Shkrimtari kosovar, Albatros Rexhaj, në vjeshtën e vonë të vitit 2013, ka befasuar të pranishmit në panairin e librit “Tirana 2013”. Radhët e gjata të fansave të tij për autografin e Rexhajt, ishin të papara për letërsinë shqiptare, e sidomos në panaire. Krejt këtë ngjarje, vetë autori i këtij libri e quan efekti Heri Poter. Po suksesi me librin “Edith”, nuk e ka topitur Albatros Rexhën. Ai për vitin 2014 i ka planifikuar edhe dy libra. Në intervistën e dhënë për KultPlus, ai ka shpjeguar edhe detaje të tjera rreth letërsisë.
KultPlus: Po e mbyll vitin me suksesin e romanit “Edith”, si jeni duke e shijuar?
Albatros Rexhaj: Është një ndjenjë e çuditshme. Derisa e kam shkruar librin e tëra që kam menduar ishte se si do t’ia bëja nëse libri do të kishte sukses. Mund ta merrni me mend se çfarë fantazie mund të ketë një shkrimtar! Dhe, ja tani, e tëra që mendoj është se si në thelb asgjë nuk ka ndryshuar. E vetmja gjë ndryshe është se ndihem më i vlerësuar dhe kjo vërtet është një ndjenjë e mirë.
KultPlus: Një sukses i pritur, apo i zënë në befasi?
Albatros Rexhaj: Në befasi nuk më ka zënë sepse tërë kohën e kam ndier ngjizjen e EDITH. E kam ndier se si ajo filloi të jetonte edhe para se të “lindte”. EDITH është një personazh që e filloi jetën e vet shumë para se libri të paraqitej në panairin e librit në Tiranë. Lexuesit e mi filluan të identifikohen me EDITH dhe kjo ishte një shenjë e suksesit, por, megjithatë, duhet ta them se nuk e kam pritur atë efektin Heri Poter që u krijua në panair të librit.
KultPlus: Në një moshë relativisht të re, por i shndërruar në bestseller, të paktën kështu po të vlerësojnë, ndiheni edhe ju kështu?
Albatros Rexhaj: Po. Kjo ishte ëndrra ime. EDITH e ka një mesazh dhe mesazhi i saj është edhe mesazhi im. Kur e shoh EDITH, në duart e lexuesve gjithandej ku jetojnë shqiptarët, kjo më bën të ndihem i ekzaltuar.
KultPlus: Edhe nëse do të thuhej e kundërtën, radhët e gjata të të rinjve për autografin tuaj gjatë promovimit të librit “Edith”, në Tiranë e dëshmuan se ju jeni një autorë i adhuruar, gjë për të cilën nuk jemi mësuar ne shqiptarët të shohim këso momente, si ndiheshit në ato momente kur shihje gjithë ata njerëz duke të të pritur ty?
Albatros Rexhaj: Ky ishte efekti Heri Poter që u krijua në panair, mbase për herë të parë në historinë e panaireve shqiptare. Mos të harrojmë, unë nuk jam yll televiziv dhe as politikan, që të kem fansa që më ndjekin kudo, por jam shkrimtar dhe efekti Heri Poter lidhet vetëm me librin artistik dhe jo me librin në përgjithësi. E kam ditur se do të vinë, por nuk e kam pritur se do të vinë aq shumë. E vetmja keqardhje që e kam ndier, në ato çaste, ishte pse nuk i kam kushtuar më shumë vëmendje mësueses sime në klasë të parë, kur ajo më qortonte se duhej ta kultivoja një shkrim më të bukur. Mendoj se deri në panairin e radhës do ta angazhohem që ta bëjë shkrimin më të bukur, në mënyrë që edhe autografet të jenë më të bukura.
KultPlus: Ke vënë re, fansat e tu, janë më shumë të gjinisë femërore apo mashkullore?
Albatros Rexhaj: Në dukje të parë ka shumë femra, por nuk është se nuk kam lexues nga gjinia mashkullore. Për mua të gjithë janë të njëjtë dhe nuk bëj ndonjë dallim.
KultPlus: Ka komente, që fakti që romani ka për temë dashurinë, të ka bërë edhe më të dashur tek audienca, mendon se ky lloj tregimi mungon në letërsinë shqiptare, apo se romani i juaj është më i veçantë, pavarësisht tematikës?
Albatros Rexhaj: EDITH nuk është roman dashurie por është një roman për dashurinë. Suksesi i EDITH qëndron te mesazhi që EDITH e ka dhe ky mesazh është ndier nga shumë lexues të mi. Ndryshe, sa i përket temës së dashurisë, mendoj se dashuria është e pranishme në letërsinë shqiptare, por mungon trajtimi i duhur. Mungon guximi. Frika nga tabutë është ende e rrënjosur thellë dhe kjo është për keqardhje.
KultPlus: Do të duhej të mendoje për jetëgjatësinë e krijimtarisë tuaj në treg, a është edhe ky një argument që zgjodhe pikërisht temën e dashurisë ta trajtoje, apo gjithçka ndodhi spontanisht?
Albatros Rexhaj: Te EDITH e parashtroj pyetjen: A mund të veçohet jeta nga dashuria dhe anasjelltas? Dashuria është fillimi dhe fundi i rrugëtimit të njeriut dhe si temë është e pashtershme. Te “Ditar dashurie i një shkrimtari”, kam thënë se në shpirtin tim ka dashuri dhe vetëm dashuri, deri në fund të kësaj bote dhe përtej. Por dashuria nuk është tema ime e vetme. Ata që e ndjekin krijimtarinë time e kanë parë se i qasem edhe shumë temave tjera, por, gjithsesi, edhe ato përpiqem t’i shpjegoj nëpërmjet dashurisë. Romani im “Bombë në Beograd”, përkundër temës së luftës, në të vërtetë, është një rrëfim dashurie, sepse jeta në thelb është dashuri që shpërfaqet në pafundësisht shumë mënyra.
KultPlus: Keni në kokë ndonjë projekt tjetër, apo ndoshta tashmë veç e keni filluar?
Albatros Rexhaj: Po. Gjatë 2014 i kam në plan dy libra. Në pjesën e parë të 2014 do ta botoj një përmbledhje të vargjeve të mia më të mira të dashurisë, të shkruara ndër vite, ndërsa në panairin “Tirana 2014”, do të paraqitem me librin e radhës të titulluar “Rebelohu”. Ky libër do të jetë diçka ndryshe nga ajo që kam botuar deri tani.
KultPlus: Dhe për fund, a ka ardhur koha që edhe shkrimtarët shqiptarë mund të jetojnë vetëm nga krijimet e tyre?
Albatros Rexhaj Fatkeqësisht kjo nuk do të ndodhë edhe për një kohë të gjatë./KultPlus.com