22.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Prizreni dhe Suhareka bashkëpunojnë me UNDP-në dhe ADA-në për klimën

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, i mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operative e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Kosovë, dhe Komunat e Prizrenit dhe Suharekës kanë lansuar projektin “Fuqizimi i veprimit lokal për klimën” (SLCA) i cili synon të zvogëlojë emetimet e gazeve serrë (GS) dhe të kontribuojë në përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër.

Lansimi i këtij projekti u bë në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren.

Niels Knudsen, zëvendëspërfaqësues i përhershëm i UNDP-së ka thënë se ndryshimet klimatike janë sfida përcaktuese globale që mund të trajtohet në mënyrë efektive vetëm nëse ndërmarrim veprime të fuqishme në nivel lokal.

“Për më shumë se një dekadë, UNDP-ja me partnerë ka mbështetur Kosovën që të ndërmarrë veprime klimatike dhe të ndërtojë qëndrueshmëri të komunitetit”, ka thënë ai.

Sandra Horina, shefe e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operative e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Prishtinë ka theksuar është përgjegjësi kolektive dhe individuale të ruajmë dhe të kujdesemi për botën në të cilën jetojmë të gjithë.

“Rritja e ndërgjegjësimit për çështjet më urgjente mjedisore të kohës sonë është më e rëndësishme se kurrë. Me këtë projekt ne synojmë të zvogëlojmë emetimet e gazrave serrë dhe të kontribuojmë në zhvillimin neutral ndaj karbonit përmes një qasjeje të integruar dhe të ndjeshme ndaj gjinisë. Pikësynim do t’i kemi së paku 620 përfitues të drejtpërdrejtë nga institucionet publike dhe sektori privat nga të cilët të paktën 340 do të jenë gra përmes zhvillimit të kapaciteteve dhe aktivitete ndërgjegjësuese”, është shprehur Horina.

Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit ka theksuar rëndësinë e këtij projekti.

“Komuna e Prizrenit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet që ka për të arritur implementimin e projektit dhe gjithashtu funksionimin e tij në periudhë kohore afatgjatë. Ne jemi të bindur se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit dhe zonave rurale është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Mihrije Suka, nënkryetare e Komunës së Suharekës në fjalën e saj tha se Komuna e Suharekës dhe qytetarët e saj kanë mirëpritur fillimin e zbatimit të projektit: “Fuqizimi i veprimit lokal për klimën”.

Projekti fuqizimi i veprimit lokal për klimën do të zbatohet në Komunat e Prizrenit dhe Suharekës. Qëllimi i projektit është të mbështesë komunat në tranzicionin e tyre drejt rrugëve të zhvillimit me emetim zero dhe kalimin në dinamikat e zhvillimit të qëndrueshëm urban-rural.

Kontributi i ADA-së në projektin “Fuqizimi i veprimit lokal për klimën” është një milion euro me bashkëfinancim të komunës së Prizrenit me 100,000 euro dhe komunës së Suharekës me 50,000 euro si dëshmi dhe përkushtim për të punuar së bashku në promovimin e zhvillimit rural dhe luftimin e ndryshimeve klimatike në nivel lokal.

 

Më Shumë

Policia shqiptoi për 24 orë, mbi një mijë e 200 gjoba në trafik

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 1251 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Totaj diskuton për mundësin e bashkëpunimit me Rotary Club “Prizren””

Kryetari Shaqir Totaj sot priti kryetarin e Rotary Club "Prizren", Bujar Myftiun, sekretarin e klubit, Agron Didën dhe anëtarin Masar Gurgulen. Diskutuan për mundësitë e...

Moti sot me shi

Lajmet e Fundit