Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka fituar zgjedhjet në Turqi, sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor të vendit dhe të dhënave jozyrtare nga Agjencia shtetërore Anadolu.
Fitorja e tij erdhi në një balotazh të tensionuar pasi ai nuk arriti të sigurojë me shumë se 50 për qind të votave të nevojshme për një fitore të plotë në raundin e parë më 14 maj, përcjell Telegrafi.
Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Erdogan mori 52.14 për qind të votave në raundin e dytë të dielën, duke mposhtur kundërshtarin e tij Kemal Kilicdaroglu, i cili fitoi 47.86 për qind, sipas Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve.
Rezultati pritet të konfirmohet në ditët në vijim.
Këto zgjedhje “vulosin vendin e Erdoganit në histori”, ndërsa ai zgjat qëndrimin në pushtet 20-vjeçar për pesë vjet të tjera.
Kështu, Erdogan u shfaq jashtë rezidencës së tij në Uskudar të Stambollit, ku këndoi përpara se të falënderonte një turmë adhuruese.
Ai shtoi se të gjithë 85 milionë qytetarët e vendit ishin “fituesit” e dy raundeve të votimit më 14 dhe 28 maj.
Më pas ai u drejtua për në Ankara, ku iu drejtua mbështetësve në pallatin presidencial. Erdogan uroi turmat dhe u tha atyre se çështja më urgjente me të cilën përballet vendi aktualisht ishte inflacioni, përpara se të shtonte se nuk ishte një problem i vështirë për t’u zgjidhur.
Erdogan shtoi se shërimi i plagëve të tërmeteve të shkurtit dhe rindërtimi i qyteteve dhe qytezave të shkatërruara nga fatkeqësia natyrore do të vazhdojë të jetë ndër prioritetet e tij.
Por një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vende të tjera ku jetojnë turqit – dhe jo vetëm, përfshirë Kosovën, përkatësisht në Prizren. /Telegrafi/