Prof.dr. Xhafer Beqiraj
(Në ceremoninë e 80-vjetorit të lindjes së Profesor Ukshin Hotit)
Të flasësh për përsonalitetin shumëpërmasësh të Ukshin Hotit, është e pamundur që ta përmbledhësh biografinë e tij në një shkrim si ky. Në të vërtetë, do të duheshin ditë e ditë të tëra për të përshkruar jetën dhe veprën e këtij vigani atdhetar. Andaj, sa është privilegj për ne të flasim për të, po aq e vështirë dhe me përgjegjësi, sepse nuk do të arrijmë t’i themi të gjitha për jetën dhe për bëmat e mëdha dhe heroike të profesor Ukshin Hotit.
Ukshin Hoti lindi më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe.
Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e tij, ndërsa shkollën normale e përfundoi në Prizren dhe në Prishtinë. Më pas vazhdoi studimet në Zagreb në Fakultetin e Shkencave Politike, kurse studimet pasuniversitare i kreu në Beograd, drejtimi i Marrëdhënieve Politike dhe Ekonomike Ndërkombëtare. Në vitet 1977-1978 kryen studimet pasuniversitare në Universitetin e Çikagos, të Harvardit dhe të Uashingtonit dhe ishte ndër të parët studentë të këtij rajoni që fitoi të drejtën të jetë pjesë e programit fullbrajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Që nga fillimi i viteve ’70-ta e gjer në rënien e tij në burg më 1981, ka ushtruar disa funksione me peshë të veçantë politike, akademike e arsimore. Ka qenë anëtar i të gjitha forumeve federale të ish-Jugosllavisë që merreshin me politikë ndërkombëtare. Ai ishte sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Kosovës dhe anëtar i forumeve federative, republikane dhe krahinore që merreshin me politikë të jashtme në ish-Jugosllavi.
Në Kosovë, përpos funksioneve politike, ka qenë edhe ligjërues në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin Filozofik. Ishte i pari politikan që vuri themelet e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me SHBA-në, me Shqipërinë e me vende të tjera perëndimore. Në vitin 1981 ishte njëri ndër të paktë politikanë e intelektualë që e përkrahu hapur Republikën e Kosovës. Qëndrimi i tij kombëtar e demokratik në vitin 1981 ishte një shembull i papërsëritshëm për proceset demokratike në hapësirën e Europës Lindore komuniste.
Në atë kohë, Kosova bashkë me Poloninë filloi të lëvizte drejt dritës, drejt një të ardhmeje të natyrshme demokratike që u takonte edhe popujve të kësaj pjese të Europës. Por shteti komunist jugosllav, me ndihmën ish-komunistëve të atëhershëm të Kosovës që ishin në pushtet, nuk ngurroi ta dënojë Ukshin Hotin me nëntë vjet burg. Pas daljes nga burgu, shteti komunist e izoloi plotësisht. Ndonëse ishte i braktisur prej të gjithëve, sulmi ndaj tij filloi edhe në pikën më të ndjeshme të njeriut. Natyrisht, ky ishte një mësim i kursit famëkeq dhe të pashembullt të shtetit serbo-sllav, ku nuk mungonin as shqiptarët e mjerë. I lodhur më 1990, Ukshin Hoti vendos të shkojë në Lubjanë. Atje punon në revistën “Alternativa” dhe “Republika”.
Më vonë nxjerr revistën “Demokracia autentike”, të cilën e drejton vetë. Por pas një kohe të shkurtër ia bllokojnë revistën përmes financave. I papunë kthehet në Kosovë. Studentët e Universitetit të Prishtinës, duke e njohur se kush ishte profesor Ukshin Hoti, bëjnë të pamundurën që atë ta kenë përsëri në katedër, andaj i mbështetur nga ta, pranohet më në fund në fakultet ku kishte qenë edhe më parë.
Më 1993 e kryen edhe dënimin e dytë për shkak se e kishte thyer kordonin e policisë speciale serbe te Bërryli i Nagafcit me disa qindra bashkatdhetarë. Policia speciale serbe nuk kishte dashur t‘i lejonte ata që t‘u bënin homazhe dëshmorëve të demokracisë të rënë më 27 janar 1990 në Brestofc. Në prag të zgjedhjes së tij kryetar i UNIKOMB-it arrestohet sërish, e kësaj radhe dënohet me pesë vjet burg, gjithnjë me arsyetime tashmë të njohura të shtetit kriminal serb.
Lufta në Kosovë e zë Ukshin Hotin në burg. Më 16 maj të vitit 1999 ai është parë për herë të fundit nga shokët e burgut në Dubravë dhe po këtë ditë, pra, një ditë përpara se të përfundojë vuajtjen e dënimit, një ditë përpara se të mbushë pesë vjet burg. Ukshin Hoti është nxjerrë prej andej me dy përcjellës. Që nga 16 maji askush nuk di asgjë për fatin e këtij njeriu të madh të kombit.
Profesor Ushin Hoti, siç theksuam që në fillim, është personalitet shumëpërmasësh e shumë kompleks, sepse vetë jeta dhe veprimtaria e tij, si te askush tjetër, shpërfaq një figurë kombëtare e intelektuale të pakundshoq, duke filluar që nga mosha rinore e deri në përjetësi, sepse ai e mundi edhe vdekjen.
Ukshin Hoti nga burgu më 1998 shkruante: “E besoj se nuk është në natyrën e njeriut dhe as të kombit të pajtohet me statusin e robit. Jam plotësisht i vetëdijshëm se ajo UÇK-ja – solli me vete jo vetëm ndikimin rrënjësor në realitetin politik shqiptar dhe jashtëshqiptar, ndryshimin e tyre, por edhe shumë të panjohura në vetë atë realitet dhe në ambientin ku është vendosur. Me gjithë keqardhjen e sinqertë për viktimat dhe konsekuencat e luftës, kam besim të plotë se UÇK-ja, ashtu siç doli në skenë, në mënyrë dinjitoze dhe efikase do të dijë ta përmbushë misionin e vet, duke e mundur edhe luftën si të tillë, ose së paku, t’i kontribuojë edhe këtij qëllimi, me karakter universal, gjithënjerëzor dhe fisnik.” (Ky paragraf nga z. Selami Hoti).
Profesori universitar, shkrimtari, politikani, filozofi i përmasave kombëtare, europiane e më gjerë, zëri i ndërgjegjes kombëtare shqiptare – profesor Ukshin Hoti – është tribun i kombit dhe si i tillë do të jetë përjetësisht. Veprat e tij janë e do të jenë diell e hënë për ne, sepse na rezatojnë ditën e na ndriçojnë natën. Veprat e tij, përveç shumë shkrimeve të tjera, janë “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, “Bisedë përmes hekurash” dhe “Lufta e Ftohtë dhe Detanti”.
* * *
Ka 24 vjet që e përkujtojmë jetën dhe veprën e profesor Ukshin Hotit vit për vit, por deri më tani, as Akademitë e Shkencave tona, as Institutet, as institucionet e tjera nuk kanë marrë mundin të hartojnë deri më tani, qoftë edhe një monografi shkencore për jetën dhe veprimtarinë e këtij vigani të çështjes kombëtare. Kështu që propozoj të hartohet një monografi për profesor Ukshin Hotin nga Universiteti ynë – emrin e të cilit e mban me krenari.
(…)
Lavdi jetës dhe veprës së pavdekshme të Profesor Ukshin Hotit!