5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Serra: Si e fotografova për herë të fundit Fishtën

78478Nga treshja e poetëve të mëdhenj shqiptarë -Jeronim De Rada, Naim Frashëri e Gjergj Fishta- ishte gjallë më i madhi, françeskani At Gjergj Fishta, i cili banonte në Shkodër, në Kuvendin e Urdhrit të tij. Në atë kohë unë ndodhesha në Shqipëri, në periudhën e luftës që i ndryshoi faqen popujve e kontinenteve. Ishte një verë e bukur. Në Tiranë dielli ishte i fortë; shtëpitë shëmbëllenin me ato të Lindjes: të ëmbla dhe të freskëta. Në fshatra frynin fllade lumenjsh, ultësira mbytëse, të populluara nga dele e lopë të kuqërremta. Në shtëpinë e Nush Gjokës, në rrugën Tafaj, në orët e nxehta të gjumit të drekës, poshtë gjetheve të fikut që lëshonin hije, lexova atë verë Lahutën e Malcis, kryevepër e Fishtës. Dhe më befasoi forca lirike dhe epike, me të cilat poeti nxiste burrat dhe shfaqte pjesë të mjedisit malor, si dhe klima historike dhe e nxehtë, që nisi në vitin 1878 dhe përfundoi më 1912, kur shqiptarët u bënë ballë luftërave të furishme kundër serbëve e turqve.

Leximi i kësaj kryevepre më ngjalli dëshirën për të njohur autorin, dëshirë, e cila zë fill në maj të vitit 1939, kur At Fishta ishte zgjedhur akademik i Italisë. Kishte ardhur në Romë për ceremoninë rituale. Në atë kohë isha edhe unë në Romë, por nuk m’u dha mundësia ta shoh poetin e madh françeskan. Tashmë, ndodhesha në Shqipëri, katër hapa larg Shkodrës, domethënë nga banesa e At Fishtës dhe, më në fund, munda të përmbush dëshirën time. Rastisa në muajin tetor, përpara se lufta të prekte këto zona. Udhëtoja me automobil, në shoqërinë e një familjeje muslimane, që po shkonte në një ceremoni dasme. Pas meje, gratë bisedonin qetësisht, sikur murmurisnin lutje. Para meje, një adoleshent i paduruar këndonte herë pas herë nën zë një këngë që shprehte angështinë e luftës. Ishte e trishtë në nota. Sa e bukur ishte rruga dhe akoma më i bukur peizazhi! Ishte e mrekullueshme ajo ditë e kthjellët vjeshte! Pas një rruge në fusha kaluam në Lezhë, u ngjitëm përgjatë Drinit dhe mbërritëm në Zadrimë, në shtëpinë ku kishte lindur Fishta, në shtëpinë e poetit.

Më pas, kaluam nëpër fshatin e Barbullushit dhe Bushatit dhe sërish lundruam anës Drinit: të gjitha vendet ishin të mbushura me kujtime historike e legjenda magjepsëse. Në fund, mbërritëm në Shkodër. Në kasollet e vjetra, njerëzit rrekeshin mes barakash e stallash, në të cilat shisnin lloj-lloj sendesh; na thoshin se ishim në pazar, në një cep të Lindjes. Para nesh, në të djathtën tonë shtrihej një lumë: ishte Buna. Përtej lumit, një kodër historike ngrihej si në qiell, e zhveshur, Taraboshi. Kodra e lumenj kishin qenë për shekuj teatro luftërash të përgjakshme ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe turqve, por rrjedha e lumit derdhej mizorisht dhe e përgjumur, e dukej sikur simbolizonte kohën që shkatërron kujtimet. Zbrisja në shesh e përshëndesja. Gratë përgjigjeshin me vështrime tinëzare. Një shqiptar bujar më shoqëroi në kuvendin e françeskanëve. Ishte një ndërtesë e vjetër, prej shekujsh, thuajse e maskuar nga koha. Një murg i ri më përcolli në korridorin e kuvendit, ku kundërmonte erë myk, gëlqere dhe temjan. Ndaluam në një qeli dhe murgu trokiti. – Hajde! – gjëmoi një zë pak i ngjirur. Udhërrëfyesi u zmbraps dhe papritmas, u shfaq një tryezë e madhe, pas së cilës ndodhej një murg i vjetër, me fytyrë të freskët e të rrumbullakët.

