Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë sot se për arrestimet e fundit të zyrtarëve policorë në aksionin “Pika”, ka prova të mjaftueshme për afera korruptive.
Kjo pasi kryetrari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha kritikoi për mënyrën e arrestimit të tyre.
E Sveçla tha se në institucionet e Kosovës nuk ka vend për persona të korruptuar.
“Një gjë e di, kjo më është thënë. Për të gjitha këto arrestime ka prova të mjaftueshme për afera korruptive për këta zyrtarë policorë. Ka pasur edhe masa ta fshehta. Jam i bindur që për njerëz të korruptuar nuk ka vend në institucionet e Kosovës e posaçërisht në institucionin që duhet të kujdeset që të mos ketë korrupsion në shoqërinë tonë”, deklaroi ai.
Sveçla tha se për të mbrojtur policët e pakorruptuar duhet të largohen, siç tha të këqijtë apo ata që janë të përfshirë në afera korruptive.
“Është e vërtet që herë u themi heronj policisë të Kosovës e herë shohim arrestim të tyre. Kjo qasje do të vazhdojë. Shumë prej policive të Kosovës, ne kemi mbi 8.200 policë . Janë heronj të Kosovës. Për t’i mbrojtur ata heronj ne do t’i ndajmë të mirët nga të këqijtë. Ata që janë të përfshirë në afera të ndryshme duhet të ndëshkohen, qoftë me suspendim ose arrestim. Në arrestimin e fundit nuk ka pasur skena siç ka pasur më herët, ku policët me uniformë janë shtrirë në rrugët apo hapësirat publike të Kosovës”, tha ai.