Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Riza Smaka, e ka vlerësuar të panevojshme idenë e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, për t’i bërë ftesë Komisionit të Venedikut për ta ofruar ekspertizën e tij në çështjen e reformës zgjedhore.
“Gjykoj se nuk ka nevojë për ndihmë nga Komisioni i Venedikut sepse reforma zgjedhore është një çështje e juridikisht e çartë dhe e lehtë. Këtë mund ta bënte ish-Komisioni për Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor dhe atë hiq më gjatë sesa brenda një muaji. Pra, sikur mos të kishte presione politike që, medet për neve, janë të shumta, kjo punë do të kryhej qysh moti, bile do të harrohej”, ka deklaruar Smaka për “Epokën e re”.
Ai ka thënë se reforma zgjedhore nuk është çështje e ndërlikuar. “Reforma nuk është fare problematike. Është tepër e thjeshtë. Në këtë drejtim e shoh të panevojshme t’i bëhet ftesë Komisionit të Venedikut ta japë mendimin e tij për këtë çështje”, ka deklaruar Smaka, duke shtuar se ardhja e ekspertëve nga Komisioni i Venedikut do t’i kushtonte Kosovës edhe në aspektin financiar.
“Ju e dini se ekonomia e tregut mbështetet në probabilitet (fitim). Dhe natyrisht kush i bën ftesë dikujt duhet ta paguajë. Edhe po të vinin pa pagesë ekspertët nga Komisioni i Venedikut, për mendimin tim, nuk është i nevojshëm. Pse? Sepse këtu po del se juristë tanë janë të dobët. Unë e di se kemi juristë jashtëzakonisht të aftë, të cilët mund të punojnë dhe t’i japin instruksione shumë të mira edhe Komisionit të Venedikut. Mungesa e profesionalizimit as që mund të diskutohet. Këtu janë në pyetje presionet politike irracionale”, është shprehur Smaka.