Më përshëndeti i buzëqeshur: më në fund, ishte At Fishta! U ngrit, duke çuar krahët e tij të fuqishëm, më zgjati dorën dhe më ftoi të ulesha; u ul edhe ai. Më pas, me një shqipe të rrjedhshme, më ftoi të pija duhan. E ndezi cigaren e tij duke e dredhur. At Fishta ishte atëherë 69 vjeç, por nuk tregonte as gjashtëdhjetë. Megjithëse tryeza fshihte një pjesë të trupit të tij, struktura e bustit, e kokës dhe e krahëve ravijëzonin një personazh të veshur mirë e madhështor. Shikim i gjallë, shprehës, nën ballin e gjerë e pa rrudha. Fytyra e pastër, e trëndafiltë; fjala e peshuar, gjesti i ngadaltë e i sigurtë, zbulonin një murg të regjur në studime dhe meditim. Është malësori ekspert në përshkrimin e burrave dhe luftërave. Mbante veshur një zhgun të ri, të errët, në të cilin, në vend të vrimës së një kopse, spikaste distinktivi i Akademisë së Italisë. Mbi tryezë kishte letra e libra, jo në një përsosuri rregulli, por as edhe çrregullt. Në të majtë i varej një kryq. Qelia nuk ishte e madhe, megjithëse e rehatshme, e ndriçuar dhe e qetë. Dy dritare nga kopshti shquanin një fik të bukur, që shkëlqente në diell dhe ndër gjethet e pemëve frutore, disa harabela çukitnin fshehurazi, duke lëvizur herë – herë mbi kryet tanë. Nuk e dinin që ai fik u përkiste bijve të Shën Françeskos!… Mbi tryezë, poshtë syve, at Fishta kishte një dorëshkrim, në të cilin po bënte disa korrigjime. Përfitova nga rasti ta pyesja:
-Një tjetër vepër si Lahuta?
-Jo, është një tragjedi me shije klasike – m’u përgjigj poeti.
-Shkëlqyeshëm! – komentova – Nga Shqipëria antike në Greqinë klasike, hapi është i shkurtër.
Në këtë përfundim mbërritëm, kur u ndalëm pak në argumentin më të rëndësishëm, në Lahutën e tij të Malcis:
– Përsa i përket gjuhës, – shtova – dikush ka vërejtur se ju përdorni shumë fjalë serbe e turke.
– Gabim: – saktësoi poeti -. Si nevojë shprehjesh më është dashur të përdor fjalë që nuk gjejnë përgjigje në gjuhën tonë. Por, përdor një shumë të madhe fjalësh dhe mënyrash që i ka vetë gjuha shqipe, që flitet në male, ku edhe zhvillohen luftërat e malësorëve tanë. Në këtë qasje u shpreh At Fishta: – Nëse dikush dëshiron të hulumtojë, – shtoi – të shkruajë menjëherë në gazetë e të vërë firmën!

Pastaj, e drejtoi bisedën rreth veprës së tij satirike, fetare, oratorike, sepse At Fishta ishte edhe një orator i madh, i shenjtë. E, duke biseduar, u ngrit ngadalë, shkoi pranë bibliotekës, mori një kopje të Lahutës së Malcis dhe e vendosi mbi tryezë; e zgjati penën në faqen e parë dhe shkroi. Ma dhuroi librin dhe buzëqeshi prej kënaqësisë së tij dhe prej buzëqeshjes sime mirënjohëse e plot vlerësim.

Pashë orën: kishte kaluar më shumë se një orë. Sa shpejt kalon koha me burra mendjendritur si At Fishta! Iu luta t’i bëja një fotografi me aparatin tim, të cilën e shkrepa me gëzim të madh. Kur u ndamë, poeti më ftoi ta vizitoja sërish. I mallëngjyer, i premtova, dhe ai, duke u ngritur me vështirësi më zgjati dorën dhe më shoqëroi drejt daljes. Në fund të shkallëve, u ktheva. At Fishta qëndronte ulur si një statujë, por një statujë e buzëqeshur, që ngrinte krahun të më përshëndeste e më ftonte ende të kthehesha sërish.

Kohë më vonë, në janar të ‘41, u riktheva në Shkodër, por At Fishta nuk ishte më! Vdekja e kishte marrë pak ditë më parë, më 30 dhjetor, dhe fotografia që i kisha bërë dhe që kishte dalë vërtet e bukur ishte e fundit e poetit të madh shqiptar. Nga Buna atë ditë dilte ngadalë një mjegull e lehtë dhe e squllët, e cila mbështillte Taraboshin dhe pushtonte rrugë e shtëpi. Njerëzit lëviznin ngadalë e të heshtur si në një varrim. Dukej sikur natyra, me njerëzit e gjithçka të saj merrte pjesë në zinë e Shqipërisë, për vdekjen e poetit të fundit të madh të kombit.

ALESSANDRO SERRA*

*Përktheu nga origjinali: Erla A.Velaj, studente e vitit III, dega Gjuhë-Letërsi, Universiteti i Tiranës. Titulli në origjinal: Në Shkodër me At Fishtën, poetin e madh shqiptar.

Më Shumë

Qytetari dorëzon në polici disa pare gjetura në një qendër tregtare në Prizren

Në Stacionin Policor në Prizren qytetari me inicialet E.K. ka dorëzuar një portofol të cilën e kishte gjetur në qendër tregtare ”Lorik Center”, në...

Procesohet subvencionimi i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor

Është procesuar subvencionimi i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor, kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati. Murati ka bërë të...

Lajmet e Fundit