Peshkopi Teodosije sot pasdite ka vizituar Manastirin e Banjskës, për t’u njoftuar për ngjarjet që kanë ndodhur në dhe rreth manastirit dje dhe sot.
“Gjatë ditës, EULEX-i dhe policia e Kosovës kanë arritur në manastir për të kryer një hetim. Brenda ndërtesave të banimit dhe kishës së manastirit, të cilat janë brenda mureve të manastirit dhe kanë qenë të mbyllura gjatë ngjarjeve, as EULEX-i dhe as policia nuk gjetën ndonjë gjë që mund të rrezikonte manastirin apo personelin që shërbente brenda saj”, ka njoftuar Dioqeza Rashkë-Prizren.
“Megjithatë, në dy zona të oborrit të manastirit u zbuluan armë zjarri, parzmore dhe pajisje luftarake. Këto gjëra u hodhën nga personat e armatosur gjatë tërheqjes së djeshme nga manastiri”, vijon njoftimi.
Dioqeza thotë se e rëndësishme është se në manastir nuk u gjetën gjurmë gjaku dhe gjatë gjithë ngjarjeve nuk pati viktima brenda mureve të manastirit.
“Ekipet e mjekësisë ligjore morën gjurmë dhe intervistuan pelegrinët, të cilët më pas, të shoqëruar nga policia dhe EULEX-i, kaluan përmes kalimit kufitar të Jarinjës për t’u kthyer në shtëpitë e tyre”.
Dioqeza thotë se murgjit dhe as pelegrinët nuk kanë pasur ndonjë përfshirje në ngjarjet tragjike të ditës së djeshme.
Në njoftim thuhet se manastiri po kthehet gradualisht në normalitet.
“Kisha jonë mbetet e përkushtuar fuqishëm që të gjitha çështjet në Kosovë dhe Metohi t’i trajtojë në mënyrë paqësore dhe përmes dialogut, duke dënuar të gjitha format e kërcënimeve dhe dhunës”, thuhet mes tjerash në njoftim