Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe Naim Bejtullahu, drejtori i KOSTT-it, zhvilluan në Bruksel takime me përfaqësuesit e BE-së, Jean-Eric Paquet, Drejtor në Departamentin për zgjerim të Komisionit Evropian, Nicholas Cendrowicz dhe Ana Maria Boura.
Në këtë takim u bisedua për çështjet e energjisë ku delegacioni i Kosovës kërkoi angazhime të shtuara që procesi i zbatimit të marrëveshjes për energji të nis sa më shpejtë.
“Takimi ishte i frytshëm dhe të dyja palët u pajtuan që punët rreth zbatimit të marrëveshjes për energjinë duhet të avancojnë drejt fillimit të zbatimit praktik. Në këtë takim theks të veçantë i kushtuam kompletimit të planit aksional dhe angazhimit më të madh të të gjitha palëve në drejtim të qartësimit të obligimeve dhe afateve”, ka thënë Tahiri pas takimit.
Zv/kryeministrja ka thënë se ka potencuar se duhet të ndiqet një qasje sa më koherente në raport me marrëveshjen e arritur për energjinë e cila është nënshkruar në shtator të vitit 2013, dhe se “BE-ja duhet të rris angazhimet për një proces efektiv të zbatimit praktikë të kësaj marrëveshjeje e cila mundëson normalizimin e bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e energjisë si dhe krijon mundësitë e normalizimit të gjendjes në pjesën veriore të vendit si në kuptimin e qasjes së papenguar në asete dhe të dhëna ashtu edhe në normalizimin e pagesave për energjinë nga ana e konsumatorëve në atë pjesë të vendit”.
“Në këtë takim po ashtu u dakorduam që Marrëveshja kornizë për bashkëpunime në fushën e transmisionit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të nënshkruhet nga tre palët, meqenëse BE-ja është faktor garantues i mbarëvajtjes së proceseve të implementimit”, theksoi Tahiri.
Ndërkaq, dy ditët e fundit (25 dhe 26 janar) janë zhvilluar takime edhe rreth sigurimit të automjeteve, takime këto të zhvilluar anë Romë.
“Gjatë dy ditëve të takimeve, bisedimet u përqendruan për të gjetur një zgjidhje më të mirë për çështjen e sigurimeve kufitare të cilat do të ofronin çmime më të favorshme dhe lehtësim të lëvizjes së lirë për qytetarët e të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një komunikatë për media të Zyrës së Zëvendëskryeministres Edita Tahiri.
Tahiri thotë se delegacioni i BE-së, i kryesuar nga Alexis Hupin, u angazhua që palët të përafrojnë qëndrimet gjithnjë duke marrë parasysh interesat e qytetarëve dhe standardet evropiane për këtë çështje.
Përpjekjet për një marrëveshje më afatgjate për çështjet e sigurimeve kufitare të automjeteve, sipas Tahirit, kanë hapur mundësitë që të gjenden modele të bashkëpunimit në këtë fushë sipas parimeve të Byrosë Evropiane të Sigurimeve ku të dyja palët kanë shprehur ide dhe propozime për ta avancuar këtë proces.
“Pala e Kosovës ka kërkuar që një marrëveshje mundshme duhet të mbështetet në parimet e reciprocitetit si dhe të garantohet nga Bashkimi Evropian, respektivisht nga Byroja Evropiane e sigurimeve”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë më tutje në takimet që do të mbahen së shpejti, me synim që të arrihet një marrëveshje që do ta ketë për bazë interesin e qytetarëve.
Pala e Kosovës ka vlerësuar se pjesëmarrja e Byrosë evropiane të sigurimeve në këtë marrëveshje si palë garantuese do të rris perspektivat e bashkëpunimit më të madh në mes të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës dhe të Byrosë Evropiane të sigurimeve.