7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Në rigjykim, ish-inspektori deklarohet i pafajshëm për mosrrënimin e ndërtimeve pa leje në Prizren

Ish- inspektori i ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu nuk e ka pranuar fajësinë për akuzën se ka kryer dy vepra penale të korrupsionit. Ai ngarkohet se nuk i ka rrënuar ndërtimet pa leje nga investitorët Isuf Alibajra dhe Shaqir Rrahmanaj në zonën e “Qylhanit” në Prizren.

Këtë deklaratë Musliu e ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën e rigjykimit pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-inspektorit Musliu, i cili nga Gjykata Themelore në Prizren, ishte dënuar me dënim unik prej 14 muajve burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve, ku mbrojtësja e të akuzuarit Musliu, avokatja Valbonë Morina ka thënë se aktakuza nuk është e mbështetur në prova materiale.

E njëjta ka kërkuar nga gjykata që të veprohet sipas vërejtjeve që ka dhënë Gjykata e Apelit. Sipas saj, do të vërtetohet se i akuzuari Musliu nuk është fajtor për veprat penale për të cilat po ngarkohet.

Kurse, prokurorja Gashi dhe përfaqësuesi i të dëmtuarës, Komuna e Prizrenit, Fatmir Memaj kanë deklaruar se qëndrojnë pranë fjalëve hyrëse të dhëna më 13 janar 2021.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 10 nëntor 2023.

Prokurorisë Themelore Prizren, më 26 nëntor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nexhmedin Musliu për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej 23 majit 2017 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri tek Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarrë veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Isuf Alibajrës ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.

Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017 sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanajt ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Ai akuzohet edhe në disa raste të tjera që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Mbështetje shtesë për fëmijët dhe pensionistët, Murati: Pagesat do të ekzekutohen javën e ardhshme

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të ketë mbështetje shtesë për fëmijët dhe pensionmarrësit. Murati ka bërë...

Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Shqipëri për Lojërat Mesdhetare 2030

Kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama në emër të qeverive respektive nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për organizimin e Lojërave...

Lajmet e Fundit