Kjo gjendje ka determinuar që paralelet e shkollave në zonat rurale të Dollocit, Stravoçinës dhe Vërrshecit të fuzionohen në shkollat amë. Nxënësit për në shkollat amë çdo ditë barten me kombi-bus.

Në mes të fshatit Dolloc në Suharekë është objekti i shkollës, në të cilin kanë vijuar procesin mësimor, vetëm atë fillor, fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën.

Vite më parë korridor i shkollës gumëzhinte nga zhurma e nxënësve, derisa sot kemi një qetësi absolute, pasi 10 nxënësit e paraleles në Dolloc, janë bartur në  shkollën amë “Edit Durham” në Mushtisht

Merinson Destani tani është nxënës në klasën e katërt. Këtë fillimit shkollor ai nisi rrugëtimin e klasës së katërt në ambiente të reja, në një klasë e cila numëron gjithsej 16 nxënës. Derisa ishte nxënës i vetëm në klasë përgjatë dy viteve shkollim në paralelen në fshatin Dolloc.

“Në klasën e parë kam qenë me një shoqe, por ajo ka shkuar në Slloveni dhe tani në klasën e dytë dhe të tretë kam qenë veç vetë…”, tha Merinson Destani, nxënës i klasës së katërt

Së bashku me nxënësit e klasës së pestë Syart Rrhmanin dhe Elonda Destani, në klasën në Mushtisht, nga Dolloci ka ardhur edhe mësuesja e tyre, Erita Avdylaga.

“Edhe për mua është një ndryshim shumë i madh duke kaluar nga 3 nxënës në 20 është dallim shumë i madh edhe në punë edhe në vlerësim edhe në gjithçka”, tha Erita Avdylaga, mësuese

Numri i nxënësve në Dolloc në arsimin fillor nga klasa e parë deri në të pestën ishte gjithsej 10, andaj për këtë nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Suharekë me një vendim nga Ministria e Arsimit, kjo paralele u fuzionua në shkollën amë në fshatin Mushtisht.

“Kjo është e dështuar mësimi i kombinuar dhe për këtë shkak po ndodhë kjo”, ka thënë Remzi Bejselmani – drejtor i arsimit në Suharekë.

Largësia nga fshati Dolloc drejt fshatit Mushtisht është rreth 5 kilometra. Por këtë përshkim rruge nxënësit e bëjnë me kombi-bus të cilën e ka siguruar Komuna për vajtje-ardhjen në shkollë.

Përveç fuzionimit të paraleles në Dolloc në shkollën amë, janë fuzionuar edhe dy paralele e tjera në fshatrat e Suharekës në fshatin Stravoçin dhe atë Vërrshec.RTK