Aktualisht është skuadra me formën më të mirë në Superligë.
Pos kësaj, Drita ka bilanc më të mirë ndaj Ballkanit edhe në përballjet e fundit direkte.
Në 4 ballafaqimet e fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve, “Intelektualët” nuk kanë humbur nga kampioni në fuqi, duke shënuar 3 fitore dhe një barazim, njofton Klankosova.tv.
Megjithatë, stadiumi ku do të zhvillohet derbi i nesërm, ka mbi 5 vjet që është shndërruar në një “mallkim” për gjilanasit.
Këta të fundit kanë triumfuar 1-2 më 5 mars 2019, por më nuk kanë njohur fitore.
Që nga ajo kohë, Drita ka udhëtuar plot 9 herë në Suharekë për t’u ndeshur me Ballkanin, ku vetëm tri herë ka arritur të dal nga me barazim, ndërkaq 6 ndeshje të tjera i kanë fituar “Xhebrailat”, raporton Klankosova.tv.
Sa i përket ndeshjes në qytetin e tyre, fituesit e tri vjetëve të fundit të elitës futbollistike në Kosovë, kanë mbushur plot 750 ditë pa humbje në të gjitha garat.
Përkundër kësaj, edicioni 2024/25 i Albi Mall Superligës së Kosovës, protagonistë kryesorë i ka ‘të kaltërtit’ e Gjilanit.
Nga 14 xhiro sa janë zhvilluar deri tani, vetëm Llapi ka arritur t’i mposhtë, kurse pos nëntë fitoreve, lideri i kampionatit ka edhe 4 barazime.
Me 31 pikë të grumbulluara, Drita e ka edhe sulmin dhe mbrojtjen më të mirë në ligë, pasi lojtarët e këtij ekipi realizuan plot 24 gola dhe pranuan vetëm 10 sosh.
Çdo rezultat në derbin e së shtunës, nuk e ndryshon udhëheqësin e tabelës, pasi në rastin më të keq për gjilanasit, nëse Ballkani fiton, skuadra nga Anamorava do të vazhdojë të jetë e para, meqenëse tash për tash është e shkëputur me 5 pikë ndaj suharekasëve, të cilët mbajnë pozitën e dytë.
Fitorja eventuale e “Intelektualëve” do ta dërgonte dallimin në 8 pikë me kampionët aktual, kurse barazimi do ta mbante të njejtë diferencën, me mundësi që Malisheva t’u afrohet, nëse fiton ndaj Gjilanit.
Ballkani – Drita zhvillohet nesër me fillim në orën 13:00.