24.1 C
Prizren
E diel, 29 Qershor, 2025

Raporti sekret i CIA-s në vitet 40’ për Shqipërinë ngjan si i shkruar në ditët e sotme: Jo e rëndësishme ndërkombëtarisht, por me rëndësi gjeopolitike rajonale

Nga Vitjon Nina

Një raport sekret i Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës në SHBA (CIA) për Shqipërinë, ngjan thuajse sikur të qe shkruar në ditët e sotme, kur rreziku i ndikimit rus është i madh dhe investimi amerikan për sigurinë e rajonit, po ashtu.

Në dokumentin e siguruar nga redaksia e Albanian Post, i cili daton në vitin 1947, kur prej pak kohësh në krye të vendit kishte ardhur ai i cili do të kthehej në diktatorin më famëkeq të rajonit, Enver Hoxha, bie në sy përshkrimi politik që inteligjenca amerikane i bënte asokohe Shqipërisë.

“Ndikimi politik i Shqipërisë, resurset ekonomike dhe fuqia ushtarake, janë të neglizhueshme sa i përket sigurisë amerikane”, nis seksioni i pestë i raportit, nën përshkrimin e konsideratave strategjike që prekin sigurinë e SHBA-ve.

Në citim ekzakt të fjalëve të raportit, “rëndësia e vetme e Shqipërisë mbështetet në pozitën gjeografike të vendit”, duke theksuar se është potencialisht një zonë e mundshme për vendosjen e një baze operacionale.

Në mënyrë tërësisht identike, zhvillohet politika e jashtme dhe ajo e mbrojtjes amerikane sot në Shqipëri, ku vetëm pak muaj më parë u deklarua se baza komuniste e aviacionit ushtarak në Kuçovë, do të kthehet në bazë të NATO-s dhe do të marrë një rëndësi shumë të madhe në aspektin e sigurisë në rajon.

Në bazë të raportit, që asokohe, Amerika ka pasur synime për ndërtimin e bazës operacionale në Shqipëri.

Mirëpo, për shkak edhe të marrëdhënieve që regjimi krijoi me Perëndimin dhe afërsinë e madhe me Bashkimin Sovjetik, kurrë nuk u çua ndërmend zhvillimi i një bashkëpunimi të tillë gjeopolitik mes Washingtonit dhe Tiranës në terma gjeopolitikë.

Kjo gjë theksohet edhe në raport, pasi njihet ndikimi i lartë sovjetik mbi vendin “e vogël evropian të ndodhur në Ballkan, me dalje në detin Adriatik dhe Jon”.

Pikërisht portet shqiptare, kanë qenë shqetësim se mund të forconin pozitat e sovjetikëve dhe mbi të gjitha të ish-Jugosllavisë. Kjo, duke mësyrë në territor dhe duke përdorur gjeo-strategjikisht edhe aerodromet dhe rrugën tokësore apo detare që lidhte me Greqinë dhe Italinë.

Një skenar i mundshëm sipas amerikanëve, mund të ishte edhe inkursioni i ish-Bashkimit Sovjetik në territorin shqiptar, për të ngritur një bazë guerrile, e cila mund të zhvillonte operacione ushtarake drejt Greqisë.

Konflikti i ngjashëm i Maqedonisë në atë kohë me Greqinë, përmendet dhe paralelizohet me konfliktin për zonën e Epirit. Për shkak të kësaj qasjeje “urrejtjeje” mes dy vendeve për çështjen çame, zhvillimi i bazave sovjetike guerrilase ishte i mundur për amerikanët.

Në mbyllje të këtij seksioni të raportit, përmendet edhe fakti se si faktori shqiptar dhe kontrolli i mundshëm që Bashkimi Sovjetik kishte nëpërmjet aleancës së kohës me Shqipërinë, ishte një faktor i konsiderueshëm sa i përket rajonit dhe një avantazh për sovjetikët, por nuk ishte një faktor i rëndësishëm sa i përket balancës së fuqive ndërkombëtare.

Kjo pjesë e dytë e përshkrimit në dokumentet sekrete të CIA-s në vitin 1947, mbetën sigurisht në letër, pasi marrëdhëniet me BS-në u prishën formalisht në dhjetor 1961.

Pas kësaj kohe, vendi shkoi në një mbyllje hermetike karshi diplomacisë së huaj dhe raporteve mes Tiranës dhe Vendeve të tjera.

Shënim/ Raporti i 15 gushtit 1947 nga CIA për Shqipërinë është deklasifikuar më 6 janar 1981 dhe mund të përdoret për botime shtypi. Kjo është pjesa e parë e disa dokumenteve, të cilat do të publikohen nga Albanian Post prej këtij raporti.

/Albanianpost.com

Më Shumë

Iu ofroi 5 euro ryshfet zyrtarëve policorë, arrestohet maqedonasi në Vërmicë

Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar të shtunën në Vërmicë, nën dyshimin se i ofroi ryshfet zyrtarëve policorë. Sipas njoftimit të policisë, i...

Granit Xhaka nuk do të luajë për Milanin, dështon transferimi

Futbollisti kosovar, Granit Xhaka nuk do të luajë për Milanin. Klankosova.tv merr vesh që futbollisti kosovar me nënshtetësi zvicerane, nuk e ka kompletuar kalimin nga...

Lajmet e Fundit