2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Modeli që po godasim…

Blendi FevziuBLENDI FEVZU

Robert Kaplan, një reporter i njohur dhe një udhëtar i pasionuar amerikan, në një nga librat e tij të titulluar “Bota që vjen nga kaosi”, duke iu referuar përqendrimit të popullsisë në disa nga kryeqytetet e mëdha afrikane, shënjon faktin se kjo “bombë” sociale, kjo mishelë djemsh nga fshati apo të rinjsh pa asnjë perspektivë që dynden në lagjet e periferive, ka vetëm një mënyrë që të neutralizohet: t’i vihet përballë një model tjetër suksesi. Suksesi i atyre që në këto qytete quhen klasë e mesme, por që realisht nuk janë tamam e tillë. Një grup njerëzish që kanë dalë nga varfëria ose kanë ecur në jetë falë shkollimit; falë zotësisë së tyre dhe që në vend të modelit të vjedhjes, trafikut, kontrabandës apo terrorizmit, ofrojnë si model suksesi punën. Ky grupim, që në fakt nuk është më i respektuari në këto vende, komenton pak a shumë Kaplan, i ka lënë fushë të lirë një modeli tjetër. Atij të bandave dhe kapove të tyre; atij të njerëzve të korruptuar që dominojnë politikën e biznesin. Madje, shpeshherë të dyja bashkë. Një grupim që nëpërkëmb rregullat, ligjet, që rrallë ndëshkohet dhe, si i tillë, është kthyer në një model real. Model që po shkatërron të ardhmen e këtyre vendeve.

Kaplan ka pa dyshim të drejtë. Kjo është një skemë që nuk ndodh më vetëm në Afrikë, por edhe në vende të tjera në zhvillim. Në vende ku arsimimi dhe specializimi i njerëzve është ende deficitar, ku kultura dhe informacioni nuk përbëjnë një armë reale për të dominuar shoqërinë. Në këto shoqëri, grupimi tjetër, ai i njerëzve të shkolluar dhe menaxherëve të suksesshëm, shpesh detyrohet të përballet me zemërimin e këtyre grupeve abuzive, madje jo rrallë punësohet dhe paguhet prej tyre.
Iu riktheva tezave të Kaplan, duke ndjekur debatin mbi taksat në Shqipëri dhe filozofinë e re të tyre. Duke besuar, siç thotë Fukuyama, te “Ndërtimi i Shtetit”, se taksat dhe të ardhurat për frymë klasifikojnë në një farë mënyre edhe nivelin e demokracisë në një vend, kam tentuar të kuptoj se përse në një paketë fiskale ku përfshihen thuajse gjithë shtresat e shoqërisë shqiptare, ajo më e penalizuara është një shtresë që s’përbën as 0.4 % të popullsisë reale shqiptare, ose 0.25 % të popullsisë totale të regjistruar në Shqipëri. D.m.th. përse sistemi i taksimit u derdh me mërinë më të madhe mbi ata 11 242 veta, që paguhen me mbi 1.3 milionë lekë të vjetër në muaj?! Përse këta njerëz u ngarkuan më shumë sesa vetë biznesmenët e mëdhenj që fitojnë miliona dhe më shumë sesa ata që fitojnë nga biznesi i tyre i vogël, po ashtu më shumë se 1.3 milion lekë të vjetër në muaj?!

Nuk dua të bëj një analizë të taksave dhe as të llogaris ato kategori që preken edhe më shumë. Rreth 440 mijë veta që paguhen nën 300 mijë lekë të vjetër në muaj, nuk fitojnë asgjë nga ulja e taksës, por kostoja e tyre e jetesës do rritet ndjeshëm nga inflacioni dhe nga akcizat e reja, që nga nafta e deri te duhani e kafja. Kjo është pa dyshim klasa që do ta vuajë më shumë, që do zhytet edhe më në varfërinë e saj dhe në betejën për mbijetesë. Nuk dua të ndalem as te biznesmenët e mëdhenj, që vijojnë të taksohen po 10% mbi dividendin. Dua të përqendrohem e të kuptoj se përse 0.4% e popullsisë së Shqipërisë duhet të mbajë mbi supe taksën më të lartë që sistemi shqiptar do ofrojë që nga 1 janari 2014.

