AFRIM IMAJ/ I bindur se mund të mësojë shumë nga zullumet e Mehmet Shehut në Kombinatin Metalurgjik, Enver Hoxha mundohet të hetojë dhe detajin më të vogël nga biseda me Hajrdin Çelikun, anëtarin e byrosë Politike që më së fundi i ishte besuar drejtimi i kombinatit.
Interesimi i shefit të Partisë në takimin e 29 prillit ’82, nis me pyetjet për njerëzit që e shoqëronin Kryeministrin e vetëvrare gjatë vizitave të shpeshta që bënte në Elbasan, ku kishte rezervatin e tij të preferuar të gjuetisë dhe vijon me hulumtimin për shkaqet e katastrofave që pasuan njëra tjetrën në fundin e viteve ’70 në Metalurgjik. Përveç emrave të përgjegjësve kryesorë të këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme, Hoxha kërkon me ngulm të mësojë diçka për lidhjet e tyre me Mehmet Shehun. Çeliku, që e njihte mirë “hobin” e shefit për të tilla raste, shpalos para tij ato që ka seleksionuar më parë jo vetëm nga memoria e vet, por dhe nga pohimet e vartësve që më në fund kishin guxuar të hapnin gojën për rolin e njerëzve të kryeministrit në sabotimet e një pas njëshme në Kombinat.
Në narrativën e drejtorit të sakrifikuar nga Byroja Politike për të normalizuar situatën kritike në këtë vepër të rëndësishme të ekonomisë, pasi shpalosen njëra pas tjetrës aksidentet e shumta, ku kanë humbur jetën dhjetëra metalurgë, një moment shpërfaqet emri i njërit prej drejtuesve kryesorë të kombinatit, që sipas tij ka dorë në çdonjërën prej tyre. Këtu Hoxha ndalon gjatë dhe kërkon çdo imtësi mbi profilin e Feruz Matës, drejtorit të montimit, emri i të cilit nuk është i panjohur për të. Aty për aty Çeliku rreshton shkeljet e shumta që ka lejuar ai në zbatim të projektit dhe bindjen e pakontestueshme për veprimtari armiqësore. Pjesa në vijim e dokumentit sjell një panoramë të zgjeruar rreth profilit të njërit prej inxhinierëve më në zë të kohës, që me sa duket, tragjedia e papritur e Mehmet Shehut e vuri në syrin e ciklonit…
DOKUMENTI
ENVER HOXHA: Lëri të tjerat, po përqendrohu një herë këtu, te furrlarta
HAJREDIN ÇELIKU: Përveç materialit që i dërgova me shkrim, i thosha Mehmet Shehut, në qoftë se kërkoni të dhëna e shpjegime të tjera, jam gati të vij t’jua tregoj verbalisht. Por ai as që u ndie. Më vonë, kur pa që unë nuk e lashë në heshtje këtë çështje, çoi shokun Qirjako Mihali, ishte gjetur edhe mënyra si të riparohej, që hekuri të vihej sipas projektit. Tani vërtet u riparua objekti, mirëpo, përveç veprimtarisë së dyshimtë që duhej parë, “harresës” gjithë kjo punë e tepërt solli edhe dëme nga ana ekonomike, u bënë shpenzime të tjera plotësuese që arrijnë në rreth një milion lekë. Si do të justifikohej ky shpenzim dhe nga dolën këto para? Po jo vetëm kaq, ç’është me rëndësi pastaj edhe ana politike e çështjes, se armiqtë tanë do ta shfrytëzojnë këtë rast për të propaganduar se shqiptarët nuk janë të zotët të bëjnë një furrëlartë. Dhe përveç këtyre do të ishte e keqe mbi të gjitha të ndodhte nga kjo “harresë” gjatë shfrytëzimit, kur për shkak të mungesave në zbatimin e projektit do të na vriteshin njerëz të tjerë. Lidhur me këtë veprim të dyshimtë unë lidh edhe dy katastrofat që kanë ndodhur në Uzinën 12-të të Kombinatit Metalurgjik
ENVER HOXHA: Dale tani të mbarojmë një herë me furrëlartën. Si u bë ky “riparim”, kur u pa që objekti ishte “mbaruar” me beton e me të gjitha kërkesat e tjera të projektit?
