2 C
Prizren
E shtunë, 11 Janar, 2025

Ish-asamblisti i Rahovecit dënohet me 300 euro gjobë për mosraportim të pasurisë

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim prej 300 euro gjobë ndaj ish-asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Rahovecit, Ali Zhuniqi për mosraportim të pasurisë.

Në aktgjykimin e 20 janarit 2022, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Zhuniqi është obliguar edhe në pagesën e shpenzimeve procedurale dhe atë 30 euro për paushallin gjyqësor dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në aktgjykim thuhet se nëse dënimi me gjobë nuk mund të realizohet konform nenit 43 të KPRK-së, i njëjti do të zëvendësohet me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 ditësh, duke llogaritur për një ditë burgim 20 euro.

Në aktakuzën e përpiluar më 30 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, thuhet se Ali Zhuniqi nga 1 marsi e deri më 31 mars 2021, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, përkatësisht këshilltar i Asamblesë Komunale në Rahovec, nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratën për raportimin e pasurisë.

Aty thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me nenin 8, paragrafin 1 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat tjerë, në lidhje me nenin 4 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit të lartpërmendur.

Sipas aktit akuzues, Ali Zhuniqi nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në afatin e rregullt ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin paraprak 1 janar – 31 dhjetor 2020, edhe pse ka qenë i informuar dhe i detyruar për këtë obligim.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mo raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Ndryshe, vepra penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, është vepër e cila hyn në kuadër të kapitullit “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Arrestohen katër të mitur në Prizren, e sulmuan një person dhe ia morën 200 euro

Katër persona janë arrestuar pasi dyshohet se me forcë dhe me përdorimin e mjetit të mprehtë (thikë) ia kanë marrë një personi tjetër me...

Raportohet për para të falsifikuara në Prizren

Policia e Kosovës raporton se nga persona të ndryshëm janë pranuar para të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Në raportin 24 orësh bëhet e...

Ajo që s’e them

Lajmet e Fundit