Fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën, Lionel Messi, dhe një prej lojtarëve më të mirë në histori të futbollit, të shtunën do ta zhvillojë ndeshjen e fundit me kampionin e këtij edicioni në Francë, Paris Saint-Germain.
Messi 35-vjeçar do të largohet nga skuadra parisiene me dy tituj rresht të fituar, ndërsa duelin e fundit do ta luajë kundër Clermontit të Elbasan Rashanit. Lajmi për largimin e Messit u konfirmua të premten në konferencën për shtyp nga trajneri i PSG-së, Christophe Galtier.
Messi i ishte bashkuar skuadrës së PSG-së në vitin 2021 nga Barcelona si futbollist i lirë. Ai në këtë edicion ka shënuar 21 gola dhe 20 asistime për PSG-në në të gjitha garat, ndërsa ka 32 gola në 74 ndeshje në përgjithësi për klubin e kryeqytetit francez.
Messi pritet ta vazhdojë karrierën në elitën e futbollit të Arabisë Saudite dhe nuk pritet të rikthehet te Barcelona, skuadër tek e cila i kaloi 21 vjet.
PSG-ja e fitoi titullin e kampionit javë më parë, teksa ka grumbulluar 85 pikë, katër më shumë se Lensi i vendit të dytë. Deri në fund të kampionatit do të luhet vetëm edhe një xhiro. Por gara për vendet e tjera të garave të UEFA-s do të jetë shumë interesante.
Lille, Rennesi dhe Monaco do të luajnë në ditën e fundit të sezonit dhe që të tri këto skuadra, janë në kërkim të dy vendeve që dërgojnë në garat evropiane sezonin tjetër.
Këto skuadra kanë dallim vetëm një pikë. Lille i Edon Zhegrovës zë vendin e katërt që siguron fazën grupore të Ligës së Evropës me 66 pikë. Ka një pikë më shumë se Rennesi i vendit të pestë, vendi i fundit që dërgon në garat evropiane, në kualifikime të Ligës së Konferencës. Monaco është i gjashti po ashtu me 55 pikë.
Të gjitha ndeshjet e xhiros së 38-të në Ligue 1 të Francës luhen të shtunën në orën 21:00.
Kualifikimi në Ligën e Evropës për Lillen do të ishte arritje e madhe, pasi kjo skuadër shkoi deri në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve edicionin e kaluar.
Lille luan në udhëtim te Troyesi, Rennesi udhëton te Bresti, kurse Monaco e pret Toulousen.
Lille e ka mposhtur dy herë Troyesin në këtë edicion, në Kupën e Francës dhe në Ligue 1.
Por Troyesi nuk ka pësuar humbje në shtëpi që prej muajit gusht. Megjithatë, udhëtimet nuk i pasur të suksesshme. Edhe Lille nuk është në formën më të mirë. Nuk ka fituar në katër vizitat e fundit dhe ka marrë vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit si mysafir.
Troyesi madje nuk ka fituar në 20 ndeshjet e fundit në ligë.
Në Ligën e Kampionëve do të luajnë në edicionin tjetër Paris Saint-Germaini si kampion, dhe Lensi nga vendi i dytë. Në kualifikime të kësaj gare do të luajë Marseille që përfundoi në pozitën e tretë.