Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk i beson marrëveshjeve të arritura nga Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë në takimin e Prizrenit.
Ndonëse e ka mirëpritur këtë takim, ai thotë se Bashkimi Kombëtar nuk ndodh në televizor por në realitet.
Kurti kritikon Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, se marrëveshjet me Serbinë i konsideron më serioze se ato me Shqipërinë.
Në një intervistë për ABC News, Kurti flet për takimin e Prizrenit.
“Takimeve të tilla duhet t’ju gëzohemi kombëtarisht. Mirëpo, duhet të jemi shumë të kujdesshëm politikisht, pasi që mbledhjet dhe takimet nuk garantojnë përparim dhe zhvillim të përbashkët”.
“Bashkimi Kombëtar nuk ndodh në televizor. Ai ndodh në realitetin e qytetarëve, në çdo aspekt”.
“Të mos harrojmë se Bashkim Kombëtar nuk nënkupton vetëm bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, pasi që Bashkimi Kombëtar është më i madh se secilado këto dy vende dhe më i madh se të dyja këto së bashku”.
“Ju e dini që unë nuk jam njëri nga qytetarët që i besoj Kryeministrit Hashim Thaçi. Dhe, nuk mund t’i besoj as për këto marrëveshje”.
“Nuk është kjo marrëveshja e parë Kosovë-Shqipëri. Kemi edhe marrëveshje në mes të Ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj dhe homologut të tij nga Shqipëria, e cila u degradua si marrëveshje për konsullata të përbashkëta. Kjo marrëveshje nuk u realizua tash e 3 vjet”.
“Mendoj se marrëveshjet Kosovë-Serbi, pra Thaçi-Dacic, janë ato që po e bëjnë Kosovën, por jo marrëveshjet Thaçi-Rama”.
Kurti kritikon Kryeministrin Thaçi se ndau dhjetëra miliona euro në bisedime me Serbinë për Veriun, ndërsa së bashku me Kryeministrin Edi Rama kanë vendosur të dhurojnë, siç shprehët ai, disa qindarka për Luginën e Preshevës.
“Ka një lloj hipokrizie që në njërën anë merresh vesh për dhjetëra miliona me Qeverinë e Serbisë për territorin e Kosovës, e në anën tjetër ndahen ca qindarka për Luginën e Preshevës”.