së banesës së tij,
Nietzsche pa karrocierin se si e rrihte me kamxhik kalin.
Ai me dy duart përqafoi kalin dhe ia krisi vajit,
duke shënuar orën e parë të çmendurisë së vet.
Si student qëllimisht ishte infektuar me sifilis –kurvave ua ekzekutonte Wagnerin në piano – dhe kësisoj
gjatë gjithë jetës së lume mbajti me vete embrionin e kaosit. Kur në fund humbi shpresën se do të mishëronte me fjalë krejt
botën e vet të mendimit, ai u lejoi atyre forcave të depërtojnë nëpër të dhe t’ia shkatërrojnë qelizat e trurit të tij.
Ama jo para se ta kurorëzonte filozofinë e vet
me aktin e fundit simbolik – kapitullin e fundit të filozofisë së vet – dhe u martua me atë akt dhe me kafshën përgjithmonë.
***
Sot të gjitha kabinat për projektim ndërtohen prej çelikut.
A e ndalon teatri dritën apo e përkrah errësirën?
Ledhatimi
Mund ta gëzosh jetën nga largësia.
Mund t’i shikosh gjërat ama s’mund t’i shijosh.
Mund ta ledhatosh nënën sall me sy.
I
A janë këta miqtë tanë
që garojnë dhe dridhen
lugjeve të qeta të parlamentit?
Im bir nuk do të vdesë në luftë.
Ai do të kthehet
tha me zë të topitur peshkatari i katundit nga
Orienti.
Herën e fundit pate thënë
se kjo ishte e vetmja mënyrë
zëri i vashës shtalb.
Qeverisja dhe të folurit
infektuan xhunglat
e blerta.
Konsultoje orakullin
përroin e sertë
zvarritu
ata jetojnë nga uji i shiut.
Dashuri majmunësh
çift mantre
prodhues brendi.
Ishuj helmues
helm
merre këtë kokrrizë të vocërr
të zhardhokut
nga bregu jugor
një mrekulli e çuditshme
do të të gjejë
Helikopteri shkrepëtoi
një prekje e butonit dhe mbushja e sigurt e eksplozivit
liroi bombat me sahat
në vendet lebroze
të shkretuara nga uria
dhe këmbëngulja në ligj.
Të lutem
tregona kokën tënde sukullare
dhe sytë e buzëqeshur të mbushur me lym
të qetë gjatë hapjes së zjarrit
këmishën e mëndafshtë të luluar
që t’i vë në dukje sytë e shkathtë
si merimangë, surratin
e largët rrenës.
Eja, ti e përvuajtura
ta shijosh jetën
tashmë si grua
e heshtur, e harbuar, e dalldisur
e shfrenuar, e bëshme dhe qullashe.
Pas saj ngarendin si pas tokës së premtuar
legjione lapërdharësh tutkun
në marshim.
Ç’po ngjet me sjelljet tua
atje në shkretëtirën e rrahur nga
dielli
galaksi të pakufishme të pluhurit
gjemba kaktusi, rruaza
gurë të zbardhur, shishe
dhe automobila të ndryshkur, të lënë mënjanë
për përpunim të mëvonshëm.
Ai i sapoardhuri, ushtar-udhëtar nëpër kohë
mezi që u përbirua
nëpër gërmadhat
e qytetit të dikurshëm hijerëndë, e tash
është bërë qesharak me mi kanalizimesh
dhe insekte që kanë gjetur aty strehim.
Ai jeton në automobila
kalon kotnasikoti nëpër shkollat e breshtura
dhe nuk gjen vend në hijet e dëgjesës.
Kujdestarët janë të heshtur
kullat roje madhështore prej zhavorri
të neveritshme në plazhin në drejtim të perëndimit
aq të lodhura nga vëzhgimi
po të kishte mbetur sall një kalë
për të kalëruar nëpër djerrinë
qenin me vete
për t’i nuhatur mishrat-vashat
të lidhura me vargonj për shtylla publike.
S’ka më zënka në krevate
natën errësira digjet.
I ke zgurdulluar sytë në sallonet e qytetit
ku një grua
me rrobë evropiane
vallëzon valset madhështore
kjo do të ishte zbavitëse
për ta qeverisur shkretëtirën.
II
Palmë ngjyrë qershie
Brigje të frikshme
dhe më shumë
dhe shumë më shumë
Këtë e dimë
se të gjithë janë të lirë
në librat
shkollorë të të pafalshmëve
Buzëqeshje të rreme
vështirësi të pabesueshme vuajnë
ata që mezi ia dalin
të rrojnë
Ama e gjitha do të kalojë
shtrihu në barin e gjelbër
dhe buzëqesh, dhe përsiat, dhe kundro
ngjashmërinë e saj të shtruar
me Mbretëreshën-matkën
e cila duket
se ka rënë në dashuri
me kalorësin.
Epo, a nuk është e këndshme
Zotëri, a nuk është kjo njohuri
me një shikim të pakujdesshëm kryeneç
prapa shpatullave
24 korrik 1968,
Los Anxhelos, Shtetet e Bashkuara, Havai
Shamani
Në seancë, shamani printe. Një panik i ndjeshëm qëllimisht
i yshtur përmes drogës, këngëve, kërcimit, hedh shamanin në trans. Me zë të ndryshuar, me lëvizje të ngërçta.
Ai sillet si i marrë. Këta histerikë profesionistë, të zgjedhur
pikërisht për shkak të prirjeve të tyre psikotike,
dikur ishin të nderuar. Ata ndërmjetësonin
ndërmjet njeriut dhe botës shpirtërore. Udhëtimet e
tyre mendore formuan thelbin e jetës religjioze të fisit.
Lehja e tmerrshme
Çakall, po i nuhatim mbijetuesit e karvanëve.
Po i korrim të lashtat e përgjakshme në fushat e luftës.
Mishi i cilësdo kufomë u bënë mirë barqeve tona bosh.
Uria na shtyn të ndjekim erën kundërmuese.
O i huaj, o udhëtar
vështroji sytë tanë dhe sqaroje
lehjen e tmerrshme të qenve të lashtë.
Shërimi i sëmundjes
Parimi i seancës: ta shërosh sëmundjen. Njëfarë disponimi
do të mund ta kaplonte një popull të ngarkuar me ngjarje
historike ose që është duke vdekur në një mjedis të qelbur.
Ata kërkojnë çlirim nga dënimi, vdekja, tuta. Pretendojnë
që t’i pushtojë ndonjë gjë, që të vizitohen nga zotat dhe fuqitë,
ta rifitojnë burimin e jetës nga demonët. Ilaçi përkoqet nga ekstaza.
Shëroje sëmundjen ose parandaloje ardhjen e saj, këndelli të
sëmurët dhe rizotëroje prenë, shpirtin.
Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”. Përktheu: Fadil Bajraj