7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Era e ndryshimeve politike

Era politikeZgjedhjet lokale të 3 nëntorit krijuan një hartë të re politike në Kosovë. Disa nga komunat që për parti të caktuara njiheshin si bastione, me zgjedhjet e fundit nuk do të quhen më të tilla.

Kështu, Prishtina nuk udhëhiqet më nga një kryetar i LDK-së, as Mitrovica e Jugut, Malisheva e Ferizaj, nuk do të udhëhiqen nga PDK-ja, kurse AAK-ja humbi bastionin më të madh Pejën, si edhe Gjakovën.

Në këtë hartë, vendin e vet tash do ta kenë edhe Vetëvendosje me Prishtinën dhe AKR me Gjakovën e Mitrovicën e Jugut. Një fituese e madhe e zgjedhjeve ishte edhe “Lista serbe” me marrjen e pushtetit në nëntë komuna.

Me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, në Kosovë u ndëshkuan të gjitha keqqeverisjet me anë të votave të qytetarëve, thonë për Radio Evropën e Lirë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, qytetarët me rezultatet përmbysëse në 20 komuna, dëshmuan se kërkojnë ndryshime dhe qeverisje e menaxhim më të mirë të komunave dhe nuk duan të vazhdojë trendi i deritashëm.

Analisti Ilir Deda thotë se ndryshimet e 1 dhjetorit janë fitore e madhe e qytetarëve dhe demokracisë në Kosovë.

“Është një humbje e madhe e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe është një fitore e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Fitues të vërtetë janë Vetëvendosja, e cila ka fituar kryeqytetin, Shpend Ahmeti, Mimoza Kusari -Lila në Gjakovë dhe Aleanca Kosova e Re në Mitrovicë”, thotë Deda.

Ndërkohë, edhe analisti tjetër, Ardian Arifaj, thotë se me këto zgjedhje u tregua qartë se votat e qytetarëve ishin kundër qeverisjes së keqe në të gjitha komunat.

“Vota në pothuajse çdo komunë ka qenë votë negative. Ka qenë votë kundër qeverisjes së deritashme. Kjo e tregon një vërejtje shumë të madhe për gjithë klasën politike. Kjo tregon se qytetari i Kosovës nuk është i kënaqur fare me mënyrën se si po qeveriset Kosova dhe kërkon një ndryshim rrënjësor të qasjes që ka klasa politike, kërkon një kompetencë më të madhe, një përgjegjësi më të madhe dhe një llogaridhënie më të madhe”, thekson Arifaj.

Krahas PDK-së që ka nën udhëheqje 10 komuna dhe LDK-së me 9, edhe “Lista serbe” do të ketë po ashtu nën udhëheqje 9 komuna të Kosovës dhe pritet të drejtojë Asociacionin Serb të Komunave.

Publicisti Belul Beqaj thotë se ky subjekt politik i formuar nga Beogradi, është fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve.

Misioni i serbëve të Thaçit përfundoi. Filloi misioni i serbëve të Daçiqit.

“Misioni i serbëve të Thaçit përfundoi. Filloi misioni i serbëve të Daçiqit. Kujtoj se është çështje e rrethanave kur edhe ministri kosovar i Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, do të shpallet tepricë teknologjike në Qeverinë e Kosovës, ngase të gjitha veprimet kryesore në komunat serbe, po i kryen ministri i Serbisë i ngarkuar për Kosovë. Ky është ai ndryshimi që duhet ta analizojmë seriozisht dhe çfarë efektesh do të na sjellë”, vlerëson Beqaj.

Qëndrimet e partive më të mëdha politike

Se në Kosovë po krijohet një hartë e re politike, për këtë flasin edhe vetë partitë më të mëdha.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, beson se votuesit nuk e zhgënjyen PDK-në, por se tani, edhe PDK-ja duhet t’i bëjë disa ndryshime të brendshme që të ruajë primatin në skenën politike.

“Votuesit na kanë dhënë mbështetje për të udhëhequr vendin, por të njëjtën kohë na e kanë dhënë edhe mesazhin për ndryshimet e nevojshme e të domosdoshme në PDK, si parakusht i domosdoshëm për të vazhduar udhëheqjen në nivel të Republikës së Kosovës dhe në shumicën e komunave”, thotë Thaçi.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili në garën e tij për kryetar të Prishtinës humbi nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, thotë se LDK-ja po kthehet në subjektin numër një në Kosovë.

Ai pret që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, LDK-ja të marrë nën drejtim Qeverinë e Kosovës.

“Nuk do të jetë ditë e largët që ne do të shënojnë fitore në zgjedhjet nacionale dhe LDK-ja do ta themelojë Qeverinë e Kosovës dhe në mënyrë të përgjegjshme e të ndërgjegjshme, ne do të qeverisim me vendin”, shprehet Mustafa.

Pas zgjedhjeve lokale, ambiciet janë drejtuar kah ato parlamentare.

Njëri nga liderët kosovar që në vazhdimësi ka thënë se do të luftojë që të bëhet kryeministër, është Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Pavarësisht humbjeve në Pejë e Gjakovë, Haradinaj ende shpreson se e ka të hapur mundësinë për t’u bërë kryeministër.

“Unë u ofroj qytetarëve një kualitet qeverisës të një qeverisjeje 100-ditëshe që kam qenë dhe do të ofertoj me të në garë me secilin që hyn në këtë garë dhe kuptohet qytetarët më pas do të vlerësojnë. Ne i kemi 15 për qind të votave të qytetarëve të Kosovës”, thekson Haradinaj.

Aktualisht, subjektet politike po synojnë të përmbyllin një reformë zgjedhore, e cila do t’i paraprinte shpalljes së zgjedhjeve parlamentare.

Megjithatë, zgjedhjet edhe mund të përshpejtohen, marrë parasysh faktin se në Kuvendin e Kosovës koalicioni aktual konsiderohet se e ka humbur qysh moti shumicën.

Më Shumë

Haxhi Shala deklarohet fajtor

Haxhi Shala të hënën në Hagë ndryshoi deklarimin rreth fajësisë, ai tani pranoi fajësinë sipas marrëveshjes që ka arritur me Prokurorinë. “Unë nuk kam qenë...

KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren kërkon nga konsumatorët që ti kryejnë obligimet për shërbimet e ujësjellësit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren  ka apeluar te konsumatorët për pagesën e faturave të ujit në fund të vitit. “Kërkojmë nga secili...

Lajmet e Fundit