Shqipëria këtë vit me këngëtaren Ronela Hajati dhe këngën e saj “Sekret”, dështoi të kualifikohet në natën finalen e “Eurosongut”.
Ajo këndoi e para në natën e parë gjysmëfinale, por nga 17 këngë në garë, mbeti jashtë dhjetëshes që do t’i mundësonte të këndonte në finalen e 14 majit në skenën e festivalit që po mbahet në Torino të Italisë.
Pas Eugent Bushpepës në Portugali, Jonida Maliqit në Izrael (për shkak të pandemisë, Arilena Ara nuk arriti të këndojë sepse u anulua tërësisht mbajtja e festivalit në vitin 2020) dhe Anxhela Peristerit që në Holandë e kualifikuan Shqipërinë në finale, Ronela nuk arriti t’i bindë juritë profesionale dhe publikun që ajo të ketë një vend në natën e madhe.
Kështu, “Sekreti” i Ronela Hajatit u zbulua, por jo edhe arsyeja përse kjo këngë dhe kjo përformancë nuk mori vota të mjaftueshme të kualifikohet.
RTKlive ka pyetur disa artistë e këngëtarë në Kosovë, për të dhënë opinionin e tyre për arsyet që kanë mundur ta penalizojnë këngëtaren Ronela Hajati që të mos kualifikohet.
Megjithatë, përveç komenteve pozitive nëpër rrjetet sociale, për atë çfarë këngëtarja paraqiti në skenën e natës së parë gjysmëfinale të 10 majit, askush prej tyre nuk deshi të flasë.
Paradoksalisht, komentet e tyre nuk janë edhe aq në harmoni me rezultatin e këngës dhe këngëtares.
Sidoqoftë, në youtube, vetëm për disa orë, kënga ka marrë më shumë se 723 mijë klikime, ndërsa videoklipi i këngës, i publikuar në faqen zyrtare e Eurovisionit, para dy muajsh, numëron mbi 3.5 milionë shikime.
Kjo është kënga e dytë më e klikuar, pas asaj të Ukrainës, e cila ka mbi 948 mijë klikime dhe e cila u kualifikua për në finalen e Eurovizionit.
Pas publikimit të radhitjes së shteteve të cilat u kualifikuan në finalen e madhe të “Eurovision 2022”, shumë adhurues të festivalit kanë shprehur zhgënjimin për mos kualifikimin e Shqipërisë.
Në Festivalin e Këngës në RTSH, në vendin e dytë u radhit Alban Ramosaj me këngën “Theje”/RTKLIVE/