HAJREDIN ÇELIKU: Ne kërkuam që të prisheshin ndërtimet që ishin konsideruar nga drejtuesit e ndërtim-montimit si të mbaruara. Riparimi i kësaj pune nga ndërtuesit u mendua të bëhesh rreth e rrotull, duke zvogëluar diametrin dhe armaturën dhe masën prej dy tonë e gjysmë hekuri ta fusnin nga sipër, pastaj të lidhin betonin e vjetër me betonin e ri. Të them të drejtën, ne nuk ishim aspak dakord me këtë punë.
ENVER HOXHA: Të zvogëlonin diametrin, të futnim armaturën me hekur, pastaj të lidhnin betonin e vjetër me betonin e ri?
HAJREDIN ÇELIKU: Kështu mendonin. Të them të drejtën, ne nuk ishim dakord për një veprim të tillë, bile kërkuam edhe zyrtarisht si e qysh po behej kjo punë, po kurrë nuk na erdhi ndonjë përgjigje.
ENVER HOXHA: Domethënë, po të kërkohej më parë dokumenti në arkivin e kombinatit, nuk do të gjeje gjë, që të tregonte se ky objekt ishte harruar, pastaj që u riparua më vonë.
HAJREDIN ÇELIKU: Ashtu është. Po më e tmerrshmja do të ishte katastrofa që do të ndodhte në të ardhmen, kur furrlarta do të vihej në funksion. Thamë se edhe një shtyllë betoni vreshti kërkon disa fije hekur.
ENVER HOXHA: Po, e kuptova. Domethënë kjo punë është neglizhuar nga punonjësit e ndërtim-montimit.
HAJREDIN ÇELIKU: Megjithë informacionin që i bëra Mehmet Shehut, praktikisht ai as erdhi, as pyeti njeri, as mori ndonjë masë për rregullimin e çështjes. Vetëm shumë kohë më vonë çoi për këtë çështje në vend shokun Qirjako Mihalin.
ENVER HOXHA: Mirë, ai vetë mund edhe të mos vinte, po rëndësi ka që kur ti i dërgove letrën, ai nuk t’u përgjigj. Po shoku Qirjako pas sa kohe erdhi afërsisht?
HAJREDIN ÇELIKU: Shoku Qirjako ka ardhur atje pas disa muajsh dhe në një kohë kur në kombinat ziente midis të gjithëve kjo çështje.
ENVER HOXHA: Pas disa muajsh? Po ç’bëhesh gjatë këtyre kohërave atje?
HAJREDIN ÇELIKU: Deri atëherë kish mbetur pa ndërtuar akoma furrlarta, kur kjo duhesh të kish mbaruar me kohë dhe vetëm thjesht për këtë “harresë” nuk kishte përfunduar.
ENVER HOXHA: Mirë, e kuptova. Iku kjo.
HAJREDIN ÇELIKU: Si furrlarta janë atje edhe tre ajërngrohëse. Funksioni i këtyre është të merret ajri nga jashtë, të ngrohet në ajërngrohësin e parë, të ngrohet në të dytin, të ngrohet pastaj edhe në të tretin dhe, më së fundi, të futet në furrlartë në temperaturën që duhet prej 800 e ca gradësh celsius, me qëllim të kursehet nga ky proces pune koksi dhe lënda djegëse. Edhe në këtë punë praktikisht ka pasur shkelje të normave gjatë procesit të ndërtimit.
ENVER HOXHA: Ke pasur shkelje të procesit teknologjik?
HAJREDIN ÇELIKU: Të ndërtimit, shoku Enver, sepse për ndërtimin e ajërngrohësve kanë marrë tulla jo sipas kërkesave të projektit.
ENVER HOXHA: I kemi ne këto tulle?
HAJREDIN ÇELIKU: Në fakt, atje ka pasur tulla të tilla.
ENVER HOXHA: Kurdoherë Feruz Mataj i drejtonte atje punimet e ndërtim-montimit? Po kryeinxhinierët a ç’janë ata, specialistët e tjerë, ç’bënin? Nuk i shihnin këto gjëra?
HAJREDIN ÇELIKU: Feruz Mataj ishte drejtuesi kryesor, Kryeinxhinierët dhe specialistët e tjerë ishin gjithashtu atje, po Feruzi ish ai që drejtonte punimet. Ky ka ardhur në drejtim të ndërtim-montimeve në kombinat menjëherë pas arrestimit të Shkëlqim Bumçit.
