Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nga institucionet e Shqipërisë sheh gjithmonë mikpritje dhe gatishmëri për bashkëpunim.
Osmani pas takimit me presidentin Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria dhe Kosova qëndrojnë të përbashkuara, duke shtuar se kombi shqiptar gjithnjë ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktorë stabiliteti në rajon me orientim të qartë euroatlantik.
“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike dhe historike, kulturore dhe kombëtare që i bëjnë lidhjet tona të forta dhe të pathyeshme. Përballë sfidave ne qëndrojmë të përbashkuar duke u fokusuar në një qëllim stabiliteti, prosbiliteti dhe integrimi euroatlantik i vendeve tona. Kombi shqiptar gjithnjë ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktorë stabiliteti në rajon me orientim të qartë euroatlantik”, ka thënë Osmani në një konferencë për medie me Begajn.
Më tutje, Osmani ka deklaruar se Kosova ka nevojë për mbështetje të fuqishme nga Shqipëria.
“Sërish kemi nevojë për mbështetje të fuqishme të Shqipërisë, sidomos që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare, ku Kosova ende nuk ka përfaqësim. Falënderoj zotin Begaj për angazhimin e pashoq dhe shumë aktiv që nga dita e parë në mandatin e tij si president në arenën ndërkombëtare duke kërkuar me zë të fuqishëm që Kosova ta ketë vendin e merituar në çdo organizëm ndërkombëtar”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Kosova dhe Shqipëria kanë një rrugë të përbashkët euroatlantike.
“Ne jemi dy shtete, por fatet tona janë të ndërthurura teksa rruga jonë është vetëm një, është rrugë e përbashkët, është rruga euroatlantike. Me shpresë, qëndrueshmëri dhe përkushtim do të angazhohemi së bashku për të ndërtuar për një të ardhme më të mirë për shtetet tona e mbi të gjitha për qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.