Nga të dhënat e përfituara në emisionin “OPINION” këto javë, del që kjo klasë, pra grupimi i njerëzve që paguhen mbi 1.3 milionë lekë të vjetëra, është sot afro 11 242 veta. Në fund të vitit 2012, ai ka qenë afro 8900 veta. Pra, ky grupim është shtuar më afro 2300 veta në një vit, gjë që përbën një sukses jo të vogël. Pas aplikimit të taksës mbi pagesën bruto, ky grupim do reduktohet realisht në afro 6500–7000 veta. Pra, grupimi i atyre që kishin arritur një farë suksesi financiar, por edhe shoqëror, nuk do të jetë më i pari.

Po kush klasifikohet në këtë grup? Ndër këta 11 mijë veta, vendin kryesor e zënë menaxherët e rinj dhe të mirëshkolluar të bankave; të kompanive celulare dhe atyre të biznesit. E zënë mjekë të njohur dhe specialistë ndër më të mirët të kësaj fushe, juristë që kanë bërë emër në studiot ligjore vendëse apo ndërkombëtare; kryeredaktorë gazetash të mëdha dhe drejtues lajmesh; inxhinierë të aftë dhe arkitektë; financierë dhe drejtues projektesh. Thënë më përmbledhtazi, ky grup prej 11 mijë vetash përbën pa dyshim grupin më të shkolluar dhe më të specializuar në Shqipëri.

Nuk janë njerëz të pasur. Janë qytetarë që jetojnë mirë, që kanë investuar për shkollimin dhe rritjen profesionale të tyre. Janë njerëz që kursejnë nga rrogat e tyre të mira për të shkolluar po ashtu fëmijët. Janë njerëz që i këshillojnë fëmijët të mësojnë dhe jo të bredhin me makina luksi apo të kalojnë kohën në pub–et e Tiranës. Janë njerëz që koleksionojnë libra dhe jo syze dielli apo çanta. Janë njerëz që, nëse një ditë humbasin vendin e punës, kthehen në njerëz të varfër, sepse kjo rrogë është mundësia e tyre e vetme e jetesës (ndryshe nga të pasurit, që kanë prona e asete). Janë njerëzit më të rregullt të këtij vendi.

Njerëz që paguhen me bordero; që kanë marrë dhe paguajnë rregullisht në datën e caktuar kreditë, që paguajnë taksa, që respektojnë më shumë se të tjerët rregullat dhe pa dyshim më të interesuarit për ecjen përpara të vendit. Besoj se janë kryesisht votues të majtë dhe ata që dominuan protestat kundër armëve kimike në Tiranë të mbështetur nga studentët. Janë modeli më i mirë që mund t’u ofrohet të rinjve dhe modeli i vetëm për zhvillimin e vendit. Janë ata që besojnë më shumë se e ardhmja mund të ndërtohet në Shqipëri, por edhe ata që bërtasin më pak, që shoqërohen rrallë me politikanë dhe që nuk kanë kohë të hallakaten duke u paguar këtyre të fundit dreka të gjata apo duke u bërë dhuratat për të cilat kanë nevojë. Janë një model, që çdo prind normal do të donte që t’i ngjante fëmija i tij, por që ne po i godasim.

Nuk e di se sa më shumë mund të mbledhë Qeveria nga taksa e rritur ndaj këtyre njerëzve, por druaj se portofoli i shpuar i qeverisë po godet një model që duhej ta kishin stimuluar më shumë: atë të suksesit, që vjen nga shkollimi dhe konkurrenca e hapur. Modelin e vetëm me të cilin kanë ecur përpara shumë vende si ne, e si për mallkimin tonë, po ecin përpara edhe fqinjët./Panorama/

Më Shumë

Mbyllen 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e...

Trajnime falas për tregun e punës në Prizren

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren, bashkë me ITI Pro Kosova, do të organizojnë trajnime falas për tregun e punës. Ky trajnim mbështetet nga...

Lajmet e Fundit