ENVER HOXHA: E di, po inxhinierët dhe specialistët e tjerë ç’qëndrim mbanin pas gjithë këtyre vërejtjeve që bëheshin nga ana juaj?
HAJREDIN ÇELIKU: Ata të ndërtim-montimit u përpoqën me të gjitha mënyrat që këto çështje të mos dilnin në shesh. Mirëpo kjo nuk është diçka e vogël që mund të mbulohet lehtë. Ata mund të mbulonin dhe, në fakt, kanë mbuluar gjëra të vogla, që edhe nga këto ka pasur plot, po gjëra të tilla kaq të mëdha jo, nuk mund t’i mbulonin.
ENVER HOXHA: Po tjetër, për këta të ndërtimit?
HAJREDIN ÇELIKU: Ne themi se, në përgjithësi, drejtuesit e ndërtimit të kombinatit nuk i janë përmbajtur projektit dhe, megjithëse i kanë bërë këto veprime të palejueshme, janë përpjekur t’i fshehin nga ne. Ata kanë neglizhuar, kanë shkelur në këtë rast çdo rregull. Pra ata si ndërtues kanë shpërfillur investitorin.
ENVER HOXHA: Ashtu është, ti si zbatues e ke për detyrë që çdo gjë ta kesh në rregull, po edhe unë si investitor kam të drejtë të vij të të kontrolloj.
HAJREDIN CELIKU: Këto veprime jo të rregullta i kemi nxjerrë nëpërmjet punonjësve të ndërtimit veças, të cilët kanë ardhur na kanë vënë në dijeni.
ENVER HOXHA: Tjetër?
HAJREDIN ÇELIKU:Ngjarje të tilla, shoku Enver, kanë ndodhur me ardhjen e Feruz Matajt në kombinat, që gjoja, siç u tha atëherë, u dërgua për të forcuar punën në ndërtim-montim.
ENVER HOXHA: Ne kemi vendosur për dërgimin e tij atje si drejtor të ndërtimeve, po propozimin konkret për të nuk mbaj mend kush na e ka bërë.
HAJREDIN ÇELIKU: Të them të drejtën, në fillim ne nuk e njihnim si, qysh e çfarë njeriu është ky.
ENVER HOXHA: Diçka kam dëgjuar për këtë njeri..
HAJREDIN ÇELIKU: Ai nuk ka vetëm këto shoku Enver, po ka edhe shumë anë të tjera negative. Po ta marrësh nga përbërja, del që Feruz Mataj është bir federali. Një kjo. E dyta ai ka mbaruar për inxhinier portesh në Poloni. E treta, ka qenë favoriti i Mehmet Shehut.
ENVER HOXHA: Bir i një federali fashist? Ajo që ka mbaruar në Poloni është gjë tjetër.
HAJREDIN ÇELIKU: Edhe e shoqja e tij është mbesë e Hulusi Spahiut, shoku Enver.
ENVER HOXHA: Mbesë e Hulusi Spahiut qenka e shoqja e Feruzit? Po i ati që më the se ka qenë federal, kush është? Pastaj ku ka qenë caktuar me këtë funksion?
HAJREDIN ÇELIKU: Thonë që ka qenë andej nga Tepelena nuk e di mirë, po më duket nga jugu duhet të ketë shërbyer.
ENVER HOXHA: Mbesë e Hulusi Spahiut është gruaja e tij? Nga vëllai, apo nga motra?
HAJREDIN ÇELIKU: Duhet të jetë tamam mbesë e Hulusi Spahiut, se e quajnë Jeta Spahiu, po konkretisht nga vëllai apo nga motra nuk e di mirë, shoku Enver. Me qenë se mbiemrin e ka Spahiu, mund të jetë vajza e vëllait, megjithatë shoqja ime, që e kam nga Gjirokastra, e njeh mirë atë.
ENVER HOXHA: Feruzi ka qenë më pare kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit të Elbasanit?
HAJREDIN ÇELIKU: Po, ashtu ka qenë, kryetar komiteti.
ENVER HOXHA: Ka pasur përshtypje të mira në popull kur ka punuar ai si kryetar i komitetit ekzekutiv në Elbasan?
HAJREDIN ÇELIKU: Fillimisht më kanë thënë se edhe nga ana e punës nuk ka qëndruar shumë mirë.
