1.7 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Kristo Frashëri: Luftën e fituan partizanët, të drejtuar nga Enver Hoxha

Kristo FrashëriShpeshherë dëgjojmë poshtë e përpjetë pohimin se Shqipëria e vogël nuk dha ndonjë kontribut për të cilin krenohen pjesëmarrësit e Luftës Nacional Çlirimtare. Ky është një vlerësim po aq i pasaktë sa edhe pohimi se Shqipëria u çlirua nga zgjedha antifashiste vetëm me forcat e saj partizane. E vërteta është se Shqipëria nuk mund të çlirohej vetëm nga forcat e veta pa luftën vdekjeprurëse që i shkaktuan bllokut nazifashist tre anëtarët e mëdhenj të koalicionit antifashist anglo-sovjet-amerikan, së bashku me aleatët e tyre të shteteve të vegjël dhe popujve të robëruar që ndërmorën luftën partizane.

Megjithatë, nuk duhet harruar fakti se Shqipëria u çlirua nga zgjedha nazifashiste pa pjesëmarrjen e ushtrive aleate, qoftë të Lindjes, qoftë të Perëndimit. Ajo tregon epërsinë politike, e cila solli dhe epërsinë ushtarake që pati në fund të luftës Fronti Nacional Çlirimtar me PKSh-në në krye përballë forcave të ashtuquajtura nacionaliste, të cilat pësuan disfatë të plotë.

Këtu nuk është vendi për të analizuar as faktorët që ndikuan në fitoren e Frontit Nacional Çlirimtar nga Partia Komuniste Shqiptare, as shkaqet e disfatës që pësuan Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit. Mjafton të thuhet se faktori kryesor që i siguroi fitoren Frontit Nacional Çlirimtar dhe motorit të tij kryesor Partisë Komuniste Shqiptare, ishte lufta e ashpër gjithnjë e në rritje që partizanët zhvilluan pa kompromis kundër okupatorëve të huaj nazifashistë. Përkundrazi, hezitimi i dy rreshtimeve kundërshtare – Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes së Legalitetit – për t’u angazhuar në luftën e armatosur kundër agresorëve nazifashistë dhe llogaritë e tyre për ta siguruar pushtetin jo me luftë të armatosur, por me përkrahjen e demokracive perëndimore, sollën si rezultat nxjerrjen e tyre në fund të luftës jashtë arenës politike shqiptare.

Ka midis nesh qytetarë që ende nuk janë bindur se historia i vlerëson ngjarjet jo në bazë të simpative por në bazë të rezultateve që ato kanë arritur në realizimin e detyrave të tyre. Në vitin 1945 kur mori fund Lufta e Dytë Botërore, opinioni publik ndërkombëtar nuk donte të dinte se ç’mendime kishte kjo ose ajo parti, por donte të mësonte se cila prej tyre kontribuoi në fitoren e Luftës së Dytë Botërore, luftën më të përgjakshme që kishte parë historia e njerëzimit deri atëherë. Më 1945 askush nuk ishte në gjendje të dinte se ç’do të ndodhte në Shqipëri me fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore në truallin e saj. Një fjalë e urtë kineze thotë: “Nuk ka rëndësi ngjyra që ka macja, nëse është e bardhë apo e zezë.

Mjafton që të hajë minjtë”. Po ashtu, më 1945 popujt nuk donin të dinin se kush i shkallmoi agresorët nazifashistë, të majtët apo të djathtët, mjafton që agresori u shkallmua. Meritë ka ai që e shkallmoi agresorin. Më 1945 për opinionin përparimtar botëror nuk kishin vlerë anatemat që ballistët u drejtonin komunistëve shqiptarë, në një kohë kur Bashkimi Sovjetik ishte një ndër krerët e koalicionit të madh antifashist. Rëndësi kishin njoftimet që përhapnin organet e shtypit ndërkombëtar për kontributin që dhanë shqiptarët e Frontit në luftë kundër bishave nazifashiste.

Edhe një herë e përsërisim se nuk është e drejtë që fitimtarëve t’u mohohet merita e fitores së luftës me biografinë e tyre të mëvonshme. Është mëkat historik t’u japësh merita partive apo organizatave të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore në vend që të luftonin kundër armikut të njerëzimit, e ndihmuan atë në luftën që ai zhvilloi kundër çlirimtarëve të popujve të shtypur. Edhe vlerësimi i fitores pa emrin e fitimtarit është një non sens historik.

Historia nuk njeh çlirimtarë anonimë, as udhëheqës të panjohur siç mendojnë disa qytetarë të droguar nga urrejtja patologjike. Fitimtarët të cilët i sollën Shqipërisë në fund të Luftës së Dytë Botërore fitoren e lirisë e të pavarësisë kanë një emër: quhen partizanë. Udhëheqësi i tyre kryesor ka gjithashtu një emër: quhet Enver Hoxha. Na pëlqen apo nuk na pëlqen ai meriton të përgëzohet për kontributin që dha në fitoren e pavarësisë së Atdheut dhe në të njëjtën kohë të kritikohet apo të dënohet për dhunën që përdori pas fitores së pavarësisë.

Dikur kam lexuar se gjatë Luftës së Parë Botërore një gjeneral austriak mori porosi nga shtabi i përgjithshëm që të mos sulmonte një qytet armik, të cilin e kishte rrethuar, mbasi sulmi do t’i kushtonte shtrenjtë ushtrive perandorake. Por gjenerali i talentuar, i bindur se e kishte fitoren në pëllëmbë të dorës, madje me humbje minimale, e sulmoi qytetin pa pyetur shtabin e vet. Edhe pse e fitoi betejën, perandori austro-hungarez i entuziazmuar për fitoren që korri, por i revoltuar për shkeljen e urdhrit të shtabit, e thirri gjeneralin në Vjenë. Kur perandori në prani të shtabit e priti gjeneralin në zyrën e vet, mbante në dorë dy dekrete. Me të parin ai e dekoroi gjeneralin për fitoren e arritur, me të dytin e shkarkoi nga detyra dhe e dërgoi në pension. Kjo do të thotë që në çdo rrethanë meritat nuk duhen mohuar.

Nuk ngurroj të pohoj se ata të cilët kërkojnë që emri i Enver Hoxhës duhet fshirë nga memoria historike, janë infektuar nga mentaliteti i vetë Enver Hoxhës. Nuk ka përse të kemi frikë, siç kishte Enver Hoxha nga emri i kundërshtarit, edhe kur ai ka vdekur. Enver Hoxhës i përshtatet afërsisht sentenca e filozofit të madh frëng Volter (Voltaire), se kur në zyrën e një despoti hyn dyshimi, shërbimet e kryera për atë dalin jashtë nga dritarja. Nëse jemi demokratë, nuk ka përse të revoltohemi nga emri i Enver Hoxhës, kur ai tashmë ka hyrë në histori. Nuk ka përse ta fshijmë emrin e tij, ashtu siç Enver Hoxha i fshihte nga historia emrat e kundërshtarëve të vet. Të fshish emrin e kundërshtarit do të thotë se nuk je i bindur për veprën tënde

Më Shumë

Përfundon stinori vjeshtor, Rahoveci dimëron në vendin e parë

Me tri ndeshje të zhvilluara të enjten, ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Skuadrat favorite nuk kanë...

Aulona Muhadri: Basketbolli për mua është jetë

Basketbollistja më e mirë e vitit, Aulona Mohadri, ka shpërndarë emocionet e saj për sportin që ka formësuar jetën dhe karrierën e saj. Ajo...

Lajmet e Fundit