ENVER HOXHA: Nga anët e tjera, pyes unë, pa nga ana e punës, na e kanë paraqitur sikur ka pas punuar mirë.
HAJREDIN ÇELIKU: Të dhënat në drejtim të furrnaltës tregojnë se dhe një inxhiniere që ishte ngarkuar për të drejtuar punimet, ka qëndruar vazhdimisht afër me të dhe përmbi të gjitha aq të fortë e ndjente ajo veten duke pasur mbështetjen e Feruzit, sa që na ka mbajtur edhe pasaportën e furrëlartës. Ky dokument na duhej neve, kurse ajo e ka mbajtur me vete.
ENVER HOXHA: Pse e mban ajo këtë pasaportë?
HAJREDIN ÇELIKU: E quan si një “dhuratë” që kinezët ia paskëshin bërë asaj, kurse ky është një dokumentacion teknik që i vlen shumë kombinatit.
ENVER HOXHA: Kujt ia jep kjo, hallës ta mbajë? Ku e ka mbajtur deri tani ajo këtë dokument? Po tani ku është, ku punon kjo vajzë?
HAJREDIN ÇELIKU: Kjo e ka mbajtur ketë në shtëpi, edhe kur ka pasur punuar në furrlartë. Zaten ishte kjo që e bëri këtë “harresë” në bazamentin e furrlartës. Dhe ka qenë pastaj shumë afër edhe me kinezët. Më vonë, u lidh ngushtë edhe me specialistin suedez.
ENVER HOXHA: Po ku punon tani ajo?
HAJREDIN ÇELIKU: Në Ministrinë e Ndërtimit.
ENVER HOXHA: çfarë mban tani tjetër në shtëpi kjo?
HAJREDIN ÇELIKU: Mban pasaportën teknike të furrnaltës, pa të cilën ne, punonjësit e shfrytëzimit, nuk mund të punojmë ENVER HOXHA: Dhe nuk e jep këtë?
HAJREDIN ÇELIKU: Nuk na e jep, megjithëse ia kemi kërkuar zyrtarisht, si nëpërmjet drejtorisë, ashtu edhe nëpërmjet ministrisë ku punon. I kemi kapërcyer të gjitha këto instanca me radhë. Tani në fund e proceduam për ndjekje penale.
ENVER HOXH&: $i quhet kjo vajzë?
HAJREDIN ÇELIKU: X….
ENVER HOXHA: Nga është?
HAJREDIN CELIKU: Ndofta mund të jetë nga Korça.
ENVER HOXHA: Ku punon tani?
HAJREDIN CELIKU: Në Ministrinë e Ndërtimit
ENVER HOXHA: Në këtë kohë, shoku Enver merr në telefon, Si e the ti emrin e këtij dokumenti?
HAJREDIN CELIKU: Pasaportën e furrlartës. Mosdorëzimin e kësaj ne ia kemi bërë të njohur degës së brendshme të rrethit për ta proceduar për ndjekje penale, si njeri që pengon shfrytëzimin e objektit. Jo vetëm kaq, por edhe suedezi që erdhi tani për remontin e mikserit, ka prurë dy libra për ne. Edhe këto i ka marrë ajo. Bëri ç’bëri me furrlartën, me bazamentin e saj, tani ajo po përpiqet të na mbajë dhe këto materiale..
ENVER HOXHA: Po ç’donte ajo në kombinat, si erdhi puna që ti e dëbove?
HAJREDIN CELIKU: Po ja? Ç’donte? Për këtë arsye dhashë urdhër menjëherë të lërohej andej dhe, në të njëjtën kohë, të kontrollohej një më një remonti i furrnaltës, se mos na ka bërë ndonjë gjë të pabërë. (Bije zilia e telefonit dhe shoku Enver bisedon, si duket, me atë që mori pak më parë) “Alo, mirëmëngjesi, shiko, në Ministrinë e Ndërtimit punon një inxhiniere e quajtur ….e cila mban në shtëpinë e vet materiale që i përkasin Kombinatit Metalurgjik, siç është pasaporta termike e furrlartës së re, si dhe dy libra që ia ka dërguar një specialist suedez, që ka vajtur atje dhe që kanë të bëjnë me kombinatin. I thuaj të t’i sjellë atje brenda ditës, ndryshe do ta arrestojmë. Ditën e mirë”.